Home KRYESORE Tripologji…

Tripologji…

0

Nga Xheni Tanini Hali

Agu
edhe sot
ashtu i ngrysur,
nopran,
diku- diku edhe i çalë
erdhi.

nervoz, në ngutje
piu edhe kafenë.
Treti edhe atë pak pikë hidhësie.
Xhezven në lavapjatë e la vrik,
si çdo ditë, të palarë.

Tutje, aty,
ne thoin e zi të mugëtirës prej mëngjesi
në ngjyrë miu,
rendën putanat e tabakasë së seksit
të lënë klientin e fundit
me ulje çmimi.

Do të servirej turni tjetër.

Në veshët e mureve prej lëmyshku,
shurdhët ra minarja e çjerrë e përgjumjes shekullore,
dhe kambanorja mbi kupola luksi
këndoi sërish për mjerimin.

Kur ti ndoshta ende po flije,

mëngjesi im i lodhur,
pa si çdo ditë
si prej një xhepi, dikush
vodhi një portofol
dhe heshti,
nga e njëjta shije,
dhe nga e njëjta frikë,
si çdo ditë.

Mëngjes vjeshte në kaki,
si çdo ag që ditës i zë pritë
dhe ruan po aty
qepenat e hekurta që ulërijnë
prej frikës së mallkimit,
mjerimin me këpucë lustrafini
dhe pak më tutje
farmacinë,
bukë shitësin ,
dentistin,
diku sallonin e shëmtisë…

Si mbetje e karbonizuar
harbimi fishekzjarrësh,
mbledhësi i plaçkave të vjetra
sërish thirri :
“Hajde, të vjetra kush ka !”
dhe fqinja ime e çmendur
me flokë patjerrur qeshi e u tall
“Kemi mirëqenie vëlla, të reja po deshe,
të vjetra s’ka.”

E ndjente ajo lajmin e mirë të mëngjesit
plot re vjeshte nxirë ?

Këmisha, mbeti sërish pa një kopsë
kapërthimit të mureve
plot kufij të hekurt
dhe kazanët e plehrave, i njëjti
mjeran i nisi, për pak para
në Sharrë,
tok me shpirtrat tanë të ndjerë…

Edhe ne, s’thamë asnjë fjalë,
në shpresën e ngrirë në ndoshtat
e të ardhmes plot mëri
si atëherë e çdo ditë.

Kur,gjurmët si bisha të trembura
gërmuan hapat në barkun e ditës,
kur toka u ça sikur djajtë e gjelbër
kalëronin mbi gjarpërinjtë e shpërvjelë

Pas kësaj,
në pafuqinë e zakonshme të etur për jetë
unë e di se vjen…
një rrudhe më shumë mbi ballë,
një flok më shumë i bardhë
dhe plot të tjerë të rënë urrejtjesh,
shndërruar ndoshta në fije dashurish
dhe një “të paktën isha aty!”,

Në ditën e lajmit të mirë
agimi qe gri, si çdo vjeshtë.
dita qe po ajo,
me ndonjë njollë të trishtë ndryshimi
dhe mbrëmja ra po ashtu
me vorbulla emrash
humbur në vizatime të lodhura jetësh dyfishe.

Nesër,
unë e di ç’do të vijë
dhe hesht
të pres…

Share:
Reklama juaj