Home KRYESORE Nje roman polifonik dhe me lirizëm fluid…

Nje roman polifonik dhe me lirizëm fluid…

Nga Nehas Sopaj, Profesor letërsie ne Universitetin e Shkupit

Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet: NJË roman polifonik dhe me lirizëm fluid

Romani Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet i autorit Rezart Palluqi është një rrëfim i këndshëm që në kondita të lexuesve tanë shqiptarë, paraqet risi në disa rrafshe. Rrëfimin në vetën e parë e zhvillon krye-personazhi narrator, Ylli Xixa, dhe rreth tij sillet i tërë subjekti romanesk me një seri ngjarjesh të pandërprera. Por, ajo që është orbitë qendrore e rrëfimit, është dashuria mes Yllit dhe Zhanetës dhe prapaskenat nga e kaluara jo vetëm të tyret, por edhe të të tjerëve, tek të cilat lexuesin e rrëmbejnë ngjarjet dinamike dhe të drejtpërdrejta duke ia mbajtur vëmendjen deri në fund. Tre krime të ndryshme që zhvillohen në rrethana të ndryshme dhe të cilat lidhen me zinxhirin e ngjarjeve dinamike, me aktorë dhe rrethana të ndryshme, tek të cilat, përveç se ndërrohen ambientet dhe personazhet, ndërrojnë edhe motivet e vrasjeve ”“ ky është boshti kryesor rrëfimor i romanit.

Fillim e fund, autori rrëfimin e kurdis në të ashtuquajturin rreth familjar, por që ngjarjet i lëviz dhe zhvillon herë në Holandë e herë në Atdhe, Shqipëri. Që në fillim, lexuesit i bëhet me dije se po rrëfehet për fatin e një personazhi gyrbetqar, duke portretuar fatin e mija shqiptarëve të mërguar tani në kohën e re, postkomuniste. Matrica e ngjarjeve, është Holanda, Shqipëria është e kaluara e tanishme me dhembjet e tmerrshme të katrahurave të regjimit diktatorial. Ngjarjet janë lineare, të drejtpërdrejta dhe shumë dinamike me synimin t’i përfshijë të gjitha dhe që t’i arrijë ato, rrëfimin e kthen në të kaluarën, në atdhe, në një epokë tjetër, atë komuniste. Rrëfimi i romanit zhvillohet në vetën e parë, kurse ngjarjet plasohen në formë të dialogut të drejtpërdrejtë, lirik e dramatik, herë-herë dalogut evokues me elemente të një lirizmi fluid. Teksti është heterogjen, krahas rrëfimit lenear të drejtpërdrejtë ndërhyn me formë epistolare që nganjëherë duket një dendësim narrativ që mbase do të mund të evitohej për shkak se duket dhunshëm i vënë. Për hir të prezantimit sa më besnik dhe sa më autentik të realitetit objektiv, autori nga e kaluara vjel ngjarje nga më të parëndomtat, të cilat narratori Ylli Xixa, jo shpesh i shpëtojnë lloj-lloj sajimesh artistike që shkojnë gjer në një triller me të vërtetë origjinal shqiptar.

Ajo që më tepër ia shton peshën këtij rrëfimi të dendur, është prezantimi i atmosferës polifonike të gjuhës së folur të personazheve të cilët nuk janë vetëm njëgjuhësore, çfarë në pëgjithësi jemi mësuar t’i lexojmë romanet tona. Krahas holandishtes me të cilën flasin të gjithë, vendasit dhe shqiptarët, lexuesi ndesh edhe popuj të tjerë, ardhacakë të kombeve e racave të ndryshme, një botë në miniaturë që i tipizon pothuaj të gjitha metropolet evropiane, me të cilat autorit i hapet “diafragma” e një konglomerati të gjuhëve të ndryshme, tek të cilat prezantohet koekzistimi i ideologjive dhe të feve të ndryshme dhe brenda të të cilave gëlojnë drama të ndryshme në miniatura. Janë të ndryshme ato, por aty pikas figura e Mustafës, një muslimani me një dramë unikate, ndryshe nga të tjerët në roman. Nëse trilleri tipizohet me portretimin e ngjarjeve dinamike jashtë metropoleve, këtu ndodh ndryshe, vjen nga brenda.

Autori sikur i ka vjelë të gjitha elementet e trillerit: ngjarjet e shumta që eskalojnë me dhunë dhe krime, dialogë të shumtë me gjuhë dykuptimësie, letërkëmbime, gjyqe e ethe të pritjeve, të gjitha të vëna në dy kohët, prezentit dhe kohës së shkuar, personazhe reale të përditshme të rrethit familjar por edhe rreth tij, të ambientit të vendit të punës etj. Të gjitha këto elemente, kryesisht zbavitëve, të mozaikut të lajtmotiveve që rrëmbejnë tematikën e rrëfimit të romanit, bëjnë që lexuesi të kërkojë nga autori rrëfime të ngjashme.

Nehas SOPAJ
Tetor 2015, Shkup

Share: