Home KRYESORE KENA TURKE NE MENDEREN E BRUKSELIT…!

KENA TURKE NE MENDEREN E BRUKSELIT…!

Nga Ahmet Dursun

I dashur Bruksel!

A e di ç’është kënaja?!…

Më lër të ta them! Është një peme e cila rritet në Indi, Arabi, në Mesdhe. Gjethet e thata i shtypen në havan deri sa të bëhen pluhur. Krahas erës tërbuese ky pluhur ka ngjyrën e sheriatit egzotik! Nuk mbaron me kaq. Mandej, pluhuri vihet në një enë të thellë…I shtohen disa lëvozhgë arrë, uje dhe për rrëshqitje e butësi patjeter vaj ulliri. Gjendet një thupër thane dhe me dhuntinë tashmë të shndërruar në mjeshtri nis përzierja.Kjo përzierje vazhdon e vazhdon deri sa të zbutet ashtu sa brumi i palaçinkave…
Ku përdoret?

Lyhen gishtat, pëllëmbët e duarve, kyçet e sidomos flokët. Është një bojë natyrale e cila zhduk zbokthin, forcon rrënjët e flokëve, ndihmon në shërimin e egzemave. Gjithashtu thuhet se ka edhe efekt eksitues!

Përdorimi në masë të gjerë i kënasë ndodh në dasma. Është zakon që një natë para ceremonies, dhëndri e çon kënanë në shtëpinë e nuses dhe po nga e njëjta përzierje nusja lyen flokët dhe pëllëmbët e duarve, ndërsa dhëndri gishtin e vogël të dorës së djathtë. Pra ngjyra jeshile e sheriatit ekzotik e kënasë, në natën e parë të çiftëzimit të tyre ia lë vendin alelujës të kuqe komuniste…
Përgjithësisht kështu ndodh!

Mirëpo edhe në zakonet e rrënjosura ka gjithnjë të papritura. P.sh. kur shkon dhëndri në shtëpinë e nuses me enën e kënasë në duar dhe mëson se nusja ka ikur te dikush tjetër, ç’ndodh?! Pikërisht, në një prej këtyre rasteve ndërsa dhëndri i shastisur pyeste plot hidhërim se çdo të bënte me kënanë, një zë si ky i imi, iu përgjigj: me atë këna tashmë, lyej menderen!

* * *

I dashur Bruksel,

Ti ende, ashtu si dhëndri që i kish ikur nusja, nuk po e beson por, rezultati i zgjedhjeve të 1 Nëntorit në Turqi, për Evropën është shumë herë më i rëndësishëm sesa shpërberja e Bllokut të Lindjes, se 11 Shtatori, apo pranvera arabe…

Blloku i Lindjes pas viteve ”˜80 ndërsa shfaqi falimentin ekonomik-financiar të la kohë të mjaftueshme të përgatitesh për ndryshim… Këto vende thjesht e vetëm për disa dekada patën një ndasi ideologjike, por vinin nga një kulturë, fe dhe histori pothuajse të njëjtë me tënden. U përshtatën, madje këta refugjatë të ish-Bllokut të Lindjes ofruan një dimension të çmuar sidomos në artin dhe kulturën e Evropës kapitaliste.

11 Shtatori, natyrisht ndikoi mbi Evropën. Prodhoi mjaftueshëm udhëheqës injorant në tërë hapësirën e saj. Ra niveli i debateve, mendimeve dhe solli një varfërim deri në izolimin e intelektualëve dhe kaq. Pra, krejt ndryshe nga SH.B.A. e cila krahas këtyre pasojave të lartpërmendura ndërmori aksione hakmarrëse ushtarake ndaj regjimeve të lidhura me terrorizmin, Evropa nuk vuri plasmas në dritaret e saj.

Pranvera arabe, nëse do të niste nga Siria, në shumë vende të botës arabe do të shfaqeshin bimësi të demokracisë. Ndërsa flladi i pranveres arabe u shndërrua në një uragan që shkuli disa ndërtesa të socializmit islam, në vend të tyre nisen të shfaqen kasolle të sheriatit…dhe kjo shumë shpejt u kapërcye nga Evropa dhe u harrua Egjipti, Libia apo Tunizia!
I dashur Bruksel,

Injorimi yt deri në poshtërim, sidomos në 10 vitet e fundit, ndaj mendimtarëve bashkëkohorë, paqedashës e laik të Turqisë qe në përmasa të pajustifikueshme. Qe e pafalshme heshtja jote, ndërsa u zbeh tradita mijëra vjeçare e një disipline ushtarake, aq më tepër i një vendi anëtar i NATO-s që prej vitit ’52. Burgosjen e ushtarakëve, mënjanimin dhe përdhosjen e tyre e përjetove si triumfin e fundit të kryqëzateve. Poshtërsisht heshte!
I përkrahe, i duartrokite, u kënaqe duke u zgërdhirë, pas çdo vendimi të qeverisë së Erdoganit që e kyçi mendjen, sytë, buzëqeshjen dhe trupin e gruas turke me rrobat e nxjerra prej sendukut otoman!
Dhe…
Në saj të verbimit të çdo shqise tënde, Turqia sot është një vend që i takon Lindjes së Mesme. Pra nëpërmjet Bullgarisë dhe Greqisë tashmë Evropa është fqinje aq sa me Turqinë edhe me Palestinën, Irakun, Sirinë. Sot, miliona refugjatë të strehuar në Turqi nuk mund të kenë asnjë dëshirë tashmë të qëndrojnë në këtë vend, i cili që prej viteve ”˜30 ka qenë modeli më i lakmueshëm i tyre. Sot, ata nuk do të qëndrojnë kurrsesi në Turqinë e sunduar nga Erdogan-i, e aq më pak të kthehen në shtëpinë e tyre shkrumb e hi…

Çfarë do ti ndodhë Evropës?

Me qindra e mijëra e së shpejti miliona do të dynden në zemër të Evropës. Pas rënies së modelit të Turqisë moderne, po ashtu asnjë vend në Ballkan nuk u jep sigurinë e fillimit të një jete të re për ta. Ndërsa Evropa Perëndimore shpesh nuk gjen mënyrën e duhur të trajtimit të ushtarëve të saj, të traumatizuar nga luftrat në Afrikë, në Irak, Afganistan, refugjatët e Lindjes së Mesme e ka të pamundur ti kurojë e ti integrojë.

Ndryshe prej refugjatëve të ish-Bllokut të Lindjes të cilët fajësonin veçse regjimin izolues të vendit të tyre, refugjatët irakenë, afganë, sirianë fajësojnë perëndimin rreth gjendjes së tyre. Ata nuk hyjnë te kategoria e refugjatëve inferiorë, janë të bindur e krenarë se trashëgojnë vlera të çmuara të qytetërimëve të hershme.

I dashur Bruksel,
Nëse nuk do të ishe kaq dritë shkurtër, as në ëndrrën më të bukur një rrymë si ajo e Erdoganit nuk do të mund të merrte më shumë se 15% të votave në Turqi…Unë habitem veçse me habinë tënde, e cila pyet se si mundi të fitojë zemrën e 50% të elektoratit. Ky rezultat i bindshëm nuk është as fitorja e Erdoganit, as humbja e opozitës. Është pasoja e talljeve të tua ndaj një populli që prej shpalljes së Republikës thërrmoi çdo gur të injorantëve, dashakeqësve apo të lajthiturve të Lindjes, që mos të binte në oborrin tënd.
Dhe, me një zgjuarsi epokale ta la në duar enën e kënasë që tashme ta lyesh menderen…

I dashur Bruksel,
Demokracia është ta ndash edhe dhimbjen!

Share: