Home KRYESORE Lëngata e medias shqiptare Fajet tona dhe fajet e politikës!

Lëngata e medias shqiptare Fajet tona dhe fajet e politikës!

Nga Carlo Bollino

Sot OSBE do të mbledhë në një konferencë disa politikanë, (shumë) teoricienë, ojf dhe disa gazetarë, për të diskutuar mbi temën e informacionit në Shqipëri. Do të trajtohen çështje si transformimi i RTSH-së në një media publike të qëndrueshme dhe të pavarur, procesi i dixhitalizimit të televizionit, standartet profesionale të gazetarisë dhe kushtet e punës të gazetarëve në Shqipëri.Ndërsa nuk është parashikuar asnjë panel për tri tema të mëdha që sipas nesh i përkasin të ardhmes së informacionit: Niveli i formimit profesional të gazetarëve shqiptarë, situata financiare e mediave dhe e drejta e autorit në fushën e informacionit. Këto ide mund të shërbejnë si kontribut në debatin e sotëm.

Ushtroj profesionin e gazetarit nëpër botë tashmë prej 35 vitesh dhe të paktën prej 20 vitesh frekuentoj dhe Shqipërinë: Në 1992 e largët pashë të lindte gazetaria e parë e lirë nga propaganda, radiot dhe televizione private dhe së fundmi jam dëshmitar i shpërthimit të informacionit online.Kam qenë si dëshmitar i drejtpërdrejtë edhe i transformimit të kategorisë së gazetarëve: nga një “patrull딝 e vogël të rinjsh të apasionuar që 23 vite më parë përballeshin me entuziazëm dhe dëshirë për sakrifica në tregun e panjohur të informacionit, në një lumë të rinjsh që sot – shpesh, as edhe me bazat më minimale të profesionit – gjëja e parë që duan të dinë është se sa do të jetë paga. Lexoj artikuj që në shumë raste janë një grumbullim fjalësh pa kuptim dhe sidomos pa logjikë, dhe shoh të rreshtuar pas telekamerave në konferenca shtypi gazetarë të cilët si të vetmen detyrë kanë atë të mbajtjes së mikrofonave. Dhe, kur vihen në lojë nga politikani i radhës (në të shumtën e rasteve për faj të botuesve të tyre) nuk kanë as kurajon të ngrihen e të largohen në shenjë proteste.

Ndërsa, nëse iu lejohet të bëjnë një pyetje, shpesh dëgjoj pyetje kaq pa logjikë apo elementare sa të merr malli për heshtjen e tyre. Shoh gazetarë të rreshtuar politikisht që nuk ndjejnë asnjë ndroje për këtë dhe media që në të vërtetë janë organe partie edhe pse deklarohen si burime të pavarura. Gazetarët shqiptarë që punojnë në terren, janë gati të gjithë shumë të rinj (sepse nga 40 vjeç e sipër kalojnë në kategorinë më komode e analistëve), e megjithatë, nuk shoh edhe një mes këtyre gazetarëve të rinj (me përjashtime të rralla) që të dinë edhe të përdorin kamerën, apo të dinë të montojnë një video, siç bëjnë ndërkohë kolegë të tyre edhe më të vjetër në pjesën tjetër të botës.

Përfundimi është i thjeshtë: Gazetarët e rinj shqiptarë nuk janë të formuar profesionalisht dhe një treg në “overdoz딝 që prodhon më shumë media se gazetarë, pengon çdo seleksionim. Problemi është aq serioz sa meriton një debat më vete.

Nisim pikërisht nga mbingopja e tregut për të prekur nyjen e dytë të madhe: krizën financiare të mediave. Vetëm me përjashtime të rralla, pjesa më e madhe e tyre është me humbje ose në prag të falimentimit. Dhe mediat e varfra, automatikisht nuk janë të lira. Janë të varfra për të paktën tri arsye: formimi i ulët profesional i gazetarëve imponon mbushjen e redaksive me personel shpesh të tepërt, duke shpresuar që sasia të ulë dëmet në cilësi. Dhe kjo sigurisht që shton kostot. Botuesit shpesh bëjnë të tjera gjëra në jetën e tyre dhe janë të papërgatitur të administrojnë nga këndvështrimi financiar bilancin e një medie që në fund të fundit vazhdon të shihet si një kallashnikov në mbrojtje të interesave të tyre, më shumë se sa një aktivitet i vërtetë editorial dhe fitimprurës.

Tregu i reklamave dhe tregu i shitjeve është në krizë të thellë edhe në Shqipëri, ashtu si në pjesën tjetër të botës: por andej tregu është i rregulluar nga ligje dhe nga mekanizma që në Shqipëri nuk ekzistojnë. Pra, ato masa vetërregullimi që në të tjera vende shërojnë tregjet në krizë, këtu, duke qenë jo efikase, kontribuojnë jo ta shpëtojnë, por ta fundosin edhe më tej të gjithë sektorin. E në fund politika. Pas shpërndarjes seleketive të reklamave shtetërore në kohën e Berishës, tani kemi kaluar në ekstremin tjetër: prej dy vjetësh qeveria e re ka mbyllur çdo burim financiar për mediat. Ka nisur me gazetat duke ndaluar publikimin e njoftimeve që tani dalin vetëm në faqet online të institucione publike (duke minimizuar edhe transparencën). Pastaj ka kaluar te radiot dhe televizionet duke ndaluar fushata
sensibilizimi, edukimi dhe informacioni që ekzistojnë në të gjitha vendet perëndimore.

Pak reklama shërbimi të shpërndara nga qeveria, paguhen nga firma private që me kërkesë të politikës fusin në mediaplanet e tyre krahas spoteve të veta edhe ato të qeverisë. Por pa ndryshuar buxhetet. Një gërshetim publik-privat që ekziston vetëm në Shqipëri. Përfundimi është i thjeshtë: për faj të tregut dhe për faj të politikës mediat në Shqipëri janë në agoni financiare. Problemi është aq serioz sa meriton një debat më vete.

Në fund e drejta e autorit. Qeveria po diskuton një projekt të ri që vazhdon të përjashtojë shkrimet e shtypit në print dhe online nga e drejta e autorit. Përveç zhvleftësimit total të produktit gazetaresk që duket në këtë diskriminim, boshllëku legjislativ nuk mbyll një kancer që po vret shtypin shqiptar: atë që quhet copy/paste. Një lajm që shfaqet në faqen online X pas 3 minutave është rikopjuar në mënyrë të plotë nga faqja online Y dhe pas 1 ore është publikuar në mijëra faqe online te tjera dhe pastaj del në televizione e një ditë më pas në gazeta. Dhe nuk ka rëndësi nëse dikush ka treguar mirësjellje për të cituar burimin original (gjë që normalisht as nuk ndodh), pasi në një vend civil duhet të jetë autori apo botuesi ai që duhet të autorizojë nëse shkrimi i tij mund të ribotohet apo jo në një media tjetër. Ky rreth vicioz i copy/paste jo vetëm po vret identitetin e mediave që duken tmerrësisht identike e si rrjedhojë të pavlera, por përhap si kancer edhe shpifjet: sepse, nëse lajmi fillestar është fals, e njëjta shpifje shpërndahet me shpejtësinë e dritës në të gjithë shtypin shqiptar.

Përfundimi është i thjeshtë: Figura e gazetarit në Shqipëri është aq shumë e diskretituar saqë prodhimi i tij profesional nuk konsiderohet nga Shteti i denjë për ndonjë tutelë ligjore. Pirateria mediatike nuk konsiderohet krim, dhe nëse bota e mediave është një kënetë, kjo ndodh sepse politikës gjithmonë i ka pëlqyer të jetë kështu. Prandaj askush të mos ankohet, duke nisur nga qeveria, nëse një shkrim në mediat shqiptare katandiset në një produkt pa verifikimet e duhura dhe plot me të pavërteta e helme. Duke përfunduar pastaj edhe në raportet e OSBE që për fatin e keq, duke jetuar brenda një “kështjelle” shpesh herë te shkëputur nga realiteti, e konsideron si të ishte shkruar nga gazetaria e vërtetë.

www.shqiptarja.com [email protected]

Share: