Home KRYESORE Pyetja që bëjnë njerëzit inteligjentë!

Pyetja që bëjnë njerëzit inteligjentë!

Nga Dr. Enriko Ceko

Inteligjenca është pak a shumë aftësia apo kapaciteti për logjikë, abstragim e mendime dhe kuptueshmëri, për vetëvlerësim e komunikim, për të mësuar, për të planifikuar dhe për të zgjidhur problemet në mënyrë krijuese. Në përgjithësi njerëzit inteligjentë dallohen për shkak të aftësisë për të gjetur dhe përpunuar informacionin, për të arritur në nivele përherë e më të larta të njohurive dhe për të aplikuar ato që mësojnë në një mjedis të caktuar, që zakonisht është në ndryshim.

Individët ndryshojnë nga njëri tjetri nga aftësia për të kuptuar idetë komplekse dhe nga aftësia për t’u adaptuar me fleksibilitet në mjedisin që ndryshon. Sa më shumë inteligjentë të jenë njerëzit aq më shumë mësojnë nga librat dhe nga përvoja dhe aq më shumë adaptojnë në mënyrë efektive ato që kanë mësuar, duke arsyetuar në atë mënyrë që të përballojnë dhe zgjidhin problemet e jetës së përditshme.

Edhe pse këta individë mund të kenë diferenca nga më të ndryshmet, aftësia e tyre intelektuale i bashkon ata në marrjen e vendimeve të përbashkëta, sidomos kur vjen fjala për të zgjedhur nëpërmjet votimit ata që drejtojnë vendin dhe kombin.

E kundërta e inteligjencës është injoranca, që është të qenit të pa informuar dhe me pak ose aspak njohuri në përgjithësi dhe për çështje të caktuara në veçanti. Injorantët janë njerëz që nuk e çajnë kokën për asnjë gjë të rëndësishme apo për fakte të rëndësishme. Pra, injorantët janë njerëz që me dëshirë zgjedhin të jenë të painformuar dhe që me dëshirë zgjedhin të mos marrin pjesë në marrjen e vendimeve të rëndësishme që shqetësojnë kombin dhe vendin, dhe kjo sepse ata nuk janë aspak koshientë për atë që ndodh me ta dhe përreth tyre dhe për të ardhmen e tyre dhe të të tjerëve përreth tyre. Injoranca është e ndryshme nga idiotësia dhe budallallëku, edhe pse të tre këto gjendje mendore të çojnë në veprime të njëjta apo të ngjashme, që emërtohen si “të pamatura”. Për këtë shkak ekziston edhe principi ligjor “injoranca në lidhje me ligjin nuk ka falje” (ignorantia juris non excusat) dhe pikërisht për këtë shkak injoranca është shumë e rrezikshme kryesisht në rastet kur injoranti beson se ai apo ajo nuk është injorant.

Po si të dallojmë njerëzit injorantë nga ata që janë inteligjentë? Njerëzit inteligjentë dallohen nga injorantët sepse kanë më shumë racionalitet dhe kanë më shumë njohuri se këta të fundit. Racionaliteti është gjendja e të qenit të arsyeshëm, bazuar në fakte dhe në arsyetime. Racionaliteti ka të bëjë me përputhshmërinë e besimeve dhe të veprimet me të të tjerëve. Nëse përballë njerëzve dalin probleme atëherë synimi i tyre është që të zgjidhin problemin dhe për këtë nevojitet sa më shumë informacion i vlefshëm dhe një formulim sa më i saktë i problemit, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet e përshtatshme dhe më tej prej disa varianteve të gjendet zgjidhja më e përshtatshme që më tej duhet testuar, e cila nëse nuk funksionin duhet të bëhen përçapje të tjera, qoftë edhe nga e para.

Por, për të ecur nëpër këtë rrugë duhen njohuri dhe kjo ka të bëjë kryesisht me kuptueshmërinë e gjërave, dukurive, sendeve, fenomeneve dhe të ngjarjeve, dhe, kur njohuritë bashkohen me faktet, informacionin, përshkrimet e sakta, aftësitë, përvojën, perceptimet, etj, atëherë ka më shumë shanse dhe mundësi që problemet të zgjidhen më mirë dhe më shpejt me sa më pak humbje në kohë, në para dhe humbje të tjera.

Por që njerëzit të arrijnë shkallën e duhur të njohurive duhet të kenë perceptimin e përshtatshëm për rastin, të kenë aftësi komunikuese, të dinë të arsyetojnë, etj dhe përveç sa më lart, ata duhet të dinë edhe të bëjnë krahasime. Krahasimi është një konsideratë apo një vlerësim i ngjashmërive dhe ndryshimeve midis dy a më shumë gjërave, dukurive, ngjarjeve, rasteve, etj.

Në këtë pikë në përgjithësi ka dy lloje njerëzish. Njerëz me vetëvlerësim të lartë dhe njerëz me vetëvlerësim të ulët. Lloji i parë i njerëzve ka më shumë motivim që të bëjë krahasime, kryesisht krahasime në nivelin e jetesës dhe në nivelin social, ndërsa njerëzit e llojit të dytë janë njerëz që kanë përjetuar kërcënime në jetën e tyre të cilat i ndrydhin ata në bërjen e krahasimeve racionale dhe të përshtatshme.

Njerëzit racionalë dhe me vetëvlerësim të lartë në përgjithësi kanë më shumë njohuri për standardet. Standardet janë përkufizime, rregulla e kufizime që përmbajnë minimumin e kërkesave të zbatueshme dhe që janë të shkruara, të aprovuara, të miratuara zyrtarisht dhe të monitoruara nga agjenci e trupa profesionale. Pjesa më a madhe e standardeve sapo pranohen si të tilla kanë detyrimin që të zbatohen dhe të mbrohen edhe nga ligji. Kryesisht standardet janë specifikime teknike të dokumentuara, që përmbajnë karakteristikat kryesore të produktit, shërbimit, gjendjes, etj dhe, për këtë shkak janë lehtësisht të krahasueshme midis tyre dhe me faktin, të vërtetën e jetës reale, me realitetin e përditshëm.

Pra, në fund të fundit, dallimi midis inteligjentëve dhe injorantëve ka të bëjë me standardin dhe kur vjen fjala te standardet e qeverisjes injorantët në rastin më të mirë bëjnë pyetjen: “A mund të qeverisemi? Dhe shpesh, po për shkak të injorancës së tyre vetëpërgjigjen: “Po”. Më tej ata nuk dinë se ç’farë pyetje të bëjnë dhe mbeten në këtë gjendje qeverisjeje sepse nuk kanë asnjë njohuri qoftë edhe fillestare për standardet dhe për mundësitë e mëtejshme të zhvillimit.

Njerëzit që kanë një farë niveli inteligjence dhe që janë deri diku racionalë, kanë disa njohuri dhe mund të bëjnë disa krahasime me fakte, informacione, dukuri, ngjarje dhe me vende të tjera. Dhe këta njerëz mund të bëjnë pyetjen: “A mund të qeverisemi mirë?” dhe nëse ata përgjigjen “Po”, atëherë mund të thuhet se në këto vende mund të fillojë të ketë zhvillim dhe mund të ketë ecuri përpara.

Ndërsa njerëzit mjaftueshmërisht inteligjentë, që janë shumë racionalë, që kanë shumë njohuri dhe që janë të aftë të bëjnë mirë krahasime me standardin patjetër që i bëjnë vetes pyetjen: “A mund të qeverisemi edhe më mirë?”. Nëse këta qytetarë i përgjigjen me një “Po” kësaj pyetje madhore, atëherë, patjetër vendi dhe kombi ecin përpara dhe zhvillohen edhe më shpejt dhe ka një përmirësim edhe më të madh edhe më të qëndrueshëm të cilësisë së jetës së tyre.

Pra, dukshmërisht, niveli i zhvillimit dhe gjendja politike, ekonomike, sociale dhe kulturore e sportive e një vendi dhe kombi dhe e individëve që e përbëjnë atë varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga inteligjenca e vetë banorëve të atij vendi dhe kombi.

E ardhmja e afërt dhe e largët e një vendi dhe e një kombi varen shumë nga ajo se cila nga këto tre pyetje është vërtet pyetja që bëjnë njerëzit në atë vend dhe nga përgjigja që i japin pyetjes që i bëjnë vetes këta njerëz. Kjo është pyetja dhe kjo është përgjigjja nga e cila varet nëse një vend dhe një komb i caktuar do ketë apo jo të ardhme dhe rotacion politik, që sjell zhvillimin, për të patur në fuqi dhe në drejtimin e qeverisjen e vendit gjithmonë më të mirët, më të aftët, më të shkolluarit, më përparimtarët, ata që dinë të qeverisin edhe më mirë se ata përpara tyre.

Share: