Home KRYESORE Kriminelët idealistë!

Kriminelët idealistë!

Nga Rezart Palluqi

U desh një çerek shekulli, që të zbulohej skenari hoxhist i pardesyve të bardha të Ramiz Alisë, Sali Berishës, Azem Hajdarit, Gramos Pashkos me shokë. Por më e tmerrshmja nuk janë 25 vitet e humbura. Jo, jo! Tragjedia këtu prehet në shpirtin e klasës intelektuale shqiptare. Në vitin 1991, e gjithë inteligjencia shqiptare ka qenë në dijeni të plotë të pardesyve të bardha. Të gjithë pa dallim. Përfytyrojeni sikur të paktën një pjesë e intelektualëve të kishte dalë në vitin 1991 ose në vitin që pasoi dhe të kishte ulëritur përpara mediave: “Populli im i dashur! Populli im i mpirë prej lagështirës dhe ingransisë së izolimit diktatorial. Populli im,! Oj, nëna dhe baballarë shqiptarë, me zemër dhe trupe të enjtura prej kafshimeve të nëperkave hoxhiste! Sali Berisha, ka qenë doktori i Enver Hoxhës. E gjithë protesta e studentëve, dhe revolucioni demokratik që Berisha me pjellat e tij ju trumbeton sot, dhe ju hidheni në ajër nga gëzimi, është i dirigjuar prej Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës dhe tërë aparaturës së regimit hoxhist. Mos e votoni Sali Berishën, o shqiptarë! Ai është juda që do t’ju kryqëzojë edhe disa herë të tjera!”

Supozojeni pra, nëse piktorët, shkrimtarët, skulptorët, këngëtarët dhe e tërë klasa intelektuale do ta kishte bërë këtë! Si do t’ishte Shqipëria sot? Sa e fortë apo e dobët do t’ishte mendja shqiptare ? Sa e pastër apo e qelbët do t’ishte politika shqiptare dhe populli që e zgjedh atë? A do t’ishte frenuar ose minimizuar dëshira për të emigruar masivisht? Sa optimist apo pesimist do t’ishte shqiptari, sot, mbas 25 vitesh, për të ardhmen e tij në Shqipëri?

Është mjaft e trishtë që në vitin 1991 inteligjencia shqiptare heshti. Çfarë e pengonte atë ta ngrinte zërin? Enver Hoxha pati vdekur. Edhe diktatura, që rrëzuar. Shkurt, jeta e tyre, nuk rrezikohej. As ajo e familjeve të tyre. Për fat të keq, ajo heshti. Ajo e kryqëzoi popullin shqiptar, kësaj radhe me duart e saj, dhe jo me thikën e Enver Hoxhës. Ajo, jo vetëm heshti, por edhe e përkrahu Sali Berishën, me pjellat e Enver Hoxhës, që e ndiqnin nga mbrapa, si demokratë të flaktë. Dhe le të mos më dalë njeri dhe të më thotë: artisti nuk merret me politikë?!

Përgjigja ime është: “Artisti, apo shkrimtari, nuk merret me politikë, kur paralajmëron popullin e tij, ose njerëzimin kur bariu e çon kopenë e tij në kasaphanë?! Kjo vlen edhe për një prind. Gjëja më e paktë që mund të bëjë një prind ndaj një fëmijë që po rrëshqet në rrugën kriminele, është ta paralajamërojë atë fuqimisht për rrezikun që e pret.

Për fatin tim, për fatin tonë të zi, arstistët, jo vetëm që nuk ia dhanë shqiptarit sinjalin e shenjtë në kohën e duhur, por heshtën, ngaqë përfituan të gjithë, kush më pak, kush shumë, prej qeverisë së Sali Berishës dhe të gjitha qeverive të tjera që pasuan. Unë nuk mbaj mend një arsist shqiptar, që t’i ketë thënë në emër dhe mbiemër , Sali Berishës! Stop! Ti je vrasës! Ti je shkatërrues i popullit tim! Asnjë! Nuk njojh ndonje roman te lakuriqte, ku te jene letrarizuar troç, pa bythepredrejdhje, krimet e Sali Berishes, duke pershfire ketu eshte revolucionin artificial te “pardesyve te bardha” .

Në hapësirën e Shqipërisë në Kosovë,, këtë e ka bërë Rexhep Qosja. Është e vërtetë! Por, ai, kafshoi Berishën dhe Mustafën, dhe puthi KRYVRASËSIN, Enver Hoxhën. Edhe ai hesht me vetëdije të plotë, ndaj qeverisë së Edi Ramës(PJELLËS HOXHISTE) dhe krimeve të tij, herë transparente, herë të mbështjellura me mjegullën mafioze. Protesta e Rexhep Qoses eshte sikur une, gjarperit me “dy koka” tia godas me gure “koken e djathte” dhe ledhatoj plot dashuri “koken e majte”!

Pasojat e kësaj, heshtjeje janë totalisht kombshkatërruese. Nëse ata do ta kishin denoncuar Sali Berishën, gjërat do të rridhnin ndryshe. Tymi i zi, i vitit 1997 nuk do të kishte ardhë kurrë. Sali Berisha nuk do të zëvendësohej prej satelitit të tij, Lulzim Bashës. Në pushtet nuk do të kishte ardhur kurrën e kurrës gjysma tjeter e bllokut hoxhist. Por edhe nëse do të kishte ardhë, ajo do të ngjitej në pushtet e vetme, pa përkrahjen herë direkte, herë indirekte, të klasës intelektuale.

Përkrah kësaj, edhe pse me vonesë, në horizontin e inteligjencies shqiptare, do te kishin lindur disidentët, aq të nevojshëm, dhe jetikë për shpirtin dhe moralin shqiptar. Ata artistë do t’ishin mohuar padyshim prej Tiranës post-hoxhiste. Pa dyshim që nuk do të shijonin asnjë përkrahje prej saj. Mirëpo disidentit të vërtetë nuk i digjet shpirti për lajkat dhe vlerësimin e qeverive post-diktatoriale. As nuk do t’i bëhej vonë nëse nuk do të fitonte çmime apo hidhte në tregun shqiptar shpirtin e tij artistik. Ai do të jetonte në Perëndim, dhe do të shërbente si një burim shpresëdhënës dhe “model “i aristit universal, që vë lirinë e popujve mbi suksesin e tij personal. Kjo nuk ndodhi, dhe konsekuencat janë nihiliste. Mbas vitit 1991 lindën edhe të paktën 3 breza të tjerë kriminelësh, gënjeshtarësh dhe pseudo-intelektualësh. Opozita e mirëfilltë, nuk ka ekzistuar asnjëherë. Ne nuk kemi opozitë.

Drama ka degjeneruar deri aty, o Shqipëri, saqë trupi yt është kalbur totalisht. Prej kancerit, nuk vuan vetëm ti, o Shqipëri, por edhe kirurgu që pretendon të të shqyejë me thikën e tij, gjymtyrët e tuaja të kalbura. Në vitin 1991 kanceri, të kishte qelbëzuar vetëm kraharorin dhe disa pjesë të trurit. Dhe aty, kur ti mendove, oj Shqipëri, oj qiell tragjik, aty kur shpresove, se kirurgu me pardesy të bardhë, do t’i operonte gjymtyrët e prekur prej kancerit hoxhist, ti u braktise në sallën e operaconit. Shkrimtarët, këngëtarët, skulptorët dhe të gjithë ata shqiptarë që ecin në rrugë me stampën e “intelektualit” në ballë, heshtën edhe kur kirurgu Sali Berisha ty ta hiqte serumin nga damarët, apo të helmonte me ilaçe të gabuara. Madje disa prej tyre, që gëzojnë famë të madhe, përpara mediave, i lironin rrugën në shenjë respekti Sali Berishës.

Edhe kur kirurgut, po i shqyhej pardesyja “judiane” në trupin tënd të mbushur me gjemba dhe maja thikash të ngulura, disa pseudo-intelektualë iu kundërvunë Berishës, por atëherë ishte shumë vonë. Nuk mund t’i kundërvihesh një kirurgu vrasës, kur ti, prej vitesh ia ke mprehur thikat e tij vrasëse. Dritëro Agolli, bëri karrierë në kohën e Sali Berishës. U bë me shtëpi botuese të tijën. Fill mbasi Berishës iu desh tia dorëzonte pushtetin hoxhistëve Nanoistë dhe më vonë, Ramistë, Agolli, e thumboi Berishën butë dhe me porosi nga lart. Por thumbat e tij, e kafshojnë trupin e bishës, siç kafshon një foshnje e padhëmbë cicat e mamasë.

U desh të avullojë një e katërta e shekullit, që shqiptari i mashtruar katërcipërisht, të zbulonte bishat komuniste brenda pardesyve të bardha. Halli që na ka zënë si komb është i jashtzakonshëm. Vetëm një mrekulli të shpëton ty oj Shqipëri! E them këtë, sepse edhe dikur, shqiptari më i ndershëm, sot, i ka duart e pista. Jemi aq larg së vërtetës, apo qiellit të së vërtetës, saqë, sot, ne vleresojmë retorikën e politikanëve tanë kriminelë. E kam fjalën për retorikën e kriminelëve idealistë. Të njëjtët njerëz që të shkatërruan dje, sot bëjnë lloqe për drejtësi dhe akuzojnë ata që të shkatërruan, ndërkohë që ata janë vetë “shkatërruesit tuaj”

Sapo kemi hyrë në epokën e kriminelëve idealistë. Idealizmi ka rënë në duart e kasapëve. Dhe çbën ti dhe unë? I duatrokasim fjalimet e tyre retorike. Ndërsa intelektualët tanë, duke heshtur, ose duke i rënë së vërtetës, anash e anash, pra duke lundruar në zonën e “as mish, as peshkut” legjitimojnë hipokrizinë e tyre “judiane”.

Sa pisk që e ke punën oj Shqipëri! Ngado që të arratisesh, do të përfundosh në DY fole ujqërish. Në njërën fole, do të ndeshësh ujqërit klasikë, që mprehin dhëmbët dhe ëndërrojnë për të shqyer sa më shumë fyte të deleve.

Ndërsa në folenë tjetër, do të ndeshësh pseudo-intelektualë, që i këndojnë poezi, luajnë piano, dhe pikturojnë momentet, kur ujqërit i turren kopesë së deleve, dhe kafshojnë ato, përveç çobanit, që e ndan bashkë me ujkun, trupin e deleve të shqyera…

Amsterdam, 9 dhjetor, 2015

Share: