Home KRYESORE Sfidat e kronologjisë së fillesave të nacionalizmit në Shqipëri

Sfidat e kronologjisë së fillesave të nacionalizmit në Shqipëri

Nga Dorian Koci

Studimi i nacionalizmit ndër shqiptarët paraqet vazhdimisht sfida. Pikëpyetje të mëdha ngrihen përsa i përket përqafimit të tij nga popullata shqiptare pasi asnjë nga skemat e njohura të studiuesve nuk u përshtatet zhvillimeve kulturore dhe politike të zgjimit kombëtar të shqiptarëve. Pothuajse në të gjithë literaturën ekzistuese rreth lindjes dhe shfaqjes të nacionalizmit mes shqiptarëve nënvizohet fakti se kjo rrymë pati vështirësi për tu përqafuar nga ta dhe se u zhvillua më vonë se në etnitë dhe popullsitë e tjera të Ballkanit. Në këtë përcaktim dhe konkluzion arrihet duke pasur parasysh faktin se shqiptarët formuan të fundit shtetin e tyre kombëtar në Ballkan dhe se procesi i formimit të kombit shqiptar rrjedhimisht ishte më i ngadalshëm.

Ky konstatim sigurisht që mbulon një pjesë  të së vërtetës por duhen nënvizuar disa aspekte që meritojnë vëmendje, të cilat përpiqen që nacionalizmin dhe zgjimin kulturor te shqiptarët ta shtyjnë përtej datës së dërgimit të letrës së Naum Veqilharxhit, nipit të vet Jani Cales, datë dhe letër që përgjithësisht nga historiografia zyrtare shqiptare mbahen si datat e fillimeve të zgjimit kulturor të tyre dhe vitit 1878, vitit emblematik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që mbahet si viti i shprehjes së nacionalizmit shqiptar. Kështu p.sh studiuesi Dritan Egro në artikullin e vet “Rrënjët e Nacionalizmit Shqiptar” duke u nisur nga një ngjarje e shënuar e afirmimit të kombësisë shqiptare si ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit nënvizon faktin se zhvillimet politike ndërkombëtare që çuan në krijimin Lidhjes së Prizrenit nxorën në pah një nivel të avancuar jo të mendimit, por të veprimit politik të nacionalizmit shqiptar. Kjo na bën të mendojmë se format më të hershme të tij duhet t’i kërkojmë edhe më herët. Gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli shënohet atëherë kur një individ apo një grup individësh shpallin se ai komb ekziston dhe ai/ata individë marrin përsipër ta provojnë një realitet të tillë. Pra, gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli lind kur lind mendimi politik për të jetuar më vete, kur lind ideja e mëvetësisë kombëtare.[1]

Pikërisht kjo ndarje midis mendimit dhe veprimit besoj se është thelbësore për të trajtuar fillesat e nacionalizmit shqiptar, parë kjo dhe në një rrafsh krahasues sidomos me zhvillimet e Revolucionit Grek, si revolucion që tronditi gjithë botën Ballkanike. Pas këtij zhvillimi të vrullshëm që po kalonin territoret greke që po fitonin pavarësinë prej Perandorisë Otomane, natyrshëm shtrohet pyetja se në se statusquo-ja politike ndryshon si rezultat i një konstelacioni të ri politik, është krejt e natyrshme që elementët e çdo grupi të caktuar etnik brenda një formacioni shtetëror multietnik të tentojnë të vënë në pah ato elementë që ata i bashkojnë, madje të shkojnë edhe më tej, duke insistuar për të ekspozuar veten si një grup me veçori të spikatura, të ndryshme nga të tjerat, për më tepër nga fqinjët, duke e bërë atë të jetë sui generis. Është logjike të mendosh që vetëm kështu çdo grup etnik të luftojë për të siguruar mbijetesën, madje në kushte optimale të aspirojë edhe për sundim mbi fqinjët.[2]

Të njësosh mendimin me aksionin politik si bëjnë disa studiues të huaj që kanë studiuar nacional shqiptar si Nathalie Clayer dhe Nura Bozbora përkatësisht në veprat “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” dhe “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane” është njëlloj si të thuash se nacionalizmi në Greqi lindi në vitin 1821 dhe të përjashtosh një periudhë disa vjeçare para kësaj date që e analizuam më lart.

Një mendim interesant ka shprehur dhe studiuesi e publicisti Tajar Zavalani në artikullin e tij “Albanian Nationalism,” të botuar në përmbledhje artikujsh “Nationalism in Eastern Europe” dhe të përmbledhur dhe edituar nga Peter Sugar dhe Ivo John Lederer në 1969. Është interesant fakti që Zavalani është i pari që tregon se rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen kërkuar në periudhën e pashallëqeve. Përmes një analize të kujdesshme të Historisë së Shqipërisë, rrafshit ballkanik dhe konfigurimit të raportit të forcave të Fuqive të Mëdha, Zavalani mbështet tezën që rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen kërkuar në vetadministrimin e Pashallëkëve shqiptare dhe  në kundërvënien e tyre me pushtetin otoman qendror. Sipas Zavalanit, ata( Ali Pasha Tepelena dhe Bushatlliu) bënë të mundur të bashkojnë për dekada me radhë pjesë të konsiderueshme të vendit nën një administratë të përbashkët, të nënshtronin partikularizmin e një numri të shumtë të feudalëve lokalë,  të organizonin klane nga besime të ndryshme fetare për të bashkëpunuar në kohë paqeje dhe lufte mes tyre. Edhe pse përdornin metoda të ndryshme, të dy, Aliu dhe Bushatlliu i mësuan bashkëpatriotet e tyre avantazhet e një qeverie të centralizuar, dhe duke udhëhequr myslimanët në beteja kundër Sulltanit Kalif ata shkatërruan me sukses besimin se çdo mysliman ishte një turk me interesat e përfaqësuara më mirë nga Porta e Lartë. Solidariteti lokal përtej niveleve klanore u shfaq në Shqipëri nën udhëheqjen e tyre. Ky precedent, ndonse ishte i një rëndësie të përkohshme për kohën, u bë e rëndësishme një gjysëm shekulli më vonë kur Ali Pasha dhe Bushatllinjtë u bënë heronj në sytë e nacionalistëve shqiptarë të cilët i panë përpjekjet e tyre si manifestime të hershme të nacionalizmit.[3]

  Kjo pikëpamje e tij është origjinale pasi nuk gjendet as në Historinë e Shqipërisë së botuar nga Instituti i Historisë, Vëllimi I dhe II 1959, por as në “Zgjimi nacionalist shqiptar” i Stavro Skëndit botuar në Princeton në 1967. Gjithsesi deri më tash nuk ka akoma fakte bindëse për të mbrojtur këtë tezë dhe ndoshta një studim më i thelluar i dokumentacionit edhe në gjuhët osmanishte, greqishte sllavishte do të hidhte më shumë dritë mbi këto çështje të debatuara si p.sh dokumenti që përmend historiani dhe studiuesi Egro në artikullin e vet të shkruar nga gjyshi i Ismail Qemal Vlorës. Interesant në këtë letër është fakti që përveçse fjalisë të “mblidhemi për të diskutuar rreth avenirit të vendit tonë” fill pas zhvillimeve të konfliktit të zgjatur greko-otoman,  është dhe përdorimi i termit vatan nga një term tradicionalisht i përdorur në gjuhën politike të Islamit në kuptimin atdhe i myslimanëve (homeland of muslims), në këtë dokument përdoret me kuptimin atdhe kombëtar (patria). Ndoshta ky dokument është nga të parët në gjuhën politike osmane kur ky term pëson një ndryshim të tillë semantik.[4]

Ekzistenca e këtij dokumenti, i shkruar nga një përfaqësues i denjë i elitës shqiptare myslimane të kohës hedh dritë dhe mund të fillojë të dekonstruktojë  një klishe që është vërejtur në studimet rreth nacionalizmit të shqiptarëve , ku zakonisht zgjimi kombëtar dhe kulturor  është parë më së pari në pjesët e popullsisë shqiptare që i kanë përkitur besimeve kristiane dhe më vonë në ato që i përkisnin besimit islam. Kjo tendencë për ta parë zgjimin kulturor dhe aksionet politike të shqiptarëve në këtë lloj mënyre shpesh herë ka theksuar partikularizmin e ndjenjës nacionale dhe identitetit kombëtar të popullsisë shqiptare sesa unitetin shpirtëror që mesa duket zotëronte kjo popullsi, përderisa në fillimet e shekullit të XX mundi të krijonte shtetin e vet kombëtar të bazuar në modelin e shtetit komb dhe të inspiruar nga nacionalizmi.

Për shkak të zhvillimeve të mëvonshme të shtet ndërtimit të shqiptarëve ku ideja e kombformimit më tepër u pa si një aksion i grupeve dhe elitave të lidhura me Europën duke përjashtuar evolumimin e cilësive shtetformuese të elitës shqiptare të Pashallaqëve dhe influencës së ligjërimit orientalist të dëshmive të udhëtarëve të huaj, ato u panë si pushtete politike që ushqyen despotizmin oriental dhe mbartës vesesh e prapambetje mes shqiptarëve . Një rast tipik në mendimin politik e historiografik shqiptar që nis në vitet 30’ dhe evolon deri në fund të viteve 60’, është vepra publicistike,historike e teorike e Tajar Zavalanit.

Në fillim të viteve 30’ Zavalani shkruante se Ali Pashë Tepelena u bë eksponent i satrapizmës feudale dhe u rebelua kundër Sulltanit. Bushatllinjtë në Shkodër kundërshtuan po për ato shkaqe. Le të mos vij dikush e të na thotë se këta udhëhiqeshin nga një ide shqiptare. Prova është se kur grekërit i propozuan satrapit të Janinës t’u printe luftën kundër Sulltanit, ai u përgjigj se nuk kish ndërmend të ndahej prej “babe”, por vetëm nuk i pëlqenin reformat…sepse e dëmtonin finaciarisht. [5]Më tej ai sqaron se rebelimi i krerëve feudalë shqiptarë me në krye Ali Pashë Tepelenën, ishte rezultat i kundërshtimit të reformave që po ndërmerrte Perandoria otomane sesa një revoltë me sfond nacionalist. Qendralizmi adminstrativ dhe fiskal, mbledhja e taksave nga ana e nëpunësve direkt të Bab Alisë, zhdukja e spahillëkut, vendosja e garancive juridike, me një fjalë të gjitha reformat e dekretuara me Tanzimatin nuk u pëlqenin feudualëve shqiptarë të mësuar të ushtrojnë mbi krahinat e veta një pushtet të pakufizuar.[6] Pra si shikohet,  ka një kapërcim të madh në gjykimin për periudhën e Pashallëqëve që shkon  nga rezistencë antireforma në fillimet e viteve 30’ dhe gjykimit për rrënjët  e nacionalizmit në mendimin historik të Zavalanit në vitin 1969. Pavarësisht këtij gjykimi pozitiv për Pashallëqet shqiptare në 1969,  si mbartëse primordiale të nacionalizmit shqiptar, duket se Zavalani nuk i ka shpëtuar tendencës së një njësimi historiografik që ka egzistuar dhe në shkrimin e historisë në Shqipëri kur thekson se zotëruesit e Janinës dhe Shkodrës nuk ishin nacionalistë. Madje dhe patriotizmi i tyre mund të vihet në pikëpyetje, megjithëse e bënë zakon të bëheshin shqiptarë kur i përshtatej qëllimit të tyre. Pa dyshim motivi i tyre kryesor për veprim ishte epshi për pushtet dhe pasuri.[7] Gjithësesi pas këtij përcaktimi nënçmues për elitën e Pashallëqeve, ku i shikon  më tepër si pricër feudalë të prapambetur  mesjetës së hershme sesa si princër feudalë që aspirojnë bashkimin dhe administrimin e vetëm të zotërimeve të tyre, duket se Zavalani i vlerëson sërish kur nënvizon se çdo studim i nacionalizmit shqiptar në kohët moderne duhet të fillojë me ta[8].

Mirëpo, pavarësisht këtij sugjerimi të Zavalanit, dokumentat historike që disponojmë nuk mund të flasim se Ali Pasha Tepelena përqafoi instrumentet e nacionalizmit siç i shikojmë më vonë në themelimin e shteteve kombëtarë[9], por mund të flasim për lindjen e një epoke protonacionaliste e cila lindi nën ndikimin e një ndryshimi  thelbësor që pësoi  territori i pronës i private dhe shfrytëzimi i saj, në kalimin nga sistemi i timarit në atë të çifligut, gjatë sundimit të tij. Me protonacionalizëm nënkuptojmë situatën e re sociale që krijohet me zëvendësimin e kategorive të vjetra shoqërore  me parime të reja organizimi shoqëror dhe daljen në pah të treguesve tradicionalë të formimit të bashkësisë si gjuha, etnia dhe besimi fetar.[10]

Konstatimi historiografik i Tajar Zavalanit hedh më tepër dritë mbi ngjarjet e mëvonshme historike të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pjekurisë dhe maturisë së shqiptarëve për të dalë me një program të qartë politik. Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve. Në një farë mënyrë veprimi politik i Lidhjes së Prizrenit trashëgoi kohezionin territorial, organizmin e përpjekjeve të përbashkëta për të vetqeverisur midis të krishterëve dhe myslimanëve shqiptarë si dhe kundërvënien ndaj autoritetit osman.Këtë kohezion shoqëror dhe kombëtar,  Tajar Zavalani në veprën e vet historiografike i zbuloi rrënjët e veta, duke e shtyrë të paktën 50 vjet më parë dhe duke i dhënë kështu historisë së zhvillimit të kombit të vet, të njëjtën kohë emancipimi si dhe kombet e tjerë ballkanikë.

Një studim më i detajuar i përpjekejeve të elitës feudale shqiptare në ngjarjet e pas revolucionit grek dhe revoltës serbe në rajon do të bëjë të mundur që të shikohen qartë hapat  drejt një pavarësimi fillimisht në mendim dhe pastaj në aksion politik. Një vend të rëndësishëm në këtë drejtim zë tejkalimi i vetvetes së kësaj elite dhe shndrrimi i saj nga një instrument mbështetës ndaj Perandorisë Osmane në një instrument kundërshtues të reformave të Tanzimatit, jo thjesht si aksion regresiv për të ruajtur një gjendje të vjetëruar të elementëve të shtetformimit osman por më tepër si rezultat i humbjes së gjysëm autonomisë vetqeverisëse që kish lënë kaq shumë gjurmë në territor , kulturë dhe besim fetar. Kombinimi i kësaj përpjekeje me zgjimin kulturor e kërkimin e rrënjëve  në koloninë arbëreshe në Itali me kryeqendër Napolin, lëvrimin e gjuhës shqipe dhe mbledhjes së folklorit nga Zef Jubani në Shkodër, veprimtarinë e trashëgimtarëve kulturorë të Pashallëkut të Janinës si Vangjel Meksi, Stefan Postenani, Anastas Byku,Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto  etj dhe përqafimin e iluminizmit nga elita myslimane shqiptare e shkolluar në Zosimea si  Abedin Dino, Ismail Qemali, vëllezërit Frashëri do të realizonin ngjizjen e nacionalizmit shqiptar dhe manifestimet e drejtë përsë drejta të tij në mendimin politik e kulturor shqiptar.

Suplementi Rilindësi, 11.10.2015, fq 18-19

[1]Dritan Egro “Rrënjët e Nacionalizmit Shqiptar” në http://www.arkivalajmeve.com/Rrenjet-e-nacionalizmit-shqiptar.320944/

[2] Dritan Egro “Rrënjët e Nacionalizmit Shqiptar” në http://www.arkivalajmeve.com/Rrenjet-e-nacionalizmit-shqiptar.320944/

[3] Tajar Zavalani. Albanian Nationalism. Në Nationalism in Eastern Europe edited by Peter Sugar and Ivo John Lederer. Ëashington: Ëashington University Press, fq 59

[4] Dritan Egro “Rrënjët e Nacionalizmit Shqiptar” në http://www.arkivalajmeve.com/Rrenjet-e-nacionalizmit-shqiptar.320944/

[5]TajarZavalani. Misioni i shekullittë XX. Plejad:2003, fq 88

[6] Po aty fq 88

[7] Tajar Zavalani. Albanian Nationalism. Nationalism in Eastern Europe edited by Peter Sugar and Ivo John Lederer. Washington: 1969, Washington University Press, fq 59

[8] Tajar Zavalani. Albanian Nationalism. Nationalism in Eastern Europe edited by Peter Sugar and Ivo John Lederer. Washington: 1969, Washington University Press, fq 59

[9]Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002,faqe 214

[10] Po aty fq 78

Share: