Home KRYESORE Mbaji…

Mbaji…

Nga Perparim Kabo

Mbaji ti gishtat e mi, dhe preke
të panjohurën
Kërko mes netëve faqe kujtimesh
që mos humbin
Me gishtat e mi përkëdhele xhamin
e lagur
Preki bulat e shiut të viteve që
do të vijnë…
Unë do ndjej se jam aty…mes brymës
së buzëve
ashtu si një hije e malluar
e mungesës vajtuese
Mbaji ti gishtat e mi dhe luaj
për tingujt enigma
Në ajrin e ngopur nga dashuria
shkruaj me to
ato faqe të bardha letre
që ishin krijuar nga mushkria
ime e frymës
Thjesht vëri gishtat mbi to e fjalët
do vijnë nga larg
Do jenë këngët e mia të pasme
këngë të reja
e të vjetra
Do jem unë djalë plak e frymë
me… gishtat e krijimit
Mbaji ti gishtat e mi që të numurosh
yjet e qiellit
E ndalu tek ylli me emrin tim
atje të pres
Drejtohu me gisht dhe fëmijëve
që lodrojnë aty pari
thuaji…
Ja një yll që i la gishtat tek unë

PK 15 tetor 2015

Share: