Home I pakategorizuar Fenomeni i operacioneve plastike në Tiranë!

Fenomeni i operacioneve plastike në Tiranë!

Nga Gresa Hasa

Nganjëherë pasditeve kur mblidhem në shtëpi, më qëllon të has ndonjë prej emisioneve ordinere të medias sonë, si Pasdite në Top Channel sonte, ku vëmendjen ma tërhoqi zhurma e krijuar mbi çështjen e operacioneve plastike, të cilat viteve të fundit në Shqipëri në industrinë e medias dhe show-t, kanë patur një rritje të frikshme.

Me ç’kuptova nga aq sa ndoqa, një djalë emigrant në Itali paskërkish hapur një faqe në rrjetet sociale që identifikon personazhe publike të shoqërisë uniformë të Tiranës, të cilët kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në fytyrë dhe trup – ndërhyrje të cilat pjesa më madhore e tyre i kanë mohuar.

Nuk e ndoqa diskutim/debatin në studio (nëse kishte një të tillë) por dëgjova djalin tek po përpiqej të justifikonte në mënyrë të dobët faqen në fjalë.

Fillimisht, të ofendosh apo të tallesh me dikë për gjëra krejt personale, nuk më tingëllon korrekte. Nga ana tjetër, kur dikush vendos të përqafojë një rol publik (aq më keq, një rol patetik si V.I.P.), dashur apo pa dashur, bëhet target diskutimesh/gjykimesh.

Së dyti, operacionet plastike të këtyre personazheve ose të paktën, të një pjese prej tyre, nuk janë totalisht çështje intime për aq kohë sa këta individë kanë vendosur të shesin nëpërmjet kurimit artificial duke krijuar një standart të korruptuar të së bukurës dhe duke e trajtuar njeriun (dhe këtu peshorja rëndon tek gratë!), si objekt seksual – një imazh ndjellës dhe fals, pa kurrfarë përmbajtje dhe funksioni shoqëror. Të mos harrojmë që bëhet fjalë për parazitë socialë që nuk kanë sjellë asnjë prurje në fushën e tyre e që performanca profesionale e të cilëve është e turpshme.

Së treti, fokusi kaq i lartë drejt/tek e panatyrshmja dhe ‘mishi’ i kuruar epshndjellës, janë tregues i depresionit të thellë dhe humbëtirës në shkretinën e mbijetesës së Tiranës, ku gjindja shterpë tenton ta riprodhojë shterpësinë e vetes dhe pasandaj t’i ngrerë asaj lavd…për një triumf momental jo më pak të sëmurë.

Share: