Home KRYESORE Bakllava…

Bakllava…

Nga Edison Ypi

Ta bëra me petë të holla dhe të buta si mëndafsh, ta poqa në ngjyrë vishnje, merre haje, gjakedhjam, tha bakllavaxhiu, dhe ma lëshoi tepsinë e bakllavasë përpara.
Duke vajtur në shtëpi me bakllava ndër duar, vura re se rrugës njerzit më shihnin me dyshim.
Pyeta njërin prej dyshimtarëve,
-Çfarë ka bakllavaja ime që e sheh me dyshim ?
-Bakllavaja jote ka brenda sheqer dhe vaj industrial, miell dhe arra të modifikuara genetikisht. Nuk është bakllava, është bombë me sahat që pas pak do të çojë në varr nga një sëmundje e pashërueshme.
Ma bëri harram. E flaka bakllavanë. Ama pasi e flaka, uria për bakllava mu shtua.
Vajta në një tjetër ëmbëltore, ku, bakllavaxhiu sa më pa, më tha,
-Ti këtë bakllava e do që t’ia dhurosh Doktorit që ëmbëlsia e bakllavasë t’ja neutralizojë helmet që kundërshtarët e Tij hedhin oreminut mbi të. U kry. Do ta bëj një bakllava super të ëmbël.
-Doktori nuk helmatiset aspak prej kundërshtarëve se Doktori është një det me mjalt, një oqean me sherbet, një botë me ëmbëlsi, o bakllavaxhi.
Ika në një tjetër ëmbëltore për një bakllava më pak të ëmbël.
-Dua një bakllava…
-Sa bukur të paska vajtur mendja mor qerrata. Ti do një bakllava që tu dhurosh ministrave nga një thelë t’i zërë barku në mbledhjen e qeverisë, pamjet filmike të shkojnë në Youtube t’i shohi gjithë dynjaja si dhjeracakë. Më jep kohë deri neser të gjej helmet e duhura për spirrë të verdhë ministrash të kuq.
Ika edhe nga helmatisësi i maskuar si ëmbëltor dhe kjo ëmbëltore e rrezikshme me mpleksje ekstreme të bakllavasë me politikën.
Disa bakllavaxhinj në disa ëmbëltore,
I pari,
-E do bakllavanë ta helmosh Edi Ramën me një thelë që të vijë në vete të ndërrojë ministrat gërxho me të rinj që kanë studiuar në perëndim dhe të bëjë tani që është në pushtet disa ndryshime nga ato që kur ishte në opozitë ja kërkonte me aq ngulm Doktorit.
I dyti,
-E do bakllavanë për t’i dhuruar një thelë të dërguarit të Allahut mbi tokë, skraparlliut Ilir Meta. Iliri, pasi ta hajë thelën e bakllavasë, do vijë në qef dhe do t’i shtojë pretendimet që i përkasin si King Maker aq tepër sa Edi Rama të mos mund t’ja plotësojë dot. Do bëhen zgjedhje të parakohëshme. Zgjedhjet do tu japin fund të gjitha keqkuptimeve, do merret vesh përfundimisht sa i vlen lëkura njërit e tjetrit dhe çfarë gëzofi mund të bëhet me secilën lëkurë.
I treti,
-E do bakllavanë për të helmuar me nga një thelë ata që po na marrin erzin si popull dhe si komb, deputetat e inkriminuar, vrasësit, tutorët e kurvave. Faleminderit që po më jep rastin të realizoj ëndërrën e jetës, bakllavanë më të helmët që është realizuar deri më sot. Eja merre pas disa orësh. Nuk dua asnjë lek. E ke dhuratë prej meje.
I katërti,
-E do bakllavanë për të helmatisur disa konservativë që paguhen nga qarqe islamike fondamentaliste të cilët në vend që në këto ditë të vështira për fatet e Kombit të merren me klyshat e kurvit në pushtet, s’lënë llaf pa thënë kundër dy gjenialëve që kemi, Doktorit dhe Ismail Kadaresë. Për këta derdimenë pa asnjë ndikim mund të bëj, e shumta një bakllava me kripë, por jo t’i helmoj.
I llaftarisur nga ky politizim kaq ekstrem i bakllavasë si mjet vrasës mesjetar, s’po dija nga t’ja mbaja për të bërë një bakllava si ma ka mideja, kur papritmas më doli përpara një ëmbëltore ku brenda gjeta një tufë grash.
-Dua, u thashë grave të ëmbëltores, të më bëni një bakllava me shumë petë, petët të mos jenë të gatëshme por të bëra vetë me okllai’, jo me arra kineze por me arra Pishkashi, jo me vaj por me gjalp, jo me sheqer por me mjalt, jo me ujë çezme por me ujë gurre.
-Mos e do edhe të rruar zotrote ? më pyeti njëra nga gratë. Kemi bërë me mijëra bakllava, por asnjë si kjo që kërkon ti, fakt ky që tregon qartë se ti bakllavanë nuk e do ta hash vetë por të helmosh dikend tjetër. Je në vendin e duhur. Ëmbëltorja jonë me vetëm gra është e specializuar për helmime burrash. Do ta bëjmë një bakllava për merak, për vdekje të sigurtë në çast që në kafshimin e parë.
Nga gratë kriminele që mbaheshin për bakllavaxhesha, drejt e te një ëmbëltore ku dikujt që zanatin e bakllavave helmatisëse e ka mësuar në Greqi, i kërkova të më bënte një bakllava vrasëse, si bakllavaja e Masakrës së Manastirit, nga ato që helmojnë tetqint burra njëherësh.
-Pa merak, tha, do të bëj një bakllava që brenda pak çasteve t’i helmosh të gjithë shqiptarët.
-Përveç Doktorit që pas pak do bëhet Kryeministër.
-Ajo dihet.
-Përveç dhe Ismail Çalës që mezi po presim të bëhet deputet dhe t’i kolovari klyshat e kurvit tek degët e Selvive të Manazgjasë.
-Si urdhon.
Ja ku u zgjdh dhe problemi i bakllavasë që mezi po e pres ta kullufis.

Share: