Home KRYESORE “Pro” Evropës “para” apo “pas” hitlerike?

“Pro” Evropës “para” apo “pas” hitlerike?

Nga Rezart Palluqi

Përse qahemi ne shqiptarët xhanëm? Ne jemi bërë prej kohësh  evropianë. Ne jemi të  anëtarësuar në Evropë. Ne jemi këtu e njëqind  vjet evropianë hitlerikë. Ndryshimi i vogël është, se Hitleri vrau të huajt, ndërsa ne vramë dhe i vodhëm oksigjenin e lirisë bashëkombasve tanë.  Por qëllimi i kësaj eseje është që NE të braktisim Evropën tonë hitlerike dhe të kalojmë në Evropën ”“pashitlerike.   

Sa herë që politik dhe drejtësibërësit shqiptarë dështojnë ose refuzojnë ta bëjnë Shqipërinë më humane, ata derdhin qindra tonelata të reja me mjegull rreth ëndrrës sonë evropiane. Atëherë, Evropa, merr një fytyrë përbindëshore dhe aryset e mospranimit tonë në familjen evropiane ia mveshin asaj. Atëherë lind pyetja: Çfarë ruan në barkun e saj sa magjik aq edhe të mallkuar Evropa për ne? Ose: çdo të thotë Evropa në shembuj konkretë për shqiptarin? Çfarë përfitojmë ne prej saj?  Çfarë humbim ne prej saj?

Kam dy përgjigje për ju. E para, sipas mendimit tim,  Evropa s’është për ne veçse një pasqyrë e cila ka si qëllim që ne të zbulojmë aty dobësitë tona psikologjike dhe shpirtërore.  Ajo luan rolin e një kujdestari stimulues ndaj një njeriu ose populli në qorrsokak. Pra, ajo shpreson qe ne të gjejmë vetveten, sepse fill më pas, ne do ta duam vetveten më shumë dhe vlerësojmë ashtu siç duhet pasuritë që ruan toka shqiptare në   barkun e saj. Përgjigja e dytë është: ne nuk e kemi nevojë Evropën. Kjo përgjigje mund të tingëlllojë në veshët e lexuesve të kësaj eseje mjaft provokative, por edhe hoxhiste. Për të tretur çdo lloj spekulimi të tillë, po argumentoj përse dhe si është e mundur kjo?

Po jap së pari një përgjigje të shkurtër: Evropë do të thotë që ne ta duam vetveten në maksimum, pa rrëshqitur në egoizëm patologjik apo nacionalizëm mesjetar.

Kush na pengon ne që të duam shtresat e dobëta e krijojmë atyre lehtësira në jetë, duke u ofruar kompensime financiare? Pa dyshim që Evropa jo!

Kush na pengon ne që të luftojmë korrupsionin kombvrasës? Natyrisht që Evropa jo!

Kush na pengon ne, që të dënojmë malin me  krime të tiranëve shqiptarë? Pa asnjë grimë  dyshimi, që Evropa nuk bëhet pengesë.

Kush na frenon ne që të minimizojmë dhunën e policëve ndaj të arrestuarve, dhe përmirësojmë kushtet e jetës së të burgosurve në burgje? As që nuk diskutohet se Evropa nuk ka gisht këtu.

Kush na pengon ne, që të kemi respekt për rracat me ngjyrë, ose minoriteteve që jetojnë në Shqipëri? As që bëhet fjalë, që Evropa këtu të ndikojë për keq.

Kush na pengon ne, që  sistemi i drejtësisë të funksionojë i pavarur nga politika dhe nga klanet mafioze të biznesit shqiptar?  Edhe këtu Evropa nuk ka gisht të drejtpërdrejtë. Kaosi aktual juridik dhe fiskal shqiptar, u intereson atyre biznesmenëve evropianë, të cilët gjithnjë kërkojnë vende mjaft të korruptuara, për të investuar atje dhe shmangur detyrimet e tyre tatimore. 

Kush na pengon ne, që pasuritë tona minerale, natyrore dhe intelektuale t’i përdorim për të krijuar një shoqëri me një varfëri sa më të vogël dhe klasë pasunike që kontrollohet nga shteti me qëllime humane? Pa dyshim qe edhe këtu Evropa nuk mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë.

Kush na pengon ne, që firmat e huaja që i hedhin rrënjët e tyre tregtare në Shqipëri, t’i detyrojmë që t’u paguajnë punëtorëve shqiptarë rroga të mira dhe mbulojnë atyre sigurimet shoqërore, si dhe paguajnë deri në qindarkën e fundit, tatimet shtetit shqiptar? Pa dyshim, që edhe këtu, nuk mban përgjegjësi Evropa.

Mund të vazhdoj me qindra shembuj të tillë. Rrjedhimisht, nëse ne shqiptarët, do të gjenim forcën të përmbushnim të gjitha detyrimet e lartpërmendura, ne nuk do ta kishim nevojë Evropën. Përkundrazi, ajo do të na kishte nevojë ne. Për fat të keq, ne, nuk jemi në gjendje as të kopjojmë. Ose nuk duam të kopjojmë ato modele ekzistuese ligjore, kulturore apo financiare evropiane, që do të na bëjnë më të qytetëruar. Ne nuk po na kërkohet pra, që të shpikim sisteme të reja qytetëruese. Nëse do ta krahasoja anëtarësimin tonë evropian me provimet universitare të një studenti, ne mund të kopjojmë gjithë ditën studentin evropian. Ndërsa studentit, për të bërë një maturë, jo vetëm që nuk i lejohet të kopjojë, por duhet të shpikë një model të ri arsimor; një metodë të tij krejt origjinale e cila do të përdorej/ndiqej më vonë në praktikë për të zgjidhur disa probleme shoqërore të natyrave të ndryshme.

 Politik-bërësit shqiptarë, sa herë që dështojnë t’i japin një fytyrë humane dhe bëjnë Shqipërinë një vend të jetueshëm, nxjerrin nga xhepi i tyre mesjetar,  fytyrën e Evropës përpara Luftës së Dytë botërore. Atëherë, ata, e mallkojnë Evropën si një kurvë plakë, të padrejtë; ndaj nesh, vrastare. Po! Është e vërtetë, se ajo ka qenë e tillë ndaj nesh. Por këtu  parashtrohet direkt pyetja: cila Evropë na qorton ne herëpashere dhe na refuzon SOT, në sofrën e saj? Evropa para-hitlerike, ajo mbas hitlerike? Natyrisht, që është Evropa PAS-hitlerike, e cila, me të mirat dhe të metat e saj, ka bërë mjaft që popujt e saj, të jetojnë mirë dhe gëzojnë një liri relative. Ajo na kërkon që ne t’i ngjajmë asaj në gjërat themelore. Fatkeqësisht, ne, vazhdojmë të sillemi ndaj vetvetes njëlloj me Evropën para-hitlerike.

Prej sa thashë më sipër, mund të konkludojmë se ne na duhet fort Evropa, më shumë si një shembull pozitiv se sa si një shkop magjik që do të zgjidhte të gjithë problemet tona. “Gomarin e nxjerr nga balta i zoti” ”“ thotë fjala e urtë. Evropa, tashmë e ka kuptuar se ne duhemi trajtuar si një gomar kokëderr, që mund ta nxjerrësh nga balta, vetëm nëse ia lidh litarin në qafë dhe e tërheq me dhunë prej andej. Por, edhe kjo rrugëzgjidhje nuk do të jepte rezultatin e shumdëshirueshëm. Ngaqë gomari me të gjetur ratin më të parë do t’i ngulte thundrat përsëri shumë thellë në llucë.

Më vjen për të qarë kur mendoj se kemi humbur 75 vite të arta për t’u bërë më në fund një popull njerëzor dhe i pjekur. Vajtoj për treçerek shekullin paqësor në ish Evropën-  njerkë që  ne nuk e kemi shfrytëzuar për të ecur me këmbët tona. Përkundrazi, ne  vazhdojmë të luhatemi midis dashurisë dhe urrejtjes evropiane.  Për të gjithë ata shqiptarë që koncepti Evropë i turbullon, huton dhe bën ata të mos e dinë më se ku i kanë këmbët, këshilla ime është: harroje ëndrrën evropiane, por përpiqu të fuqizosh vlerat e kërcënuara që përmenda më lart në formën pyetsore.  Sepse atëherë, nuk kanë ku tia mbajnë politikanët tanë vrastarë dhe të pafytyrë. Merruni pra me anën praktike të Evropës, dhe mos u vithisni në debate historike, sepse atëherë, do të ngatërroni këmbët.

Tekefundit,  humanizmi dhe dashuria për vetveten dhe njeriun në përgjithësi nuk lindi në Evropë. Edhe nëse ka lindur, ajo e ka përdhosur atë me qindra herë.

Prandaj, i dashur bashkëkombas shqiptar, Evropa nuk është as enigmë, as gjëegjëzë. Evropë, do të thotë, që drita njerëzore shqiptare, të burojë nga brenda-jasht. Nëse mendon, se këtë nuk mund ta bësh dot, atëherë, ule kokën, mëso dhe pranoje dorën evropiane që këtu e 70 vjet të mban pasqyrën përpara syve tuaj sa të egërsuar, të dëshpëruar dhe izoluar. Në të kundërtën, do të jeshë i destinuar të izolohesh në llucën kriminale, dhe hashë për shekuj shkelmin e gomarit dhëmbëve. Evropën, pra e keni vetë në dorë.

Jam/jeni të lirë të zgjedh/zgjidhni për Evropën para-hitlerike ose atë pas-hitlerike.

Natyrisht që këtë liri do ta keni, për aq sa kohë, në Evropë, nuk do të lindë një Hitler i ri. Në një precedent/ndodhi të tillë, ne nuk kemi se çfarë të humbasim prej Evropës, ngaqë hitlerët shqiptarë ne na kërcejnë përpara hundës.

Ajo që kemi humbur me siguri, është Evropa pas-hitleriane. Ajo Evropë, ku prehet qytetërimi ynë i ëndërruar prej shekujve. Evropa të paktën, di të lindë edhe Hitlerë, por edhe Bismarkë, Xhon Kendi, ndërsa NE, për fatin e keq, pjellim nëntë Enver Hoxhë dhe një Skënderbe apo Ismail Qemal!! Dopje gjashtën, e kemi NE në dorë pra, dhe jo Evropa, sepse ajo, i ngjan njeriut universal që di të bjerë në humnerë, por di po aq gjenialisht të dalë prej saj dhe ndërtojë qytetërime të madhërishme!!

Po ne shqiptarët, kur do të mësojmë të rrëshqasim në humnerë dhe dalim prej saj më të rritur mendërisht dhe shpirtërisht?

 Rezart Palluqi

Holandë, tetor 2015

Share: