Home KRYESORE Qetësi në sallë! Po flet Ben Blushi!

Qetësi në sallë! Po flet Ben Blushi!

Nga Mentor Kikia

Ben Blushi ka ndërruar taktikë. Shkrimet i lexon një herë në parlament e pastaj ua dërgon gazetave. Kështu ka ndodhur të paktën dy seancat e fundit. Më herët njerëzit nxitonin ti lexonin në shtyp më parë mendimet e tij rreth situatës politike në vend. Por sot, si në asnjë rast, deputetet mbështetën kokën ndër duar dhe u qetësuan të dëgjonin fjalimin e tij në foltoren e kuvendit. Në asnjë rast nuk ka të tillë qetësi e përqëndrim vëmendjeje në sallën ku askush nuk e respekton sho-shoqin.

Blushi është gazetar dhe shkrimtar, dhe ka penë të mire. Por, padyshim, që këtu nuk pretendojmë që në të njëjtën nivel ta kenë elasticitetin e fjalës edhe deputetet juristë, ekonomistë, pale pastaj tregtarët, biznesmenët, e në fund ata që kanë mbaruar të lartën para të mesmes, apo ata që s’kanë bërë dot shkollën pasi kanë qenë në burg.

Por besoj se nuk është ky shkaku kryesor, pra të shkruarit e të folurit bukur, që bën që parlamenti ta dëgjojë më vemendje Blushin. Eshtë ajo që ai thotë përmes këtij artikulimi. Opozita e dëgjon tërë kënaqësi, sepse Blushi kritikon edhe partinë e tij, edhe qeverinë e partisë së tij, më mirë se ata vetë. Ndërsa të tijët e dëgjojnë, sepse ka shumë mes tyre që mendojnë si ai, por sua mban të flasin, apo edhe nuk e bëjnë dot.

Dhe Blushi është i vetmi në atë parlament që ngre gishtin e akuzës edhe ndaj kolegëve të tij, partisë së tij e qeverisë së tij, por edhe ndaj vetës. Eshtë i vetmi që tha: Ne duhet tu kërkojmë falje shqiptarëve që futëm kriminelë në parlament. Eshtë i vetmi që thotë NE dhe jo vetëm JU. I vetmi që kritikon jo thjeshtë palën “tjetër” apo palën “ton딝, por të gjithë mjedisin politik, që funksionon sipas parimit monarkik e jo demokratik.

Tani, ka shumë që mendojnë se Blushi vetëm fjalë ka. Bërtet, kritikon, e pastaj sërish shkon voton aty në vathën e tij. Gjithësesi, ai është një zë që mungon në politikën tonë. Në një politikë ku të gjithë (si në mazhorancë ashtu dhe në opozitë), lehin(ndjesë për fjalën, por kjo më vjen më për shtat), që ti pelqejnë kryetarit, të lënë emër të mirë tek ai, sepse vetëm ashtu bëjnë karrierë. Bërtasin e sulmojnë njëri-tjetrin vetëm sepse janë të opozitës apo të mazhorancës, sulmojnë edhe kur u preken interesat e bizneseve, por asnjëri asnjëherë nuk shikon veten në pasyrë!

Ndaj fol Blush, edhe sikur vetëm këtë të bësh, mjafton.

Share: