Home KRYESORE Kunder dhunes dhe Pro mesazheve…

Kunder dhunes dhe Pro mesazheve…

Nga Jani Marka, Fjala ne protestën kundër reformës ne Arsimin e Larte!

Ne që jemi mbledhur këtu jemi zëri i universitetit publik, jemi zëri që nuk jemi dëgjuar nga Qeveria, dhe politika në tërësi, në procesin e reformimit të arsimit të lartë.

Goditja me vezë e institucionit të kryeministrit ishte një akt simbolik, i guximshëm, ishte një akt simbolik por edhe revolte, dhe kurrsesi nuk ishte një akt i dëshpëruar. Goditja me vezë e institucionit të Kryeministrit ishte një akt revolte ndaj dhunës që universiteti publik dhe studentët kanë pësuar në këto vite të tranzicionit nga klasa politike dhe bizneset e lidhura me të.

Goditja me vezë ishte një akt simbolik kundër dhunës strukturore dhe tarifore, çka më tej shfaqi edhe elementin e dhunës fizike dhe psikologjike të policisë së shtetit të privatëve…

Sot, jemi mbledhur këtu për t’u shprehur në formë demokratike kundër kësaj dhune të shumëfishtë!
Lëvizja PU (dhe paraardhësja e saj Universiteti në Rrezik) kanë filluar rezistencën e tyre kundër shkatërrimit të sistemit arsimor universitar që prej vitit 2011, në kohën e qeverisë Berisha.

Lëvizja PU lufton për dy parime shumë të mëdha: arsim publik falas dhe demokraci universitare. Dhe këto dy shtylla janë të lidhura ngushtë me njera-tjetrën, dhe vetëm arritja e tyre do e çlirojë përfundimisht universitetin e sotëm, i cili është universitet i privatëve.

Lëvizja PU i qendron kauzës së saj me argumenta, por dhuna e palës tjetër, dhuna e politikës dhe interesat e bizneseve të lidhura me të, nuk duan t’ia dinë për argumente, ato mund të zmbrapsen vetëm me ARGUMENTIN e FORCËS. Ne, studentë, pedagogë e qytetarë duhet të shprehim këtë forcë demokratike duke u masivizuar në mbrojtje të kësaj kauzë madhore për shoqërinë.

Organizmi dhe masivizimi jonë nuk është i lehtë! Ç’të bëjmë? Të dorëzohemi?! Apo të rezistojmë?! Ne mendojmë se ia vlen të luftojmë për universitetin, për institucionin më të bukur në botë. Ne duhet të organizohemi për të ndalur privatimin e universitetit, për ndaluar kthimin e dijes në mall, dhe në fund ia vlen të luftojmë për arsim publik falas dhe demokratik për t’u lënë brezave një universitet të lirë.

Na thonë që jemi pakicë! Por, pyes, se si mund të jemi pakicë ne që kërkojmë arsim publik falas!? Mendohuni pak! Kë kemi kundër? Kemi kundër qeverinë e lidhur me interesa klienteliste, dhe qeverinë e paaftë të rrisë buxhetin për arsimin dhe të hartojë politikat e duhura. Kë kemi kundër? Kemi kundër pronarët e universiteteve private. A e imagjinoni dot se çfarë do mund të ndodhë me tarifat edhe më të rënda që aplikojnë zhvatësit në universitetet private nëse arsimi publik është falas?!. Ne nuk jemi kundër studentëve që studiojnë te privati, ne jemi kundër zhavatjes së tyre nga pronarët e universiteteve private. Dija nuk është mall!

Ne jemi kundër dhunës dhe gjatë kësaj proteste do përpiqemi që me anë të argumenteve të japim disa mesazhe:

Së pari, ne që jemi këtu fizikisht nga arsyetimi kolektiv, marrim kurajë nga njeri-tjetri, për ta shtrirë organizimin tonë në kohë dhe hapësirë. Në kohë, sepse ne e dimë që qeveria është shumë e fortë dhe nuk do tërhiqet kollaj nga kjo reformë e mbrapshtë. Në hapësirë, sepse që të masivizohomi, duhet të organizohemi në çdo universitet, në çdo fakultet, në çdo qytet, në çdo shkollë të mesme… A është e mundur kjo? Më besoni, është e mundur, dhe po ju sjell provat për këtë, sot këtu jemi qindra në protestën e tetë, por në shkurtin e 2014-ës, kur nisi procesi ishin vetëm rreth 10 studentë. Dhjetë studentë dhe natyrisht një kauzë e drejtë.

protesta universiteti5Së dyti, një mesazh shkon për studentët, pedagogët dhe qytetarët e tjerë: ne po luftojmë për një kauzë të drejtë, por të vetëm nuk mund të arrijmë shumë. Indiferenca e të shumtëve sot është gjithashtu përgjegjëse për pasojat e kësaj reforme shkatërruese.

Së treti, i drejtohemi qeverisë, duke i premtuar se ne do t’i përforcojmë idetë dhe argumentet tona, por mbi të gjitha do të shtojmë radhët tona, fakultet më fakultet, deri sa argumetni i kësaj force do i kthejë qeverisë arsyen dhe misionin e saj publik.

Share: