Home KRYESORE Editorial nga UN WOMEN në kuadrin e përvjetorit të Rezolutës nr. 1325

Editorial nga UN WOMEN në kuadrin e përvjetorit të Rezolutës nr. 1325

  • Nga Phumzile Mlambo-Ngcuka, Zëvendës Sekretare e Përgjithëshme e OKB-së dhe Drejtore Ekzekutive e UN Women

Kohët e fundit kemi kremtuar marrëveshjen e paqes midis qeverisë së Kolumbisë dhe grupit kryesor të gueriljeve. Marrëveshja e arritur për çështjet e drejtësisë përfaqëson shenjën më të qartë të dhënë ndonjëherë të një fundi të mundshëm të një konflikti prej pesë dekadash. Më pak është folur për mënyrat e shumta e konstruktive sesi gratë kolumbiane kanë marrë pjesë dhe kanë ndikuar në këto negociata apo mënyrat sesi ato janë angazhuar për paqen, duke përfshirë këtu edhe takimet e shumta të organizuara nga gratë e mbijetuara me gratë në të dyja ekipet negociatore. Po kështu, pak njerëz e dinë se viti i kaluar shënoi gjithashtu fundin e një konflikti që zgjati një dekadë në Filipine midis qeverisë dhe Frontit Çlirimtar Islamiko Moro, për bisedimet e paqes, ku më shumë se një e treta e negociatorëve ishin gra; shifër kjo shumë më e lartë nga shifrat e zakonshme në bisedimet për paqen, që zakonisht drejtohen ose njëqind për qind nga burra, ose kanë në përbërjen e tyre shumë pak gra. Pjesëmarrja e grave bazohej mbi një histori të gjatë të grave udhëheqëse në nivele vendore dhe kombëtare në Filipine gjatë shumë viteve, duke përfshirë nën drejtimin e dy grave Presidente, të cilat investuan kapital politik në ri-fillimin e negociatave me grupet rebele.

 

Ndërsa tensionet kërcënojnë paqen e brishtë të Burundit, gratë e tij u organizuan me shpejtësi në një rrjet kombëtar grash ndërmjetëse për të zbutur e parandaluar morinë e mosmarrëveshjeve lokale si dhe përshkallëzimin e tyre. Në 129 bashki të vendit ato trajtuan afërsisht 3,000 konflikte në nivel vendor gjatë vitit 2015, duke përfshirë ndërmjetësimin midis forcave të sigurisë dhe protestuesëve, punën për lirimin e demonstruesve dhe të burgosurve politikë, nxitjen e veprimeve të paqshme dhe dialogun mes bashkësive të përçara dhe vënies fre të thashethemeve dhe frikës së ekzagjeruar duke siguruar informacione të verifikueshme për parandalimin e panikut të përhapur. Organizata e UN Women me krenari dëshmon se ka mbështetur të gjitha këto përpjekje.

 

Këto nuk janë histori të izoluara. Një studim gjithëpërfshirës i hartuar me rastin e pesëmbëdhjetë vjetorit të Rezolutës nr. 1325 të Këshillit të Sigurisë, që është një rezolutë historike e cila njohu rolin e barazisë gjinore dhe lidershipit të grave në arenën ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë është ndër shëmbëlltyrat më të fuqishme aktuale që dëshmon se barazia gjinore përmirëson ndihmën humanitare, forcon përpjekjet për mbrojtje të paqeruajtësve tanë, kontribuon në përmbylljen e bisedimeve për paqe dhe në qendrueshmërinë e marrëveshjeve të paqes dhe përshpejton rimëkëmbjen ekonomike pas konflikteve. Studimi përfshin gjithnjë e më shumë fakte nga studiues e akademikë që tregojnë se negociatat për paqen kur ndikohen nga gratë, kanë më shumë gjasa të përfundojnë me marrëveshje, por edhe të kenë jetëgjatësi. Praktikisht, shancet që marrëveshja të zgjasë 15 vjet shtohen me 35 përqind. Në rastet kur komunitetet e prekura nga konfliktet u japin fuqi grave, ato përjetojnë rimëkëmbjen më të shpejtë ekonomike dhe uljen e varfërisë, dhe rezultate të përmirësuara gjerësisht humanitare, jo vetëm për gratë dhe vajzat, por për mbarë popullatat.

 

Në një botë ku ekstremistët e kanë vënë nënshtrimin e grave në epiqendër të ideologjive dhe taktikave të tyra luftarake, komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara duhet ta vendosin barazinë gjinore në themel të ndërhyrjeve të tyre për paqe dhe siguri. Përtej politikave, deklaratave dhe aspiratave, barazia gjinore është ajo që duhet të drejtojë vendimet tona për ata që angazhojmë dhe për çfarë i shpenzojmë paratë dhe kohën tonë.

 

Eshtë e qartë se duhet të përpiqemi për rezultate të prekshme për gratë e prekura nga lufta dhe t’i përdorim kapacitetet thellësisht të pashfrytëzuara të grave për t’i parandaluar këto konflikte. Shteteve u takon të bëjnë më shumë për t’i sjellë gratë në tryezën e paqes në të gjitha bisedat për paqen. Shoqëria civile dhe lëvizjet e grave kanë dhënë kontribut të pacmueshëm në proceset funksionale të paqes. Ne e dimë se kur përfaqësuesit e shoqërisë civile përfshihen në marrëveshjet për paqen, marrëveshjet kanë 64 përqind më shumë mundësi për të qenë të suksesshme dhe me jetëgjatësi. Ka ardhur koha t’i jepet fund dominimit të proceseve të paqes nga ata që e bëjnë luftën, duke anashkaluar ata që kërkojnë paqen. Ka ardhur koha t’i jepet fund nënvlerësimit për investimin e duhur në barazi gjinore. Përqindja e ndihmës për shtetet e brishta të cilat kanë vendosur barazinë gjinore si synimin kryesor të ndërhyrjeve të tyre për paqe dhe siguri është vetëm dy përqind. Ndryshimi kërkon kurajo dhe nuk mund të ndodhë pa investuar.

 

Tani ai moment ka ardhur. Me datë 25 shtator, shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara miratuan Axhendën për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 ku shprehet vendosmëria “për të garantuar që të gjitha qëniet njerëzore të realizojnë potencialin e tyre të plotë për dinjitet dhe barazi” dhe “të nxisin shoqëri paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse të cliruara nga frika dhe dhuna”. Dy ditë më pas, 72 kryetarë shtetesh dhe qeversish morrën pjesë në Takimin tonë të Liderave Globalë për të nënvijëzuar mbështetjen e niveleve më të larta për barazi gjinore dhe angazhim për veprime specifike. Me datë 13 tetor, Këshilli i Sigurisë do të kremtojë pesëmbëdhjetë vjetorin  e  rezolutës nr. 1325 dhe do të sjellë energji, ide dhe burime të reja në lidershipin e grave për paqe.

 

Në një botë që është sot kaq e prekur nga konfliktet, ekstremizmi dhe zhvendosjet e popullsisë për shkak të tyre, nuk mund të mbështetemi më vetëm tek grimcat e shpresës të krijuara nga veprime të jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm. Na duhet e gjithë fuqia e veprimit tonë kolektiv dhe kurajoja politike e udhëheqësve të komunitetit ndërkombëtar. Në fund të fundit, përvjetorët nuk shënojnë vetëm kalimin e viteve. Ato duhet të jenë momenti për t’i kthyer fjalët në vepra.

Share: