Home KRYESORE A ka dështuar “revolucioni në taksa” i nisur në dhjetor 2013?

A ka dështuar “revolucioni në taksa” i nisur në dhjetor 2013?

A KA DESHTUAR “REVOLUCIONI NE TAKSA” I NISUR NE DHJETOR 2013? – PYET ADRIAN THANO (Gazeta DITA)…

____________________________________________
A ka dështuar “revolucioni në taksa” i nisur në dhjetor 2013?

Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij prezantuan në fundin e 2013-s (pak pasi kishin ardhur në pushtet) një projekt të ri të sistemit fiskal.

U premtua një ndryshim radikal në politikën e vendit dhe në raportin e trinomit qeveri-oligark-qytetar.

Teorikisht u synua rritja e nivelit të vjeljes së të ardhurave në industritë prodhuese në Shqipëri në sektorë strategjikë si hidrokarbure dhe miniera.

E njëjta gjë u synua edhe me koncesionet (monopolet e pashpallura) në të tjerë sektorë, përfshirë dhe rritjen e tatimit shtetëror mbi fitimet e këtyre korporatave të mëdha.

Dimensioni i dytë i kësaj lëvizje ishte përpjekja për uljen e çmimeve në ushqime dhe barna për qytetarët duke reduktuar detyrimet dhe taksat e kompanive që i i tregtojnë ato.

Dimensioni i tretë ishte ndërhyrja në paga dhe në të ardhurat e qytetarëve me pagesa tatimesh në varësi të rrogës.

Kjo paketë fiskale e qeverisë kishte një armik të madh: Evazionin e trashëguar fiskal në këtë vend si dhe disiplinimin e marzhit të fitimit të korporatave.

Pak a shumë të njëjtat masa mori dhe qeveria italiane pak kohë më parë por me një ndryshim: Përpara se të bënte projektin forcoi masat dhe filtrat ndaj bizneseve dhe korporatave.

Për shembull, kompani të importit të naftës në Itali, deklaronin marzh fitimi 25-30 %, qeveria ndërhyri dhe ua reduktoi marzhin e fitimit 10-15% duke u rritur taksën pa lejuar që rritja e taksës të shkarkohej tek qytetarët. Përveç këtij disiplinimi në marzhin e fitimit, qeveria italiane të paktën nuk kishte problemin e evazionit fiskal dhe deklarimit të rremë të korporatave siç e ka qeveria shqiptare.

Sfida në Tiranë ishte (dhe mbetet) e dyfishtë.

Logjika ta do që përpara se të hartonte këtë paketë fiskale, qeveria do të duhej më parë të ndërhynte fuqishëm dhe pa ekuivok në shmangien e evazionit fiskal që kryejnë korporatat dhe sidomos importuesit e mëdhenj në këtë vend dhe të vendoste në parametra normalë marzhin e fitimeve të tyre.

Ndryshe paketa do të kthehej në autogol për qeverinë.

Rritjen e taksave ndaj korporatave, këto të fundit (nëse vazhdonin) të operonin me bilance të rreme do e shkarkonin tek qytetarët e për më tepër bilancet dhe borderotë e rreme do të shkaktonin edhe ulje drastike të të ardhurave aq të nevojshme për buxhetin e shtetit.

A pati sukses kjo ndërhyrje kurajoze për rivendosjen e tregut në shina?

Rezultatet janë të brishta.

Borxhi që iu kthye biznesmenëve si hap i parë për rigjallërimin e ekonomisë, rezultoi një dështim. Paratë e marra nga biznesi i madh ndikuan në rritjen e borxhit publik, por nuk ndikuan në treg sepse nuk u hodhën masivisht aty siç pritej.

Prodhim nuk ka. Tatimet janë në ngërç. Bilancet e rreme kanë vijuar dhe janë thelluar, të ardhurat vijojnë të fshihen. Doganat dhe Tatimet gjithashtu nuk i realizuan të ardhurat dhe ky është shkaku real i nervozizmit aty.

Dy vjet pas shpalljes së “revolucionit në taksa” qeveria po çon në limite presionin tek të vegjlit e pambrojtur.

Por gjithë kjo energji e derdhur tek ata duhet të kanalizohet drejt oligarkëve, siç synonte projekti fillestar.

Vështirësia nuk qëndron tek vendimi, por se si bashkëjeton me të.

Pas kaq shumë tërheqjesh ndoshta Rama e ka kuptuar këtë.

Bëjnë mirë ta kuptojnë edhe të kamurit e pangopur të këtij vendi.

Ndryshe ata që përçmoni kur i shikoni në rrugë me ato fytyrat e verdha, teshat e vjetëruara dhe vështrimin e turbullt në një mënyrë apo në një tjetër do t’u afrohen përditë e më shumë mureve të lartë të vilave dhe rojeve të shtuara të fshatrave turistikë.

Janë të paushqyer, të paarsimuar dhe të braktisur. Frikshëm të braktisur.

Dhe “ata” janë shumica.

http://www.gazetadita.al/shenim-revolucioni-ne-taksa-a-do-tia-dale-mbane-edi-rama/

Share: