Home I pakategorizuar BREDHI NË SALLONIN TIM…

BREDHI NË SALLONIN TIM…

Nga Anisa Markarian

Sonte nuk po më flihej…

Prita t’i zinte gjumi të gjithë dhe, në majë të gishtave, këmbëzbathur, erdha u shtriva nën bredhin kryelartë që ka pushtuar përzemërsisht hapësirën e sallonit tim.

Petkun festiv akoma nuk ia kemi veshur. Ngathtësia përtace e mbrëmjeve që përmbyllin ditët e gjata të punës, ma ka topitur dellin stolitës. Ime bijë, tepër e zënë me rininë e vet të ethshme, nuk ka kohë për t’i kushtuar. (Rend pas të tjerë koniferësh të hajthshëm, që e joshin me lëvoren e fortë sensuale nga dërsitin bulëza esencash vajore.)

Për të fundit herë sonte, bredhi do t’u përngjajë shokëve që mbetën në pyllin nga vjen. Nesër, im bir do ta shndërrojë në OBJEKTIN e festës, duke i derdhur mbi shpinë racionin e përvitshëm, (gjithnjë e më të rëndë, gjithnjë e më llamburitës), të goglave, zilkave, kurorave, topthave, fjongove, gjerdhanëve xixëllues…

Me hundën të ngjitur tek cipa e drurit, nuhas symbyllur nënsqetullat e lastarëve, aty ku nyjëzohen me trungun dhe e burrërojnë. Gishtërinjtë kërkojnë kullesa rrëshire të ngurtësuar, shija e athët e së cilës sikur po më shpon majën e gjuhës. Mbi fytyrë ndjej gudulitë e degëzave më të poshtme, por nuk më bëjnë duart t’i krasis. Janë ende të njoma. I kanë halat të shndritshme, blu të thellë në të gjelbërt, sythet të saposhpërthyer, boçet adoleshente me luspat ende të mbyllura.

Tek përkundet, maja qiellore e bredhit ma spërkat trupin me kokërriza kujtimesh botanike. Thirrja instinktore është djallëzisht e rrezikshme, por s’paskam dëshirë t’i rezistoj. Në djall vetëkontrolli dhe gardhet e çensurës hipokrite !

Kangjellat e kujtesës sime u çdrynosën sonte. Raftet, sirtarët, valixhet, dollapet, kasafortat, ku kisha renditur e arshivuar përkujdesisht ndjesitë shqisore të jetës, m’u bënë lëmsh, papritur. Si një «puzzle» gjigant, i pandërtuar, i papërngjitur, i pakombinuar, me pjesët të hallakatura sa majtas-djathtas dhe pjesë të tjera në prodhim, kujtesa ime është një kantier pambarim.

Sonte, kërkoj edhe unë koniferin tim. (Jam gocë Selvie, në fund të fundit.)

Po të pres symbyllur… Ti do të vish, apo jo ?

Po zhytem në humnerat e kujtesës sime. Kërkoj erën tënde si dikur, si tani, si gjithmonë, kur temjanisja strofullën tonë me aromën hundëshpuese të kristaleve rrëshinorë, që ndizja mbi prushin e mangallit.

Më shfaqen thepat, rrëpirat, skutat, brimcat e tua, të butat e të ngurtat, mbi të cilat lashë çdo herë një të puthur. Më tingëllon në vesh melodia e fjalëve të folura dhe atyre të pathëna që, gjithësesi, ua di përmbajtjen e më rrënqethin kurmin. Më lëngëzon ëmbëlsia e nënbuzëve të tua, që i shijova me grykësi, me pangopësi, gjer në piklën e fundit.

Marr fryme thellë, paqësisht, ëmbëlsisht, e shtrirë nën bredhin rinor. Po ëndërroj…

Mbi qepallat e përgjumura, më pikojnë vezullime hënore të degëzave të njoma, në shenjë falënderimi që nuk i sakrifikova.

A.M.©

Share: