Home KRYESORE Sa e vështire te ecësh te “Myslym Shyri” dhe “Jul Variboba”…

Sa e vështire te ecësh te “Myslym Shyri” dhe “Jul Variboba”…

Nga Gresa Hasa

Pas gropave të “Myslym Shyrit”, në ditë me shi, rruga ime e preferuar është “Jul Variboba” (ku gjendet kafe-librari E7E). Që të kuptohemi: trotuari nuk është i ngushtë – anash ca kërcunjve shtrembanukë janë shtruar një hap pllakë majtas dhe një hap pllakë djathtas. Nëse je me fat dhe asnjë laco nuk e ka parkuar Land Rover-in në hapësirën mes kërcunjve, mund të hidhesh matanë me ndonjë pirruetë amatore. Por sigurisht ky fat i bardhë s’para më shoqëron sepse përveç (disa) katër-rrotakëve të lacave, përpara kam edhe një tufë pjeshkash që ecin dyshe-dyshe, bëjnë selfie, ulërasin për flokët e piastruara dhe nuk shohin fare, po FARE!

Një çasti kur njëra prej tyre vendos të ndalojë sepse e kanë kapur krizat e zgërdhirjes, për të shpëtuar syrin e majtë nga cepi i çadrës së pjeshkës, hidhem një hop në rrugën kryesore. Këtu kalojnë njëherësh: një Speed Taxi, dy furgona dhe një Mini Cooper. Të gjithë i bien me rradhë borive. Pjeshkat tremben e vijojnë të ecin. Unë kthehem në trotuar dhe pas këtij sikleti mbushem me frymë dhe llogaris shpejtësinë e makinave tek rruga e Elbasanit dhe aftësinë time për të kaluar matanë si në ndonjë skenë GTA-je.

Share: