Home KRYESORE *Hej, malli për ty…

*Hej, malli për ty…

Nga Agim Pipa

*Hej, malli për ty
nuk është pallto me push në dimër;
as fluturimi i patave të egra; as
një biletë kinemaje, për të parë Sheron Stownin;
as
titulli i bujshëm i një romani bestseller,
që vjen nga kolonia blu
e oqeanit,
ku udhëtojnë kroçierat e rënda.

Malli? ja tek është:
siluetë e bardhë dimërore;
një trëndafil i egër në stinë vere;
pak bukë me gjalpë; feta të holla sallami;
ujët, që kumbon mbi lavaman
dhe një gotë verë
nën qiellin e mbrëmjes;

pastaj, si fund,
një fërshëllimë treni dhe
hutimi para konduktores,
që prêt t’i japësh biletën
ndërsa larg fluturojnë
zogjtë e hënës

kaq,
çfarë tjetër?

Po vijnë krishtlindjet, malli im…

Share: