Home KRYESORE Retorika e rrezikshme e Europës në luftën ndaj terrorizmit!

Retorika e rrezikshme e Europës në luftën ndaj terrorizmit!

Nga Dr. Jens Münchrath

Rrëzimi i avionit rus nga Turqia dhe reagimi histerik (i rusëve) ndaj kësaj është prova e mëtejshme se sa e brishtë është bërë situata gjeopolitike.

Krijimi i një aleance kundër “Shtetit Islamik”, që dukej e mundur pas sulmeve terroriste në Paris, është bërë më e vështirë se kurrë. Arritja e një konsensusi se si do të duket Siria pas luftës duket shumë i largët, duke pasur parasysh përplasjen e interesave të mëdha të palëve të përfshira në konflikt dhe mungesën e dëshirën për t’u angazhuar në një politikë më të moderuar.

Kjo vlen për Rusinë dhe Turqinë, por edhe për Europën deri diku.

Bashkimi Europian gjithmonë është mburrur për qasjen e tij të kujdesshme në politikëbërje. Elita politike e kontinentit të vjetër është përpjekur në mënyrë të vazhdueshme që të mos nxitet nga emocionet e mëdha apo impulsi fetar ”“ pjesërisht edhe për ta dalluar vetën nga Vëllai i Madh përtej Atlantikut.

Por, pas sulmeve të Parisit ka ngelur shumë pak nga kjo vetëdije e përbashkët. Kjo po reflektohet në retorikën politike aktuale. Kryeministri britanik David Cameron e quan “Shtetin Islamik” një “kërcënim djallëzor”. Homologu i tij gjerman Mark Rutte deklaron hapur se Europa është në “gjendje lufte.” Kurse presidenti francez François Hollande ka thënë se Franca do të jetë e “pa mëshirshme” në përgjigjen e saj ndaj sulmeve të Parisit.

Retorika e luftës duket sikur është huazuar nga repertori i Xhorxh W. Bushit, presidentit amerikan i cili pas sulmeve të 11 Shtatorit u betua me një zell të madh fetar se do të “mposhte të keqën”. Gjithashtu, Bushi ishte presidenti që zhvilloi luftën në Afganistan dhe Irak me pretendime false, e për këtë mban njëfarë përgjegjësie për situatën e rëndë në Lindjen e Mesme sot.

Është akoma e paqartë se çfarë dëshiron të arrijë Hollande e të tjerët me retorikën e tyre të luftës. Nuk i sjell qetësi një publiku tashmë në ankth, e as nuk është tregues i fuqisë. Përkundrazi, diskursi ushtarak ngjan me një thirrje. Luani sa më i pafuqishëm të ndihet, aq më shumë bërtet. Është një pafuqi që buron nga dobësia jonë përballë terrorizmit që nuk njeh kufij, dhe nga kompleksiteti i një konflikti që zien prej pesë vitesh.

Sigurisht, mjetet ushtarake janë të nevojshme për ta luftuar ISIS-in, por beteja nuk mund bëhet vetëm ushtarakisht. Tek e fundit, a nuk janë operacionet ushtarake të Perëndimit në Afganistan dhe Irak ”“ me qellim “ndryshimin e regjimit” ”“ që e bën ISIS-in ai që është sot?

Eksperienca e fituar në luftën kundër “terrorizmit islamik” (thonëzat redaksionale) në këto 15 vite ka treguar se sulmet ushtarake nuk mund ta zëvendësojnë strategjinë politike. Dhe një strategji politike kërkon diplomaci e cila lejon zonat gri. Ajo përfshin bashkëpunimin me Rexhep Tajip Erdoganin, presidentin autokratik, i cili dëshiron të shoh rrëzimin e diktatorit sirian Bashar al-Assad, por kundërshton në mënyrë të prerë fuqizimin e opozitës kurde në Siri.

Do të thotë të përfshihet presidenti rus Vladimir Putin, që aspiron t’ia kthej Rusisë statusin e një super fuqie, e që po bombardon ISIS-in dhe grupet e opozitës për të mbështetur aleatin e tij, Asadin. Mbase kjo do të përfshijë edhe pranimin e dhimbshëm se Asadi, i cili po zhvillon një luftë brutale kundër popullit të vet, do të duhet të lihet mënjanë gjatë negociatave për paqe, në mënyrë që të arrihet një konsensus minimal ndërmjet palëve në konflikt.

Kjo luftë dhe terrori i lidhur me të mund të marrë fund vetëm nga fuqitë që janë të përfshira haptazi në një proxy war në Lindjen e Mesme. Përveç Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, kjo përfshin edhe Iranin, Arabinë Saudite, Irakun dhe Egjiptin.

Është e vërtetë se liria jonë po mbrohet në Afganistan dhe Siri ”“ që është edhe arsyeja pse Europa do të përfshihet më shumë ushtarakisht ”“ por duhet të ketë edhe një angazhim diplomatik me qëllim arritjen e një zgjidhjeje midis palëve në konflikt.

Pas sulmeve, u shqiptua fjala “Parisi ndryshon gjithçka”. Në fakt, nuk ndryshon asgjë.

Është e sigurt se ne nuk mund ta luftojmë terrorizmin me mjetet e tij. Kjo përfshin retorikën ushtarake të hakmarrjes, e cila jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por mund të krijojë një tokë pjellore për sulme të reja terroriste. Çarmatosja fillon me gjuhën.

Autori është ekspert në ekonomi dhe politikat monetare. Jeton në Düsseldorf.

Marre nga Observer.al

Share: