Home POEZI IKJE ZOGJSH NGA FOLEZË E SHPIRTIT

IKJE ZOGJSH NGA FOLEZË E SHPIRTIT

Nga Odise Plaku

Fluturojnë zogjtë një nga një nga pema e jetës sime,
në qiell dashurie krahët përplasin e lart ngjiten,
njëri-tjetrin ndjekin e në çerdhe të re ëndrrat thurin,
e vjetra mbetet e braktisur në degë të zemrës sime.

Këngën e trishtimit ua dëgjoj teksa shtegtojnë,
e mbyll portën dhe në qoshen e vetmisë sime dremitem,
nga dhimbja pyllin dredh si cigare me duart skeletike
trishtimi tymoset nga buzët dhe me retë bëhet i pandarë.

Era kanatet përplas, se inatin nuk di kujt t’ia nxjerrë
që krahët zogjve nuk ua preu kur u nisën e shkuan.
Keqardhjen time nuk ua tregoj pse të vetëm më lanë,
në qelqe sqota shiu kokën hanë e lëpirë pa jetë shkojnë.

Në cep të rrugës mbi gurin e ftohtë përsëri zë vend,
në sytë e mjegulluar qiellin përpij në heshtje pak nga pak.
Nuk ka cicërima zogjsh, veç stinë gjetherënëse përqark,
mashtruar nga dielli një trëndafil çel petalet në kraharor.

Share: