Home KRYESORE Banalizim i qëllimshëm i dosjeve!!

Banalizim i qëllimshëm i dosjeve!!

Nga Rezart Palluqi

Reagimi i parë kur dëgjova Alinda Hisku të thotë: “i kam falur xhelatët e mi”- ishte ky. Si ka mundësi të reagojë kështu, kjo zonjë që jeton prej 30 viteve në Gjermani, në një vend ku edhe sot, kriminelët nazistë dënohen në mosha mjaft të thyera, që shpesh cikin tavanin njëshekullor? Sinqerisht, atëherë, intuita më tha: Këtu diçka nuk shkon. Atëherë, çfarë do kjo zonjë? Përse na e ngre gjithë këtë stuhi të madhe, të dhimbshme kjo zonjë? Çfarë synon të realizojë? A mos duhet të ndjekim edhe ne shembullin e saj? T’i falim xhelatët tanë, dhe hapim atyre dhe bijve të tyre rrugën, që të na përdhunojnë sot dhe në të ardhmen bijtë, nipërit, mbesat, stërnipërit dhe stërmbesat tona? Në vend që të na sjellë një copë kulturë të drejtësisë gjermane, e cila e gjeti forcën shpirtërore të dënojë një pjesë të shpirtit të saj katil, hitlerik, kjo na zhyt edhe më thellë në moçalin tonë krejt apatik dhe oportunist!!

Këtu nuk bëhet fjalë për të falur një burrë, i cili mbasi piu e u bë tapë, përdhunoi një grua në rrugë. Nuk kemi të bëjmë pra me një dhunim krejt rastësor, por me përdhunime sistematike me paramendim që i prodhoi makineria e pashpirtë diktatoriale. Si mund ta falim ne pra xhelatin tonë? Apo mos ndoshta Alida Hisku ka thënë: unë fëmijët i kam në Gjermani. Në Shqipëri nuk kthehem më, kështu që tashmë mund të bëj engjëllushen naïve duke i falur xhelatët, ngaqë këndej e tutje, familjes së saj nuk kanë për t’i hyrë gjemba të rinj hoxhistë. Nuk do të bëj profetin, por ditën që Alinda Hisku turfulloi në dhjetra koridoret e mediave, thashë: këtu bie era sigurim hoxhist. Përse? Është të paktën edhe një dëshmi tjetër. Mediet shqiptare, ashtu siç ndodh me mediet postdiktatoriale, ose reagojnë ndaj një lajmi masivisht, ose heshtin masivisht. Fakti që të gjitha mediet vërshuan të botojnë intervistën e saj, ishte -parë thellë-, një shenjë e keqe. I druhesha një banalizimi të ri të krimeve hoxhiste.

Themeluesi i banalizimit të dosjeve, ka qenë, ish doktori i Diktatorit, Sali Berisha. Ai, siç e dimë, e degjeneroi drejtësinë e shumëpritur në një gjyq kafeshë. Nuk la term denigrues dhe fyes pa përdorur ndaj pjellave hoxhiste, por në praktikë nuk erdhi ndëshkimi i shumëpritur, meqenëse edhe ky vetë ka qenë një pjellë e diktaturës. Veshët e shqiptarëve, erdhi një moment që filluan të bubllojnë shëmtuar ndaj zallamahisë së hapjes së dosjeve. Është sikur të ulërish 25 vjet: ujku, ujku, por ujku nuk po kapet as po duket në horizont, përderisa çështja e dosjeve nuk është konkretizuar por trajtuar në vetën e tretë.

Me të drejtë, edhe qytetari më i ndershëm i kësaj republike arriti në atë pikë sa të thoshte: epo pushoni de me teatrin e dosjeve. “Na çatë veshët. Kemi 25 vjet që dëgjojmë pallavra të tilla, po ku i keni vrasësit?”

Kështu, arritëm në atë pikë, ose moment kohor që patën ëndërruar xhelatët hoxhistë: që edhe njeriu më i pastër i Republikës, sado të paktë qofshin ata, të thonin se dosjet nuk do të hapen kurrë. “Ato i përkasin së kaluarës. Ne kemi 1000 halle të tjera për të zgjidhur që janë më shumë urgjente se sa dosjet”

Xhelatët hoxhiste, e patën planin afatgjatë nën mëngë, qysh në vitin 1991. Direktivat e tyre kanë qenë të paktën dy. 1) Të mbjellin mbas vitit 1991, sa më shumë krime të reja, pra krijojnë breza të rinj kriminelësh. 2) T’i banalizojnë dosjet, duke lënë ish sigurimsat t’i denoncojnë ato.
Përkrah këtij banalizmi, meseleja e dosjeve diktatoriale, njeh edhe një lloj dosjesh të reja. Këto janë “dosjet informale”. Çfarë nënkuptoj me këtë? Ekziston një degjenerim moral krej informal midis vikitmës dhe xhelatit. Viktima gjatë vuajtjes së dënimit, është detyruar të përgënjeshtrojë vetveten, ose është detyruar apo joshur të përfitojë disa të drejta prej xhelatit, që binin në kundërshtim me principet morale, për të cilat, ai/ajo edhe është dënuar.

Fakti, që Alinda Hisku, i mohoi akuzat e saj ndaj torturuesve hoxhistë, nuk ka të bëjë vetëm me kërcënimet e tyre ndaj saj, dhe familjes së saj, ngaqë shteti gjerman të merr në mbrojtje, të vë roje në pragun e shtëpisë, kur ti kërcënohesh prej postdiktaturave. Këtë e bën edhe Holanda ndaj rrefugjatëve politikë.

Këtu, besoj se luan rol edhe ndonjë lëshim moral që ajo mund të ketë bërë gjatë periudhës së burgimit të saj. Xhelatët mund tia kenë përmendur telefonikisht ato, çka edhe e kanë stepur atë.

Përfundimi tragjik i denoncimeve të Alinda Hiskut, e banalizuan edhe më shumë aktin madhor dhe kombshpëtues, atë të larjeve të hesapeve me krimet hoxhiste. Ish spiunët dhe xhelatët e Enver Hoxhës, ditën, edhe këtë herë, që ta fusin në çark njërën prej qindra viktimave të tyre, dhe nxjerrin atë prej andej, me bishtin ndër shalë. Është për t’u vajtuar mjaft që Alida, qoftë prej naivitetit, qoftë prej natyrës së saj frikacake, i shtoi me duart e saj edhe një tullë murit të “banalizimit vetvrasës të dosjeve” , i cili vazhdon të rritet dita-ditës, duke na e zënë gjithnjë e më shumë diellin e lirisë sonë të shumëpritur!!

Rezart Palluqi
Holande, 2 nentor 2015

Share: