Home KRYESORE Pse i quajmë diplomore institucionet private të arsimit të lartë?

Pse i quajmë diplomore institucionet private të arsimit të lartë?

Nga Arlind Qori, Levizja per Universitetin

 Afërmendsh jo për të fyer studentët apo ndonjë koleg të heshtur që s’bëzan për të marrë rrogën.

Së pari, të thuash universitet privat është oksimoron, pra termat kundërshtojnë njëri-tjetrin. Ose kemi universitet (universalitet të hapur e demokratik), ose kemi privatësim, privim e përjashtim (tarifat e larta, despotizmi edhe ligjor i pronarit etj.).

Së dyti, si ndërmarrje fitimprurëse, ato ofrojnë shërbim për një kërkesë masive. Çfarë kërkon tregu sot në Shqipëri? Studiues të mirë? Profesionistë të zotë? Shumë pak, në mos fare. Në një vend periferik si yni, tregu kërkon punonjës administrate për të siguruar tjetërsimin dhe privatizimin e të mirave publike dhe punonjës privatë të punësuar kryesisht në firma me marrëdhënie klienteliste me qeverinë e ku, përpara zotësive, qëndron trafiku i interesave.

Pra tregu kërkon diploma, diplomoret ofrojnë diploma. A nuk falin a shesin diploma edhe universitetet publike? Rëndom po, por, ndryshe nga privatët që kësisoj përmbushin natyrën e tyre si ndërmarrje që u intereson parësisht fitimi, publiket kësisoj e tradhëtojnë natyrën e tyre. Marrim një shembull krahasimor:

Po sikur privatët të mos shisnin nota e diploma, por të kërkonin hesap studimor rigorozisht? Do të falimentonin në masë. Po sikur të gjithë pedagogët që falin apo shesin nota te publiket të rreshtnin së vepruari kësisoj? Universitetet publike, si institucione pa qëllim fitimi dhe me fonde bazike të garantuara, jo vetëm që nuk do të mbylleshin, por do të lulëzonin duke përmbushur natyrën e tyre. Këtu qëndron një nga arsyet e kundërshtimit të reformës privato-qeveritare. Do t’i shtyjë universitetet publike të kthehen në diplomore që falin diploma për të mbijetuar në treg. Unë s’dua të punoj në një institucion të tillë e, aq më pak, të jetoj në të tillë shoqëri.

Share: