Home KRYESORE A mund të vazhdojmë të heshtim ndaj dhunimit te gruas?

A mund të vazhdojmë të heshtim ndaj dhunimit te gruas?

Nga Jeta Katro

Ndërsa lexoja një denoncimin të një anëtareje të një këshilli bashkiak rural, e theksoj rural, të Marok-ut mbi dhunën dhe taktikat e frikësimit të përdorura ndaj saj vetëm për t’a penguar në marrjen e një pozite drejtuese në këshill, vetiu m’u kthye vëmendja tek aktualiteti shqiptar. Dhe rastësisht kjo përkonte me ditët e luftës kundër dhunës ndaj gruas në nivel global. M’u fanitën kaq shumë gjëra njëherazi në mendje mbi atë çka ndodh tek ne çdo ditë lidhur me dhunën, sidomos asaj të ushtruar ndaj gruas, por dhe asaj të ushtruar në shoqërinë shqiptare, sa që me plot gojën mund të them se dhuna tek ne është ulur këmbëkryq duke u bërë sa tradicionale aq edhe e zakontë. Aq të shumta ishin faktet, sidomos në këto vite të fundit të tranzicionit, sa që e kisha të vështirë t’i rendisja ato në kohë dhe hapësirë.

U përpoqa së pari të kujtoj suksesin e luftës kundër dhunës tek ne (i referohem më shumë asaj ndaj gruas prej një periudhe më shumë se një dekadë e gjysmë), ku ndër më kryesoret do të rendisja miratimin e ligjit “Kundër Dhunës Ndaj Gruas”, përpjekjet për ndërgjegjësimin e opinionit politik e publik, hapjen e strehëzave për gratë e dhunuara, shërbime për mbrojtje ligjore falas për to, trajnime në komisariatet e policisë apo dhe në grupe të ndryshme të komunitetit, vulnerabël ose jo, e të tjera si këto. Programe dhe donacione pa fund në mbështetje të këtyre programeve, të thithura nga shoqëria civile, sidomos nga shoqatat që sot quhen lupo të thithjes së fondeve të disa prej donatorëve më të mëdhenj në Shqipëri, edhe pse rezultatet konkrete të tyre nuk e arritën aspak pritshmërinë. Instiktivisht hamendësova mbi efektin e këtyre përpjekjeve mbi aktualitetet në vend.

jeta katro konferenceAjo që së pari më erdhi në vëmendje ishte numri në rritje i grave të dhunuara që sot kap shifrën 59.4 % të gjitha formave të dhunës ushtruar ndaj gruas shqiptare. Madje dhe asgjësimi fizik i shumë prej tyre, që për pasojë, në disa vite të këtij tranzicioni çoi në rritje (edhe pse modeste e të pazakontë për kulturën shqiptare) të numrit të grave në burgje si rrjedhojë e vrasjeve të partnerëve të tyre. Ishte ndoshta reagimi ndaj zemërimit të akumuluar përgjatë një jete të tërë, dhe lodhjes nga kalvari i vuajtjeve, që vinin nga një dhunim pa fund. Dhe s’ishte më habi ta dëshmoje dhunën të shoqëruar me teknika presioni, frikësimi, manipulimi, ndoshta dhe korruptimi, deri tek gratë e institucioneve të larta publike, që fatkeqësisht kalonte në heshtje e pa përpjekje për t’u luftuar. Dhe s’ka si si të luftohet për aq kohë sa ato, gratë, nuk e denoncojnë dhe nuk protestojnë fuqishëm, publikisht në një front të bashkuar kundër këtij fenomeni, që tashmë ushtrohet jo vetëm tek gratë e thjeshta, por dhe ato të insitucioneve publike, lokale e qëndrore, të zonave rurale e urbane.

Por le ta nisim me atë që është më e dukshme. Të gjithë jemi dëshmitarë të tërheqjes nga skena politike e shumë e shumë grave nga pozicione të larta të vendimmarrjes apo të jetës politike e publike pa dëgjuar historitë dhe kundërshtitë e tyre. Mësuam dy vjet më parë mbi tërheqjen e tre deputeteve nga mandati i fituar nga vota e elektoratit, me një justifikim të pa justifikuar, apo histori të pa treguar. Dëshmuam në vazhdimësi tërheqjen e një sërë politikanesh me karierë, që tërhiqeshin nga skena politike e publike për t’iu kthyer rolit të “nënës” në familje, edhe pse këtë rol nuk ua kishte penguar ajo, karriera. Dëgjuam fyerjen publike të gruas të një ministri nga një ish kryeministër i vendit, që për ironi nuk ishte pjesë e institucionit, por ishte “grua” qe edhe pse s’kishte bërë asgjë për të merituar atë fyerje, i duhej te paguante “haraçin politik” të bashkëshortit. Dhe kështu vazhduam të dëgjojmë e të dëgjojmë deri në përbuzjen publike ndaj grave në pozicione kyce të egzekutivit dhe legjislativit nga drejtues kryesorë të forcave politike të opozitës, për aftësite e tyre të ”kufizuara”drejtuese.

Të quash mungesën e argumentit harxhim kohe, siç shprehen ata, shkon përtej shprehjeve therëse dhe fyese, shkon përtej dhunës verbale mashkullore të risjellë në skenën politike shqiptare nëpërmjet ngjalljes të steriotipeve gjinore. Vazhduam indiferente të ndiqnim sulmet mediatike ndaj jetës të tyre publike e private, me raste dhe të aferave korruptive, por që më tepër ishin sulme kundër asgjësë, nga persona publik e jo publik, të mbrojtur nga statusi i pushtetit, politikës, biznesit, dhe çuditërisht dhe atij të artit. Heshtja e krijuar edhe si rrjedhojë e mungesës së një fronti të bashkuar në luftë kundër kësaj dhune, duke nisur nga përfaqësueset e forcave politike në parlament, forumeve te grave të partive politike e deri tek shoqëria civile risolli dhe do të vazhdojë të risjellë dhunën.

jeta katro me grateBrënda kësaj vorbulle, sigurisht nuk mund të çuditeshim më për rastet e dhunës të ushtruar nga vetë gratë, që në emër të fjalës të lirë nuk kursyen asnjë pjesë të sjelljes dhe leksikut më harbut e banal mashkullor. Dhe përsëri asnjë reagim. Asnjë reagim tek dëgjonim një kryetare të Kuvendit të Shqipërisë t’u vërsulej kolegëve meshkuj të opozitës me fjalor dhunues e vulgar, qe s’i shkonte për shtat gruas që rrekej të paralelizonte profilin e saj me gra te hekurta, të fuqishme e potenciale si Margaret Thatcher e Angela Merkel, edhe pse s’kish asgjë të përbashkët me to. Kishte nga ato gra që shkonin edhe më tej tek ndërseheshin në emër të partisë ndaj kolegut opozitar me varje në qendër të kryeqytetit në emisionet televizive. Sikundër kishte dhe gra që u vërsuleshin homologeve të tyre të krahut tjetër politik, sepse kështu kërkonte lidershipi politik. Kjo ndodhte ndërsa heshtej ndaj problemeve kritike që preknin ndjeshëm statusin e gruas. Një heshtje me kosto të lartë, që do të lejonte të kufizoheshin mundësitë për të inkurajuar lindjet në vend për shkak të uljes të buxhetit (të miratuar edhe me votën e grave deputete) mbi pagën e barrëlindjes. Ndërkohë dëshmohet e kundërta në vendet e BE-së, edhe pse brënda të njëjtës periudhë, të cilat nxisnin politika proaktive për shtimin e popullatës tashmë në plakje, fenomen ky i shumë vendeve të Europës, përfshi dhe Shqipërinë.

Duket sikur politika, por dhe vetë shoqëria ndihen komod brenda këtij mjedisi të dhunshëm politik e shoqëror, madje duke besuar se i japin bonus performancës së tyre nëpërmjet përdorimit të sulmeve me fjalë sa të pista, banale e të rëndomta, po aq dhe fyese për këdo që i dëgjon. Kjo pa dyshim do të çojë në rritje të dhunës ndaj gruas, nëse vazhdojmë të jemi sehirxhij. Për fat të keq, ky mjedis është zgjeruar aq sa e gjen rëndom në shkrime apo postime të shumta në facebook të politikanëve e intelektualëve, çuditërisht edhe atë të akademikëve. E gjen në postimet e njerëzve të thjeshtë të mbytur në halle, që mesa duket ndihen të lehtësuar tek zhyten në harresën e halleve, si pasojë e mungesës të alternativës, që çon në zgjidhje të halleve. E gjen edhe në rrugë, tek dëgjon të rinj, që ecin përbri teje duke shqiptuar me zë të lartë fjalë të cilat e ke të rëndë t’i dëgjosh në prani të tjetërkujt, e që të bën të ndihesh i dhunuar verbalisht edhe ti.

E gjen dhe në parlament e përballje publike të të gjitha niveleve. Habia nuk ka fund tek mendon se sa shpejt u tjetërsuam duke lejuar që kjo dhunë të prekë tashmë jo vetëm individin, por edhe komunitetin, madje dhe më gjerë, shoqërinë. Për të gjitha këto s’ka se si të mos dhunohet gruaja kur dhunohet një shoqëri e tërë. S’ka se si të vazhdosh t’i kërkosh komunitetit europian mbështetje morale e financiare për të plotësuar kërkesat e antarësimit në BE, për aq kohë sa nuk je në gjendje të plotësosh objektivat e zhvillimit të qëndrueshem, që s’mund të realizohen pa stabilitet. Por a mund të ketë stabilitet në një mjedis të tillë të dhunshëm? A mund të ketë stabilitet kur dhuna vazhdon të rishfaqet në rrugët e kryeqytetit dhe mjediset publike, dhe të nesërmen jeta vazhdon normalisht sikur kjo ti përkiste të djeshmes dhe askush nuk mban përgjegjësi?

Por le ti kthehemi dhunës ndaj gruas. Format e protestave rakitike në rrugët e kryeqytetit kundër kësaj dhune, apo dhe peticioneve e deklaratave të thata, të përsëritura e stërpërsëritura publike, pa kërkesa e propozime konkrete, pa vulën e solidaritetit masiv të shqiptarëve, për të sjellë alternativa, që çojnë drejt përmirësimit të situatës deri në transferim përgjegjësish, janë tashmë shumë të vjetëruara e të dala jashtë kohe. Si të tilla, ato nuk do të mund të ulin shkallën e dhunës së ushtruar ndaj gruas, që është gjithnjë në rritje. Ato janë thjesht një orvatje për të justifikuar fondet e mara pavarësisht se janë aktivitete te dështuara. Ndonëse janë forma të huazuara nga ndërkombëtarët, ato kanë dallim esencial me to, pasi në rajon e në botë, ato janë aksione masive dhe mbajnë vulën e mijëra e qindra mijëra grave, të rinjve e të rejave. Të rreshtuara krah për krah në mbrojtje të kërkesave të tyre, e të udhëhequra nga një platformë unike, e qartë dhe konkrete, aksionet e tyre bëhen të fuqishme deri në kërcënim të pushtetit. Eksperiencat në botë kanë treguar se deri presidentë kanë ardhur në pushtet nga votat e grave (SHBA), ashtu si kanë treguar se janë rrëzuar referendume për shkak të mos mbështetjes nga ana e grave (Francë).

jeta katro me burraNdryshimi ndodh nëse di të administrosh dinamikën e zhvillimeve në vend edhe në favor të grave. Mbështetja apo bashkimi virtual i forcave dhe përpjekjeve në këtë fushë do të mund të sjellë ndryshimin edhe pse jetojmë në një mjedis të dhunshëm, së fundi të kërcënuar dhe nga aktet e terorrizmit. Ndryshimin e tregojnë faktet dhe shifrat e e rezultateve të adresimit me sukses të çështjeve jetike për gruan. E tregojnë eleminimi i shkaqeve strukturore të varfërisë me anë të ndryshimit të strukturave ekonomike, që sigurojnë akses të barabartë të burimeve produktive, oportunitete dhe shërbime publike për të dy gjinitë. E tregon mundësimi i një kuadri legjislativ funksional, ratifikimi i konventave të ILO-s, realizimi i 17 objektivave të OKB-së mbi zhvillimin e qëndrueshëm, që ndihmojnë fuqizimin ekonomik të gruas, të njohur tashmë si një prej faktorëve të rëndësishëm për uljen e dhunës ndaj saj. Prandaj, të gjitha sa më sipër, duhet të jenë pjesë e objektivave të axhendës së lëvizjes të gruas shqiptare, duke nisur që nga axhenda e Aleancës të Grave Deputete e deri tek ajo e organizatave të grave urbane e rurale e të gjitha niveleve. Angazhime të tilla të Aleancës të Grave Deputete si ai i avokatisë për një përfaqësim më të gjërë të grave të trojeve shqiptare të Ballkanit në vendimmarrje nuk janë dhe nuk mund të jenë prioritete të axhendës të tyre në këtë periudhë sfidash e krizash ekonomike e politike në vend e rajon. Nuk mund të jenë prioritete të tyre për aq kohë sa dhuna kundër gruas vazhdon të jetë në rritje. Nuk mund të jenë prioritete të tyre për aq kohë sa steriotipet gjinore gjallojnë deri në nivele të larta të pushtetit, për aq kohë sa vendi përballet me problemet e mjedisit natyror, që aktualisht kanë ngadalësuar zhvillimet ekonomike, për aq kohë sa reforma territoriale përballet me sfida që ndjeshëm prekin statusin e gruas, për aq kohë sa statistikat të flasin për mijëra vende pune të mbyllura (disa statistika flasin për 73 mijë), dhe kur papunësia mbetet ende në nivele të larta (shifra zyrtare 17,4%). Prandaj është koha t’I themi stop kësaj heshtjeje. Dhe jo vetëm…

Share: