Home KRYESORE Nga kush kërcënohet siguria kombëtare në Shqipëri?

Nga kush kërcënohet siguria kombëtare në Shqipëri?

Nga Mentor Kikia

Mjafton ta lexosh me vëmendje letrën, që deputeti Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të komisonit parlamentar për sigurinë kombëtare, u ka dërguar krerëve më të lartë të shtetit dhe drejtësisë, për tu bindur se në këtë vend gjërat janë shumë më keq nga ç’mund ta mendojmë. Për dy javë rresht, media, politika dhe institucionet u investuan me kohë të plotë pune lidhur me paralajmërimet që deputeti i LSI-së bënte për destabilizimin e vendit, prej dy politikanëve, tashmë të shpallur heretikë, Tom Doshi dhe Dritan Prifti. Autori(ët) u kujdesën që nga letra, të bëhet publike aq sa të mjaftonte për të prodhuar zallamahinë për rrezikun e madh që i kanosej vendit dhe letra e plotë doli vetëm dy ditët e fundit.
Deputeti Braho u drejtohet zyrave më të rëndësishme të shtetit me një paralajmërim për destabilizimin e vendit, duke thënë se “nga burime të sigurta është duke u përgatitur një skenar ogurzi, që synon shkaktimin e kaosit dhe destabilizimin politik të vendit”. Dhe sipas Brahos, e gjithë gjëma do të ndodhte sepse Tom Doshi dhe Dritan Prifti po i mbushnim mendjen(me presione e oferta) gruas se Kastirot Ismailajt të jepte intervista kundër Ilir Metës, për çështjen CEZ-DIA. Në këmbim ata do ta ndihmonin që bashkëshorti i saj të dilte nga burgu(nuk duket shumë si kërcënim kjo). Duke mos harruar madje të shënonte se garancinë për lirimin nga burgu të Ismalijat, ata e kishin si nga Rama ashtu edhe nga Basha, me qëllim që të vrisnin politikisht Ilir Metën.
Në fakt ajo që shkruan Braho mund të ketë qenë tërësisht e vërtetë. Politika shqiptare kështu funksionon. Ajo është si një fole grerëzash dhe të gjithë bëhen me të gjithë kundër të gjithëve, në një lojë kulisash, ku s’ka asnjëherë garë të ndershme, por vetëm pazare të pista, prapaskena e skuthërira. Pra që Tom Doshi dhe Dritan Prifti duan t’i bëjnë gropën Ilir Metës, kjo ska asnjë dyshim, pasi këtë ata e kanë pohuar edhe publikisht sa herë u ka dalë në shteg. Por e tmerrshmja në këtë cështje është përdorimi skandaloz që i bëhet shtetit për llogari të politikës së skutave. Një deputet i vjetër, pa iu trembur asgjëje, shpërdoron vulën e komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare dhe shndërron në cështje të sigurisë kombëtare luftën politike të partisë së tij me partitë e tjera, apo me aktorë që tashmë i përkasin pjesës së errët të politikës shqiptare.
Saprtak Braho duhet ta dijë se lufta politike mes Tom Doshit, Dritan Priftit dhe Ilir Metës, mes Ilir Metës e Lulzim Bashës, apo Ilir Metës e Edi Ramës, nuk është çështje kombëtare, madje është një çështje që po i intereson gjithnjë e më pak publikut, të cilit i është neveritur e gjithë kjo gjellë e ndyrë që gatuhet nëpër bodrumet e zyrave të partive. Për me tëpër akoma, në letrën e tij Spartak Braho nuk bind askënd se ku dhe si do të kërcënohej siguria kombëtare në këtë rast, edhe sikur Tom Doshi dhe Dritan Prifti ta bindnin gruan e Ismailjt të jepte intevista kundër Ilir Metës. Ndoshta Braho mund të mendojë se rënia e Ilir Metës nga pushteti, apo goditja e tij politike,(sipas informacioneve ogurzeza që ka ai) është e barabartë me rënien apo kërcënimin e sigurisë kombëtare, por nuk besoj se ka shumë shqiptarë që mendojnë kështu.
Spartak Braho, thjeshtë, për interesat e Metës dhe të tijat që janë lidhur pazgjidhshmërisht me të, e shpërdoroi detyrën e kryetarit të komisionit të sigurisë për të ngritur stuhinë e madhe me të cilën u morën të tërë për nja dy javë të mira dhe që, ndoshta, edhe e parandaloi “skenarin orgurzi” të shkonte deri në fund. Prokuroria, që ka hapur edhe një hetim, duhet ti shkojë deri në fund atij hetimi për të zbuluar nëse ka elementë të veprës penale në këtë letër, që alarmoi tërë vendin dhe shtetin. Ne jemi mësuar që Braho lëshon silurë, që trazojnë shoqërinë dhe shtetin, saherë punët e nëndheshme PS-LSI nuk janë mirë, por ky popull i lodhur dhe i stresuar nga hallet tij, nuk i ka asnjë borxh LSI-së dhe Brahos.
Shqetësimi ynë nuk është se, prej kësja letre, ne mësojmë se si bëhet politika në këtë vend, pasi këtë e dimë, por shqetësimi, që është më ogurzi se shqetësimi i Brahos, është përdorimi i institucioneve të shtetit për prapaskenat e zeza të politikës.
Më e fundit doli në dritë në denoncimin e KLSH-së për ministrin Gjinkuri, lidhur sërish me cështjen CEZ. Në seancën plenare të së enjtes, të dyja palët ishin dakord që KLSH kishte hartuar një raport të porositur politikisht, për të goditur një ministër dhe bashkë me të edhe mazhorancën. Por palët u ndanë mes tyre tek porositësi(mendoni pak, edhe gjuha që përdoret i ngjan asaj të mafias… porositësi i vrasjeve, porositësi i videos, porositësi i raportit). PS mendon se raportin e KLSH-së e porositi PD(Berisha) për të sulmuar qeverinë, ndërsa opozita mendon se raportin e porositi Meta për të goditur Ramën, përmes Gjiknurit.
Korrupsioni dhe ikriminimi duket se kanë kaluar çdo cak në këtë vend. Dhe vendi duket se është vërtet në rrezik, por jo nga gruaja e Kastriot Ismailajt, por nga përdorimi i shtetit për llogari të luftës politike, duke i përdorur institucionet për prapaskenat e errëta që politikanët i kurdisin njëri-tjetrit.
Më zi nuk ka qenë ndonjëherë…

Share: