Home KRYESORE A jemi te pavarur ne…?

A jemi te pavarur ne…?

Nga Rezart Palluqi

Më habiti pa masë, kur para 3 vitesh, një botues shqiptar në Kosovë më drejtoi përpara hundës një libër të gjërë dhe të trashë, ku festohej fuqimisht, njëqindvjetori i pavarësisë sonë.

-Po, përse? A jemi pavarësuar ne shqiptarët?- e pyeta botuesin.

Ai rrudhi vetullat dhe më kërkoi shpjegim. Parapëlqeva të mos hy në debat, ngaqë edhe ambienti nuk ishte i volitshëm. Përreth meje, kullosnin lexuesit e shumtë, të cilët përpiqeshin të zbulonin librin e tyre të ri. Ishte java e Panairit të librit në Kosovë.

-Domethënë nuk do ta bleshë librin?- m’u drejtua përsëri botuesi, këtë herë duke i dhënë fytyrës një shkëlqim të trishtë por edhe tis tradhtar kundrejt mosndjeshmërisë sime ndaj një libri, që sipas tij, kaq të vyer dhe të rrallë.

-Do ta blija këtë libër, vetëm nëse ne jemi bërë të pavarur ndaj së keqes njerëzore.

Botuesi nuk e zgjati më. E rivendosi librin në pirgun e lartë, dhe më ktheu kurrizin.

Po kështu bëra edhe unë. Përbuzjes apo nënçmimit të tij, iu përgjigja me të njëjtën monedhë.

Shqipëria në sytë e mi, nuk ka qenë kurrë në historinë e saj, një vend i pavarur.

Kur është një vend i pavarur, do të më pyeste dikush? Përgjigja ima do të ishte: një vend është i pavarur kur atje çdo vit, drejtësia triumfon të paktën një muaj.

Shembulli më i mirë që mund ta ilustronte këtë është Italia. Atje, mafia e humb betejën ndaj shtetit edhe pse për një periudhë të shkurtër. Pra, drejtësia duhet të jetë të paktën, përkohësisht më e fuqishme se e këqja njerëzore. Dhe jetëgjatësia e saj, duhet të shtohet gjithnjë e më shumë përbri evoluimit njerëzor. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë, ai vend, nuk është kurrë i lirë. Që të mos keqkuptohem edhe një here: Nuk po flas këtu për lirinë apsolute, por atë relative.

Një vend i tillë ka qenë dhe është ende edhe atdheu im, atdheu yt, se atdheu ynë. Në vendet diktatoriale, e cilatdo forme ose mekanizmi qoftë kjo, flitet një mijë herë më shumë për lirinë ose pavarësinë se sa në vendet ku drejtësia fluturon edhe pse përkohësisht e lirë dhe krenare në qiell. Liria e vërtetë nuk lind në kazanin propagandistik, por shijohet në jetën e përditshme dhe në gjumë, teksa ëndërrojmë. Liria ose pavarsia e një populli nuk testohet, ditën kur ai feston largimin e një pushtuesi të huaj, ose rrëzimin e një diktature, por në momentet kur ne blemë bukë. A kemi mjaft lekë për të blerë bukë, ujë, djathtë apo rroba sado të thjeshta qofshin ato? Sa seriozisht merren ankesat tona ndaj kufizimit të lirive themelore?

Ndërsa në rastin e librit që më ofroi botuesi, në faqet e të cilit festohej plot mburrje dhe shkëlqim, festa e njëqindtë e ditlindjes sonë, si komb. Duke refuzuar të ble një libër të tillë, mjaft të shtrenjtë për portofolin e një shqiptari, unë sipas botuesit, demonstroja mungesën themelore të dashurisë ndaj atdheut tim, I cili, sipas librit që më serviri, ishte njëqind pranvera, dimra, vjeshte dhe pranvera, I PAVARUR!

Ashtu si çdo shkrimtar, edhe unë merrem me moralin dhe ndjenjat njerëzore. Aspektin historik dhe atë juridik, ua lë historianëve dhe përfaqësuesve të ligjit. Aty ata janë të lirë të kërcejnë sipas qejfit të tyre. Ta hedhin shaminë në ringun e dasmës ku xhelati kërcen me viktimën e tij, ose në ringun ku njeriu e braktis direkt ahengun, kur disa qindra metra më tutje, vriten qindra llojet e lirisë njerëzore.

Kështu pra, në fushën morale dhe shpirtërore, nuk mund të dalë burrë të më kundërshtojë, dhe thotë: Shqipëria ka njëqind vjet që është e lirë. Liria jonë, gjithmonë ka qenë një pulë, që derën e kotecit/qymezit ia ka hapur dhelpra, kur ka dashur ajo, dhe “JO” kur kanë dashur pulat dhe gjelat e tij. Në vendet ku liria njerëzore është e nvarur nga e keqja mbizotëruese, një pjesë e pulave mbyllin paqe me dhelprën, ndërsa të tjerat janë të destinuara që të përfundojnë në grykën dhe stomakun e dhelprave. Sidoqoftë, liria jonë relative, pra ajo lloj lirie që merr frymë e lirë, nën qiellin e nevojave themelore të njeriut, është arratisur dhe strehuar në zemrën e artit. E kam fjalën për atë art shqiptar që është edhe sot i mohuar, prej hartuesve të librit që më propozoi për ta blerë botuesi. Hartuesit e këtij libri, festojnë për 100 vjetorin e Shqipërisë së arkitektuar prej kriminelëve shqiptarë.

Mund të them, se edhe 32- vitet e para të lirisë sonë, pra, deri sa Shqipëria u zu në çarkun e diktatorit Hoxha, ne nuk kemi qenë të pavarur. Smira krahinore shqiptare krijoi një arenë gladiatorësh. Drejtësia triumfoi shpesh jasht sallave të gjyqit, e ilustruar prej një mori atentatesh, të inskenuara nga kampet politike kundërshtare.

Shqipëria ime, jotja apo e jona, mendoj, se kurrë nuk ka qenë e lirë, as e pavarur. Kjo, vazhdon të jetë, për fat të keq, deri në momentin, kur botuesi në fjalë më kërkoi me një vetëkuptueshmëri diktuese për ta përqafuar atë libër, hapur duke kënduar portofolin tim skërlatinë, dhe hidhja mbi kasën e tij, rreth 30 euro. Botuesi në fjalë, ndoshta mund të ketë të drejtë ta përfytyrojë Shqipërinë 100 vjet të pavarur, ngaqë ai ka qenë i lirë të çajë izolimin hoxhist dhe bredhë botën anembanë. Ka qenë i lirë të shkollojë fëmijët e tij, rregullojë ata në pozita të mira shoqërore. Por, pavarësia më e madhe e këtij botuesi ka shkëlqyer në lirinë e tij, për të gënjyer pa kufi. Të gënjejë dhe mbijetojë me gënjeshtrat e tij vrastare, të bazuara në mitologjizimin e simboleve kombëtare dhe heshtur me vetëdije të plotë ndaj krimeve të dhjetra brezave politikanë shqiptarë, duke përfshirë edhe veten e tij, si shërbëtor i krimeve të tyre morale dhe politike. Askush nuk u dënua për krimet politike, ekonomike dhe morale si gjatë periudhës 1912-1944. Mosdënimet u shumëfishuan gjatë diktaturës hoxhiste. Në vend që fajtorët të përmbytnin gjykatat shqiptare, krimet e pandeshkuara u trefishuan edhe gjatë periudhës postdiktatoriale. Atëherë, përse u dashkërka ta ble librin tënd zoti botues?

Po, po! Libri që kremton pavarësinë tonë njëshekullore, është i tij, dhe jo i yni. Sepse prej atij libri, vuloset me dyllë liria e familjes së tij, dhe tërë klanit politiko-juridiko-moral që e mbajnë edhe Shqipërinë ende peng. Por, ai, siç bëjnë të gjitha diktaturat dhe shërbëtorët e tyre, i mëshojnë me të madhe, pavarësisë klasike, pra asaj të shporrjes së pushtuesit të huaj. Sa më shumë t’i zmadhojmë në ajër dhe në libra të tillë, fotografitë e sulltanëve turq, atë të Musolinit dhe Hitlerit, aq më pak zvogëlohet fytyra kriminele e Enver Hoxhës, parardhësve dhe pasardhësve të tij. Kjo sferë mbizotëron në librin në fjalë, të cilin e kam shfletuar më vonë të tërë, mbasi e huazova në bibliotekë.

Sa herë që afron fundnëntori, unë do t’i refuzoj libra të tillë. Do ta bëj, për aq sa kohë, krimi i gjithanshëm do ta mbajë të mbërthyer prej gryke shqiptarin. Do ta bëj për aq sa kohë, pjesa dërrmuese e shqiptarëve do të ndjehet e pasigurtë në atdheun e tyre, dhe do të ëndërrojnë për dy gjëra: ose tia mbathin nga këmba tek koka, ose si e si të bëhen banorët e lagjes së elitës kriminele, ku bën pjesë edhe botuesi në fjalë, të cilit nuk i dridhet qerpiku ta zhvasë shqiptarin, tia zbrazë edhe ato pak qindarka që i kanë mbetur.

Populli shqiptar, sipas meje, ka qenë i pavarur ose të arratiset prej tij, ose të transferohet nga një burg në tjetrin. Pak a shumë ajo që ndodh me një kriminel i cili një pjesë të burgut e bën jasht kufinjve shqiptarë, ndërsa pjesën tjetër në burgun shqiptar. Qysh prej momentit që ne u çliruam prej pushtimit pesëshekullor Osman, ne kemi qenë të burgosur, ose nvarur prej tiranëve shqiptarë.

Holandë, tetor 2015

Share: