Home SPROVA LETRARE Dashuria e parë

Dashuria e parë

0

Tregim nga Ilir Kalemaj

Atë ditë që më thanë se do studioja në medresenë e qytetit D, më ra pika. A thua nuk kishte mjaft shkolla në qytetin ku jetonim që duhet të sikterisesha aq larg. Lamtumirë femra, lamtumirë pa përjetim të festave, ahengjeve dhe shoqërisë së çmuar të gjimnazit. Lamtumirë adoloshencës së çmendur trotuareve gri të qytetit të fëmijërisë. Tani oburra, mblidh forcat dhe pëlcit kokën mbi libra, mbase të del për hajër ajo gjë në mos tjetër. E vetmja frikë që kam është mos më pëlcasin kokën me literaturë fetare dhe më bëjnë të falem pesë herë në ditë. Në familje jemi ateiste. Ose ndoshta deist. Ndoshta agnostik apo diçka tjetër. Në fakt, s`para e kam vrarë mendjen për këto gjëra deri këtë ditë të uruar që do bërë valixhja gati.

Tani që po e mendoj, Petroja, shoku i fëmijërisë e ka babanë prift. Pse martohen priftërinjtë? Mbaj mend kur pyeta padjallëzisht para disa vitesh mamanë dhe ajo pasi kish zgurdulluar fillimisht sytë, ja kishte plasur gazit sikur t`i kisha thënë gjënë më të çuditshme në botë. Ej, dreq o punë! Në fakt, nuk mbaj mend të kem bërë ndonjëherë muhabet për punë feje me Petron apo shokët e tjerë. Veç tani nuk di pse po më kujtohen këto gjëra. Ndoshta për shkak të asaj shkolle fetare ku po më shpunë me zor.
Në fakt ditët e para më dukeshin xhehenemi vetë. Dhomat e dritares si frëngji dhe çdo gjë e bërë në grup si në ushtri. Të merr malli të rrish pak me vetveten. Megjithatë i duruari, i fituari dhe ishalla për hajër. Tani po flas si turqit më duket, po bëhem si ata. Jo se janë shumë ndryshe nga ne, por se ç`e kanë shumë për zemër këtë punën e fesë, shumë seriozisht e marrin. Pale kur na shtien dhe klor te çaji i mëngjezit që mos të këndojë zogu. Fanatikë të mëdhenj.

Për fat të mirë, dritarja më binte nga një shtëpi e vjetër me oborr, ku kishte një kopsht të vogël. I zoti, një burrë babaxhan, me flokë të bardhë si furrxhi, dilte shpesh aty për të punuar kopshtin, apo thjesht për t`u shugulluar në diell dhe marr ca rreze. E shoqja më kujtonte mamanë, më nje buzëqeshje plot shëndet dhe mirësi. Më duket nuk kishin fëmijë, ose të paktën nuk më pati zënë syri tjetër njeri. Deri atë ditë, kur erdhi ajo. Më kujtohet si dje, dita kur doli në kopsht, puthi të jatin në faqe dhe këputi një shegë nga një pemë e re. Më duket se një moment, të gjatë sa përjetësia, sytë tanë u ndeshën dhe pastaj u largua, ashtu si një puhizë pranvere kur të kalon pranë.

Që atë ditë m`u bë fiksim. Nuk qëndroja dot pa u ngulur me orë të tëra pranë dritares. E pashë për pak sekonda edhe të nesërmen, edhe të pasnesërmen, pastaj asgjë. Kaloi një muaj, dy, tre. Ku dreqin të ketë shkuar? Me siguri studion jashtë, ose në Tiranë. Vjen vetëm me raste. Sa vjeçe mund të ishte vallë? Me aq sa e pashë pata përshtypjen se duhet të ishte disa vjet më e madhe se unë, patjetër në universitet. Nuk e di pse më ngjisnin këto femrat më të mëdha në moshë. Këto moshataret, edhe kur kam rastin të njoh ndonjë, sikur nuk më bëjnë më përshtypje. Se ku e lexova në një libër historie të vjetër që edhe romakët i preferonin femrat në moshë. Madje sa më e vjetër, aq më e mirë. E arrin maturinë si vera.

E pashë sërish për pushimet e dimrit. Shkurt, pasi më duhej të kthehesha në shtëpi për festat. Më shëmbëllente si një vizion, e cila shfaqej dhe zhdukej e pastaj rishfaqesh si një vegim. Në pranverë, kur erdhi sërish, guxova t`i hedh një letër të shkruar me një frymë nga dritarja dhe të tërhiqesha me shpejtësi sikur më ndiqte shejtani. Kisha hedhur do rreshta nëpër të, çaprazçe, dhe po prisja me gjak të ngrirë mos merrte ndonjë gur dhe ma bënte copë e çikë dritaren. Për fat, asgjë nuk ndodhi. Ditën tjetër, po vija vërdallë ndanë oborrit ku veç një mur, i shkatërruar pjesërisht, na ndante, dhe u trondita kur pashë ato sytë të zinj të përndezur që po më ishin ngulur tërë tërsëllimë. Gjaku pushoi së qarkulluari disa sekonda dhe thashë se do më binte pika, kur ajo hapi gojë dhe tha ashtu patëkeq:

-Ckemi?
Mirë. Si quhesh?
Ou, nuk e ditke? Posi kështu dhe unë që seç kisha një parandjenjë që ishe ti ai që më hodhi një letër dje nga dritarja.
Por emrin s`ta di…
Erla. Ti?
Daniel, por më fol Dani shkurt.
Dani, nuk je ca i vogël për t`u ardhur rrotull fustaneve të femrave më të mëdha në moshë?
Kisha turp të të flisja,- thashë duke menduar hapu dhe të futem.
Mirë, mirë, e mora mesazhin- buzëqeshi ajo djallëzisht dhe iku pa përshëndetur.

Atë natë nuk fjeta hiç. Nuk dija si ta interpretoja sjelljen e saj. Di vetëm që ato pak minuta që kisha folur me të, mjaftuan të gdhendej në kujtesën time një përjetësi.

***

Imazhi i saj do më përndiqte gjithë verën. Kur u ktheva nga pushimet, ajo nuk ishte nisur ende për kryeqytet ku fillonte vitin e tretë për informatikë. Pashë që kishte vënë syze, që e bënin të dukej akullësisht tërheqëse. E përshëndeta dhe prita një hop si do reagonte. Shpërveshi ngadalë buzën, duke zbuluar dhëmbët e mrekullueshëm dhe më dha një buzëqeshje që shkriu cdo gjë brenda meje. Në ato çaste edhe të më thoshte të vrisja dikë, do e kisha bërë pa hezitim.

E lamë të dilnim në fundjavë, ku kishim njëfarë liridalje dhe me pak kursime që kisha hequr mënjanë nga ato çika lekë që më jepnin, u mundova të sajdis një takim dashurie që për mua qe diçka e paprovuar më parë. Morëm një taksi dhe shkuam buzë detit, në një lokal që futej ëmbël në det, dhe ku perëndimi vjeshtak me diellin që fundosej si e kuqja e vezës, të përndizte cdo emocion. Stomaku më dukej i rëndë, koka më ziente dhe goja po më merrej, pra më keq s`kishte ku të vente.

Por sekëlldia që ndjeja u zhduk krejt, me një prekje të dorës së saj. E mori pëllëmbën time, e vendosi butësisht në të sajën, e ngriti me lezet dhe nisi ta puthte pa fjalë. Në ato momente doja të qaja nga gëzimi që më gufonte përbrenda. Nisa ta puth si i çmendur, por ajo si më me eksperiencë, më shkëputi disi nga vetja. “Ngadalë djalo, merre shtruar, s`na iku treni”- tha ndërsa zbardhte dhëmbët me një qeshje ironike por që më dukej si gjëja më sensuale që kisha parë ndonjëherë.

Vazhduam të shiheshim për vetëm nëntë ditë. Ditën e nëntë nisej për Tiranë. Mua s`më linin të dilja nga medreseja, kështu që u përshëndetëm me dorë. Dhe kështu vazhduam ca kohë, takoheshim me intervale të shkurtra dhe pastaj ndaheshim për periudha që më dukeshin shekuj dhe mijëvjeçarë. Herë më dukej e ngrohtë, e malluar, herë e ftohtë, indiferente ndaj çdolloj puthje dhe përkëdhelje.

Çdo problem që mund të kishte në jetën e saj, e lidhja me ndjenjat që mund të kishin ikur. Nisa të bëhem xheloz pa e kuptuar as vetë. Sa më tepër ngjitesha unë, aq më tepër ç`shqitej ajo. Këmbëngulja ime e tërbonte. Nuk arrinte të kuptonte sesi një frut i vogël si unë, arrinte t`i vinte kushte. Arriti deri aty sa disa herë ma preu shkurt, më dha udhët, por pastaj prekej nga lutjet e mia deri në bezdisje, lotët që më venin rrëke si qurrash, dhe më jepte edhe një shans. Të cilin gjithnjë dija sesi ta digjia.

E kështu vazhdoi kjo historia jonë, deri ditën që kishte gjëtur një jaran andej nga Tirana, emrin dhe llagëpin e të cilit nuk e mora vesh kurrë. Mora vesh vetëm që seç kishte një biznes, ishte i martuar dhe natyrisht mjaft më i madh se ajo në moshë.

Nga ekstremi në ekstrem mendova, por të paktën më bëri mirë, se mësova mos të ngelesha injorant në punë çështje zemre dhe ç’ duhej bërë në të ardhmen për mos të humbur në fushën e ndjeshme të shahut të zemrës.

Share:
Reklama juaj