Home I pakategorizuar Mbi kakarisjet e kryeministrit dje në Top-Show…

Mbi kakarisjet e kryeministrit dje në Top-Show…

Nga Arlind Qori, Pedagog dhe aktivist i lëvizjes Për Universitetin

Një kryeministër i kapur dhe dhunues studentësh nuk ka si të mos jetë edhe mashtrues publik. 1. Tha që ky grup, duke pasur parasysh Lëvizjen Për Universitetin, është dëgjuar shpeshherë, më shumë se kushdo tjetër, për reformën në arsimin e lartë. Jemi ftuar vetëm një herë në Komisionin e Mjeteve të Informimit Publik dhe Arsimit, të cilin për më tepër nuk e drejton PS.

Nëse e ka fjalën se na ka lexuar e ndjekur nëpër televizione, gazeta apo në faqen në facebook, kjo na bën të ndihemi mirë që e kemi vënë aq në vështirësi për të na ndjekur më shumë se të tjerët. Ama vazhdon të jetë mashtrues se me dëgjim zakonisht nënkuptohet ta ftosh dikë e ta pyesësh për mendimin, madje kushedi edhe t’ia marrësh në konsideratë. Por për këtë të fundit as kemi pasur e as do të kemi ndonjëherë shpresë nga kjo farë qeverie.

2. Tha që reforma në arsimin e lartë s’mund t’i bëjë të gjithë të lumtur, pasi do të ketë një pakicë që do të mbetet e pakënaqur se i preken interesat. Në fakt, reformën në arsimin e lartë nuk e kanë kundërshtuar vetëm aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin apo ata mijëra studentë që na kanë përkrahur, por edhe pjesa më e madhe e trupës pedagogjike universitare publike dhe institucione brendauniversitare si këshillat e fakulteteve dhe senatet e universiteteve. Mbështetje të plotë reforma ka gjetur vetëm te një pakicë e vogël numerikisht, por e pasur ekonomikisht dhe e tredhur intelektualisht. Bëhet fjalë për pronarët e diplomoreve private, administratorët e tyre dhe qyqarët me tituj akademikë që i bëjnë temena pronarit në media për të fituar rrogën e majme. Jo më kot i vetmi karafil entuziast për reformën e arsimit të lartë në studio ishte një çilist.

3. Tha që në çdo vend të botës ku sulmohet me vezë një pushtetar, policia të arreston. Jo, maksimumi policia ose badigardët shoqërojnë pushtetarin në siguri për shkak të rrezikut të hamendësuar dhe maksimumi izolojnë gjuajtësin ose gjuajtësit, nuk i tërheqin zvarrë dhe rrahin me shpulla në oborr të shkollës.

4. Tha që ndaj studentëve nuk është ushtruar dhunë kur ka filmime që aktivisti i Klubit Politik të Studentëve Valton Marku është goditur me shpullë nga një civil që dukej si shef policësh. Ka dëshmi nga studenti Durim Jasharaj dhe Vitori Çipi nga Lëvizja Për Universitetin se Durimi është goditur me grusht në makinën e policisë. Ka dëshmi të studentëve Bora Mema nga Lëvizja Për Universitetin dhe Valton Marku se janë goditur me grusht në korridoret e komisariatit numër 2.

Ka dëshmi të të gjithë studentëve pastaj për ulërimat, sharjet dhe kërcënimet e policëve në komisariatin numër 2 dhe në drejtorinë e policisë Tiranë. Nga ana tjetër ka dëshmi të përfaqësuesve të Avokatit të Popullit që janë ndaluar për gati një orë për të vizituar të ndaluarit në drejtorinë e policisë, pavarësisht se ligji u jep të drejtën t’i vizitojnë menjëherë. Po ashtu ka dëshmi të studentëve Liri Kuçi dhe Valton Marku se për dy ditë me radhë mjekët e spitaleve publike i kanë shmangur duke mos kryer detyrimin ligjor të ekzaminimit. Paskëtaj studentët e lënduar i kanë kryer ekzaminimet mjeko-ligjore dhe presim rezultatin zyrtar të tyre.

Një koment i fundit që s’ka të bëjë me mashtrimin publik, por me interpretimin cinik të ngjarjes. Tha që në kohë të Berishës askush nuk do të guxonte. Këtë s’e dimë se nuk e kthejmë dot kohën. Ama edhe nëse është e vërtetë, logjika është perverse. E justifikon dhunën, padrejtësinë dhe paligjshmërinë me faktin se më parë ndodhte pak më keq, njëlloj si dikush që të jep dy shpulla në rrugë kot dhe pastaj të thotë ta falënderosh se po të të kapte ai tjetri do haje tre. Në kohën e Berishës së parë (1992-1997) mbaj mend se dhuna ndaj qytetarëve justifikohej duke thënë se sot hani nga një shkop gome, por në kohë të diktaturës hanit plumbin.

Share: