Home KRYESORE KUÇUMELE

KUÇUMELE

0

Nga Rudina Cupi

Lugë e futur në gotën e qumështit të nxehtë që të mos plasë je Ti,
Ti ngjit rreth vetes ngrohtësinë time
si çika letrash të elektrizuara në krehër.
Futu në ditët e mia ku rendin përreth elektrone të këqija,
qëndro si direk të kapem pas teje si rrobë me ngjyrë
e të valëvitem lumturie se motiv të kam
të mos ndihem e vogël si një fjalë e rrallë, në një fjalor të madh,
fjala “Kuçumele” – markë e teshave të brendshme.
 
Sidomos netëve,
kur errësira si syze e errët i fsheh sytë, por ngreh prekjet,
kur duart mbledhin dëshirat si kokrra idesh në degë,
kur veshët, si bimë insektengrënëse kapin pëshpërimat,
mund të ndjej të kashtisemi si dy lëngje të një tretësire
të shijoj me ty dhëmb për dhëmb një çokollatë të zezë
që shkrihet nga ngrohtësia e buzëve të përvapëta,
të pi qiellzë më qiellzë një gllënjkë të purpurt vere,
të babëzitem pas nënsqetullave të tua,
të ulem të të nuhas erën e fundteje
bërë e rëndë si kokrra që mban dhemiza
të shndërrohemi puthitur
si dy mentesha në lëvizje që këlthasin nga era
e të biem pastaj plasur përdhe
bërë copash si qelqe me verë.

 

Share:
Reklama juaj