Home KRYESORE 1 Mars 1933… Një letër nga Frida Kahlo për...

1 Mars 1933… Një letër nga Frida Kahlo për piktoren amerikane Georgia O’ Keeffe

Përktheu : Elona Caslli

Kjo është letra që Frida Kahlo i dërgoi  piktores amerikane Georgia O’ Keeffe në 1 Mars të vitit 1933. Asokohe, O’Keefe ishte e shtruar në spital pasi vuante nga Psikoneuroza.

E dashur Giorgia

Sa mirë që ta dëgjova përsëri zërin. Që nga dita që të mora në telefon dhe shumë kohë më parë kam dashur të të shkruaj një letër. Të kam shkruar shumë letra, por të gjitha më dukeshin pa kuptim dhe bosh dhe prandaj i grisa. Nuk mund ta shpreh në anglisht atë që dua të të tregoj, veçanërisht ty. Po ta dërgoj këtë letër sepse ta premtova. U bëra keq, kur Sybyl Brown më tha që ishe e sëmurë dhe akoma nuk e kuptoj se çfarë ke. Të lutem Georgia, nëse nuk arrin dot të më shkruash, thuaji Stieglitz-it dhe e shkruan ai letrën. Më thuaj si ndihesh, të lutem. Do të jem në Detroit edhe dy javë të tjera. Dua të të tregoj se çfarë më ka ndodhur që nga hera e fundit, kur u takuam, por janë ngjarje që të mërzisin dhe ti nuk duhet të mërzitesh tani. Megjithatë, nuk duhet të ankohem. Kam qenë e lumtur në njëfarë mënyre. Diego sillet mirë me mua dhe ty nuk ta merr mendja se sa i lumtur është që punon me afresket këtu. Edhe unë kam pikturuar nga pak dhe jam ndjerë më mirë. Kam menduar shumë për ty dhe kurrë nuk i kam harruar duart e tua të mrekullueshme dhe ngjyrën e syve. Do takohemi shumë shpejt. Jam e sigurt se në New York do të ndihem më mirë. Nëse do jesh akoma në spital kur të kthehem, do të të sjell lule, por është shumë e vështirë t’i gjej ato lule që dua të të dhuroj.
Sa e lumtur do të isha po të më shkruaje qoftë edhe dy fjalë. Ti më pëlqen shumë Georgia.

Frida.

Share: