Home KRYESORE Festimet me sfond historik në shërbim të politikës

Festimet me sfond historik në shërbim të politikës

Nga Dr. Ndricim Mehmeti

Shqiptarët Brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë,  në diasporën e hershme dhe në emigracionin e pas vitit 1990, mbase janë unik në Evropë, që ende janë në debatin historik gjithë popullor për Luftën e Dytë Botërore e ndoshta edhe për të parën. Kjo nuk do të bënte përshtypje, sikur politika siç ndodh në të gjitha fushat fut hundët, duke djallosur edhe ndonjë nismë të mirë. Duke parë se partizanët, trimëritë e luftës, shikimi vëngër i ballistëve, mund të zgjas sa më shumë jetën e qeverisjeve të majta, liderët e tyre, nuk kanë munguar të mbajnë gjallë këtë shpirt revolucionar, edhe pse vetë nuk i besojnë aspak kësaj kuturisje naive në ditët tona. Të djathtët bënë përpjekje për të sjellë një frymë të re, duke rehabilituar figura të shquara të nacionalizmit shqiptar dhe qëndresës antifashiste, si Kryezinjtë, Bajraktari, Kupi etj., por edhe duke u akuzuar se po mbështesnin kolaboracionistët. Pas kësaj kritike, e djathta u tregua shumë e dyzuar, në qëndrimin ndaj luftës, duke u përpjekur që “mishi të piqej e helli të mos digjet”. Vlerësonte luftën partizane, por lëronte t’u jepeshin merita edhe nacionalistëve. Kur situata politike, ndizej në Shqipëri, krejt papritur ndizej edhe debati për historinë. Më tej kur dilnin në shesh çështje të tjera, historia harrohej dhe lihej mënjanë. E vetmja gjë që sjell në vëmendje në ngjarje të rëndësishme politike, e kthyer tërësisht në shërbim të politikës, është Konferenca e Pezës. E konceptuar së fundi si një festë mbarë popullore, ajo fillon me fotot e Hoxhës që u përplasen në surrat organizatorëve të zellshëm të Bashkisë së Tiranës, politikanëve-historian dhe historianëve-politikanë dhe vazhdon me rrëkëllimën e gotave të  rakisë të atyre pak veteranëve që kanë mbetur dhe përfundon me shfrenimin e vrullit rinor, ku nuk mungojnë simuluesit e veçantë si kanabis, ekstazë dhe për më të pasurit heroinë e kokainë.

Sa për Konferencën e Pezës, nëse i pyet dy pas festimeve pjesëmarrësit dhe organizatorët, pak kush mund të të japi një përgjigje, për rëndësinë e saj, çfarë simbolizon etj. Me shumë madhështi në 2014, u festua edhe Kongresi që hodhi themelet e diktaturës komuniste në Shqipëri, Kongresi i Përmetit. Edhe atëherë nuk munguan fotot e E. Hoxhës dhe nderimet si në kohën e komunizmit. E gjithë zhurma kaloi me një emision ku u zunë dy vetë, e pak të tjerë morën vesh ndonjë gjë. Pyetja që unë ngre, është fare e thjeshtë: Përse nuk përkujtohet Mukja, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Konferenca e Labinotit, që sipas shumë historianëve i dha udhë fillimit të Luftës Civile në Shqipëri? Nuk pashë të kishte aktivitete të rëndësishme në 2014, me rastin e 100-vjetorit të principatës shqiptare. Po aq është për të ardhur keq, që nuk pati asnjë përkujtimore për kolonelin Tomson, për faktet e reja në lidhje me atë që është quajtur si kryengritja e fshatarësisë së Shqipërisë së Mesme, e cila, ishte një thikë pas shpinë për shtetin e ri shqiptar. Nuk u dëgjua askund të flitej një fjalë në gusht për ditëlindjen e mbretëreshës Geraldinë. Në 2016 ajo ka 90 vjetorin dhe jam i sigurt se nuk do të kujtohet kush. Bashkëshorti i saj Mbreti Zog I, kishte ditëlindjen më 8 tetor dhe ata që merren me historinë “e harruan”. Po ashtu e kanë të vështirë të flasin edhe për Enver Hoxhën që e kishte ditëlindjen e tij pak ditë më parë. A ka një arsye më të thellë apo është thjesht një stepje, për të mos u përplasur me politikën?

Natyrisht që nuk është e thjeshtë të flasësh për historinë në Shqipëri, madje edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në Luginën e Preshevës. Ndoshta më të ftohtë në këtë pikë janë shqiptarët e Amerikës. Por ama nuk mund të selektosh në shërbim të politikës, ngjarje historike dhe t’ja servirësh popullit si arritja më e madhe e tij në aq apo kaq vitet e fundit. Festimet me sfond historik në shërbim të politikës janë po kaq të dëmshme sa ndarja që dëgjohet për historianët, se ky është i djathtë e ky është i majtë. Historiani është ai që me ndihmën e dokumenteve dhe interpretimin sa më objektiv të tyre, të jep një panoramë të ngjarjeve të njohura dhe të panjohura. Është për të ardhur keq, se ende pas 71 vitesh të çlirimit të vendit, ka një zell kaq të madh të treguar për fetishizmin e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, saqë shkohet deri në absurd. Është tejet e rrezikshme vendimi i marrë preh qeverisë shqiptare, për të ngritur një grup pune që do të punoj për një histori zyrtare të Shqipërisë, kur ndërkohë, Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, ka burime njerëzore, mjaft të çmuara në këtë drejtim dhe të specializuar në këtë fushë. Po ashtu është krejtësisht e pakuptueshme, që qeveria shqiptare të akordoj një mbështetje financiare për veteranët e luftës mbi 65 vjeç, ndërkohë që vendi është çliruara para 70 vitesh. Është e pakuptimtë që ngjarje si Kongresi i Dibrës i mbajtur më 1909, apo Kongresi i Dytë i Manastirit as që janë ndonjëherë në agjendën e punës së institucioneve që merren me trashëgiminë kulturore të vendit.

Figurat politike, kulturore, të mendimit filozofik sociologjik, doemos që mungojnë totalisht. Është e vështirë të gjesh një Konferencë, simpozium, përkujtimore, për mendimin e Mehdi Frashërit, Branko Merxhanit, Mitrush Kutelit dhe rolin e tij në fushën ekonomike, Mit’hat Frahsërit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Tajar Zavalanit e me radhë. E përse ndodh e gjitha kjo? Sepse ne kemi më shumë kohë dhe leverdi të kapim suksesin e kombëtares e ta çojmë në zenit (që padyshim e meriton), pasi mund të na japi më shumë vota, sesa të harxhojnë kohë, para e mendje për njerëz që meritojnë të paktën të përkujtohen njëherë në këtë jetë, por që nuk ngrenë shumë peshë në politiken e sotme.

Nuk e di sesa do të vazhdojmë që historinë ta vemi në shërbim të politikës, apo politikën në shërbim të historisë, por një gjë të sigurt e kam: Me këtë mënyrë sjellje që tregojnë ndaj historisë, nuk është çudi që të mbetemi shumë shpejt peng i legjendave dhe të pavërtetave që do të na trumbetojen, si arritjet më të mëdha të historisë së shqiptarëve.

Share: