Home KRYESORE Misioni i arsimit është të prodhojë koka plot apo kunguj bosh?!

Misioni i arsimit është të prodhojë koka plot apo kunguj bosh?!

Nga Ergys Mertiri

A mund të na thotë Kryeministri dhe Ministrja Nikolla se cili është misioni edukativ e formues në këto aktivitete qe organizojne shkollat? Çfarë dobie përfiton nxënësi në kremtimin e një feste të tillë, simbol i deformimit kulturor të prodhuar nga konsumizmi dhe globalizimi? Si mundet të përputhet misioni i institucioneve që janë ngritur për të kultivuar dijen dhe racionalitetin siç është shkolla me modele të tilla që promovojnë heqjen dorë prej të menduarit, duke ofruar një hare pa motiv të krijuar nga parada banale kafkash, skeletesh e kungujsh?! Misioni i arsimit është të prodhojë koka plot apo kunguj bosh?!

Fëmijët tanë rriten në institucione parashkollore ku shohin gjithë ditën televizor, në të cilat nuk lenë këngë turbofolk pa mësuar, shoqëruar me imazhet perverse të ekranizimeve vulgare të porno-klipeve shqiptare. Më tej, që në moshë të hershme, fëmijët frekuentojnë pabet dhe diskot, në mënyrë të organizuar nga shkolla, përgjatë ekskursioneve apo edhe festave rinore, pavarësisht nëse këto argëtime kanë apo jo lidhje me moshën e tyre dhe me procesin e formimit që ka për qëllim shkolla. Në mjaft raste, edhe shkollat 8 vjeçare festojnë Shën Valentinin, ose të paktën përfitojnë nga rasti për të bërë mësim me orë të shkurtuara.

Thelbi i problemit qendron tek autoriteti i mësuesit, i përmendur shkarazi edhe nga Kryeministri. Por si mund të forcosh atouritetin e mësuesit, kur ti e përdor atë si dordolec roje, në hardallosjet kolektive të adoleshentëve nëpër pub-e?! A mund të thuash se i jep mësuesit dinjitet, kur e detyron të shoqërojë nxënësit në aktivitete pa kuptim, duke e ngujuar atë në shërbim të qejfeve banale të adoleshentëve?!

Share: