Home SPROVA LETRARE DOSJET KRIMINALE TË TIRANËS, JANË EDHE DOSJET E PRISHTINËS…

DOSJET KRIMINALE TË TIRANËS, JANË EDHE DOSJET E PRISHTINËS…

Xhejlane Kaçiu Dosjet kriminale të Tiranës, janë edhe dosjet e Prishtinës…

Disa mendime rreth romanit të Rezart Palluqit, 193 kafazet.

193 kafazet, një roman me gjuhë të pasur,me një temë komplekse të trajtuar me shumë kujdes,ngjarje të zhvilluara në kohë të gjatë por të përmbledhura bukur. Personazhet e kompletuara dhe sidomos kryepersonazhi e bëjnë veprën edhe më madhështore. Ylli, një poet shqiptar dhe një kuzhinier universal, dy profesione që atij i kujtojnë atë që më së paku e dëshiron, atdheun. Loja me yjet në fillim të romanit e ka efektin e vet dhe gjatë gjithë zhvillimit të ngjarjeve nuk bëhet asnjëherë e tepërt. Duke filluar me yjet e flamurit amerikan, për të vazhduar me yjet e qiellit e me yllin komunist shqiptar i cili bëhet ”mollë sherri” për Yllin.

Libri edhe pse bën fjalë për periudhën e diktaturës në Shqipëri, shumë lehtë do të mund të pasqyronte vitet 1981-2015 ne hapësirën shqipfolëse të Kosovës.

Po i referohem direkt një paragrafi te romanit, për të ilustruar cka thashë më sipër:

“ Kjo qeveri po bën aq shumë potere, po mburret, po krekoset si gjel deti për zbulimin e eshtrave,por sa për përgjegjesit e zhdukjes së të gjithë atyre njerëzve të pafajshëm po flitet pak ose aspak.Madje besoj se gjysma e dosjeve janë zhdukur me porosi prej vetë spiunëve dhe ish-funksionarëve të lartë hoxhistë.Kur bërtasin si tellallë : “Të hapen dosjet për t’u distancuar nga e kaluara.”,mua më vijnë zorrët në fyt. Është sikur vrasësi t’i bëj autopsinë viktimës së tij ose të kërkosh të vërtetën në një arkivol bosh. Mbas vitit nëntëdhjetë kanë lindur tre breza të rinj dosjesh ,pra një mal i ri me krime.Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse dosjet e diktaturës do të ishin hapur fill mbas rënies së saj.”

Edhe gjashtëmbëdhjetë vite pas luftës, këta tanët këtej kufirit, krekosen se do t’i gjejnë eshtrat e të vrarëve.Vetëm përmendet një padi kundër shtetit serb, padi kjo e cila është e pavlefshme pasi është shpërbërë gjykata e Hagës. E sa të tillë u vranë, që vetëm emrin e personazhit të 193 kafazëve,Ylli, nuk e kishin. Dhjetëra të tjerë po lihen ende të vdesin prej urie ,sa e sa të tjerë kërcënohen ose blihen? Bile këta të fundit e përbëjnë shumicën bashkë me ata që lëpihen.

Unë nuk isha ende as 5 vjeç në kohën kur shpërtheu lufta, por duke parë se çka bëjnë ish-“komandantët” e UQK-ës, edhe tash 16 vite pas luftës, sado ta kem imagjinatën e zhvilluar, prapë nuk mundem as ta paramendoj se çka kanë mundur të bëjnë atëherë kur ishte Luftë (nuk thotë kot populli “si në luftë ma”).

Zërat e viktimave kanë hasur shumë në vesh të shurdhër edhe këndej nga ne. Disa prej tyre janë : Ukshin Hoti ( i zhdukur, i gjallë apo i vdekur; spekulimet nuk kanë fund),si Jusuf Gërvalla që u ndoq edhe jashtë kufijve, apo Dino Asanaj në rastin e të cilit policia i dha vulën idiotizmit të vet duke e quajtur vetëvrasje ndërkohë që ai u gjend në një dhomë hoteli me trupin shoshë të shpuar nga plot 11 të rëna thike.

Këta mund të mos jenë dhe sigurisht nuk janë të vrarë për qëllime të njajta, por prapë mbeten raste vrasjesh të dyshimta për të cilët ELITA politike di më shumë ,i dinë edhe fajtorët e padënuar si në rastin e babait të Yllit XIXA në romanin e Palluqit.

Jo më larg se katër muaj më pare, thuajse u ndoqën nga shtëpitë e tyre, mbi 35 mijë kosovarë. Kufijtë u hapën si dyert e stallave të derrave. Kemi të bëjmë pra, me të njëjtat plagë shoqërore, paçka se personazhit tragjik të romanit 193 kafazet, Yllit, iu desh të arratiset përpara 35 viteve. Nuk ishte ose është pra vetëm Ylli që përballet me problemin e atdheut dhe flamujve mashtrues, me të cilët ai në shenjë proteste bën mbathje dhe shami hundësh. Të njëjtin mashtrim e përjetuan pak kohë më parë edhe vëllezërit e tij kosovarë.

Tani po ju jap një citat tjetër nga romani në fjalë.

Cit nga 193 kafazet :”Së fundi ime ëmë u ndje e lumtur ngase mund të falej e lirë përsëri pas aq vitesh ,që kur diktatori Hoxha ,në vitin 1968,e kishte shpallur fenë zyrtarisht të ndaluar duke e shndërruar atëherë Shqipërinë si vendin e parë ateist në gjithë botën”.

Shtet laik jemi shpallur nga e nderuara dhe shumë e respektuara zonja presidente, megjithate ezanin dhe këmbanat janë në proçes për t’i ndaluar. Çka t’i themi tjetër kësaj pune veq “luja diktaturë luja”.

Edhe në kohën e xhaxhit Enver kishte izolim, por atë kënaqësi që e shijonte ai, nuk ju mungon as këtyre tanëve me pasaporta diplomatike, që bredhin botën anembanë ndërsa neve s’na lënë ta qesim as hundën më larg se në Serbi. Që dorën në zemër, po të mos ishte e shkreta Luginë, më mirë do të ishte ta mbyllnin atë kufij me mure 100-metërshe te lartë.

Një ndër tre shtëpi, në mos më shumë, e ka një nënë Florë që vuan në të zeza, siç është edhe NËNA FLORË e kryepersonazhit Ylli Xixa, në roman. Apo një personazh, si Bardhi, i Palluqit, ka Kosova sa të duash, që bëjnë tregti me pushtetarët sa herë të shohin leverdi, tradhtojnë shokët e tyre të fëmijërisë, siç ndodh në rastin e KRYEPERSONAZHIT, Yllit me Bardhin.

Nuk po e zgjas fort me personazhet e tjerë mjaft intrigues dhe të pafytyrë, si ish shefi i sigurimit hoxhist, Viktori, dhe vajza e tij jashtmartesore, ose gruaja e Yllit, Zhaneta, mbasi MBI ta, mund të shkruhen shumë romane të tjerë. Pa harruar këtu Alketën, lajmsen e Yllit, apo spiunin familjar, xhaxhain e Yllit.

Nuk ia vlen të flasim, sepse të gjithë e kemi dikë që është rehatuar për vete dhe aq i bën edhe nëse i del flaka Kosovës. Si, Shpëtimi, jetimi, që kemi shumë të tillë midis nesh. Ylli ia ka vënë birit të tij të vetëm këtë emër, me shpresë që ardhmëria jonë të paktën të shpëtoje. Nuk i harrova as miqësitë por çfarë vlen të përmendet te shoqëria që ndahet si me thikë në dy pjesë: njëra mundohet të të udhëzojë me aq sa ka takatin dhe tërhiqet, ndërsa tjetra provon të të bëj si veten e saj, përndryshe nuk të sheh ose pranon në vatrën e miqësisë së saj.

Thënë në pak fjalë: ish-diktatura e atyre andej nga Tirana, i përcjell këndej nga ne, ende frutat e saj të kalbura ose vrastare, por që NE fatkeqësisht, i shijojmë si fruta të freskëta atdhetare…

Xhejlane Kaçiu/ studente e fakultetit filologjik të Prishtinës

Share: