Home KRYESORE KRIZË VLERASH!

KRIZË VLERASH!

Nga Alfons Cupaj

Nëse ka një krizë për të cilën duhet vërtetë të shqetësohemi është kriza e vlerave. Kjo është kriza e të gjitha krizave, është më e madhe se kriza politike, shoqërore, intelektuale dhe kulturore ku është zhytur vendi ynë. Ka vetëm një arsye, ne nuk lexojmë, nuk blejmë libra, nuk përfshihemi në aktivitete kulturore dhe artistike. Smartfonët, jeta e natës, kafenetë, markat e njohura të veshmbathjeve, makinat e bukura na e kanë trazuar gjykimin.

Etja për tu dukur na ka zhbërë si qenie humane, duke devijuar frikshëm nga roli ynë që kemi në këtë planet. Raporti i fondacionit gjerman ‘Friedrich Ebert’ për Rininë Shqiptare sjell disa të dhëna dramatike, por jo të panjohura, çka të bën të jesh pesimist për një të ardhme pozitive të vendit tonë. Sipas të dhënave të raportit, rezulton se të rinjtë shqiptarë parësore kanë dukjen, dhe shpenzimet më të mëdha i kryejnë për të blerë veshje, këpucë dhe aksesorë. Sipas raportit, të rinjtë shqiptarë shpenzojnë mesatarisht 4560 lekë në muaj vetëm për veshmbathje.

Sigurisht, një i ri që shpenzon shumë për dukjen e tij ka një arsye madhore, të ‘duket’ sa më shumë në baret, pubet dhe kafenetë që ai do të frekuentojë. Raporti thekson se të rinjtë shqiptarë shpenzojnë mesatarisht 3870 lekë çdo muaj vetëm në bare dhe pube. Konkluzioni është i qartë si drita e diellit, këta të rinj që jetën e çojnë dëm nëpër bare, shpenzimet më minimale i kryejnë për të blerë libra, për të frekuentuar kinemate, teatrot dhe aktivitetet e ndryshme kulturore, ku sipas fondacionit gjerman shpenzojnë vetëm 540 lekë në muaj.

Produkti është një rini e paralizuar, një rini që nuk zotëron njohuritë më minimale, por që është shtylla kryesore dhe që ka në dorë fatet e vendin. Jemi kthyer në parazitë. Hamë, pijmë dhe flemë me gerhima, për t’u zgjuar sërish për të ngrënë. Nuk kemi pse të çuditemi, kështu i kemi ndërtuar gjërat dhe jemi të gjithë fajtorë. Ndaj ne nuk lexojmë sepse nuk kemi modele. Nuk lexojmë sepse shembujt e jetës së përditshme nuk e dinë se çfarë është leximi. Nuk lexojmë sepse mendimi intelektual është mbytur, nuk dëgjohet, politika e ka zbythur intelektualin. Vallë ku po shkojmë?

Share: