Home KRYESORE Kur njeriu e bën gjëmën më të madhe se natyra!

Kur njeriu e bën gjëmën më të madhe se natyra!

Nga Mentor Kikia

Fotoja e parë është një vullkan, është një fatkeqësi natyrore. 200 vjet më parë shpërtheu Tambora, në Indonezi, ndër më të mëdhenjtë në historinë e dokumentuar të globit. Çorientoi tërësisht klimën, shkaktoi lëvizje masive të popullsisë dhe uri në shumë vende. Padyshim dhe shumë viktima. Kjo ndodh kur do natyra, nuk e kurdis dhe nuk e pengon askush.

Fotoja e dytë tregon refugjatë sirianë. Prej katër vjetësh vazhdon arratia rraskapitëse nga vendi i tyre, i zhytur në një luftë që nuk dihet më as kush e bën, as pse e bën dhe as kur do të mbarojë. Kjo nuk është një fatkeqësi natyrore. Por gjëma është shumë më e madhe. Gjithnjë e më shumë bindem se luftrat ndodhin atëherë kur dikush apo disa duan të ndodhin. Ato nuk janë produkte të rrethanave historike, sociale apo ekonomike. Ato janë aktivitete, janë sipërmarrje të dikujt apo disave, për interesa ekonomike, politike dhe gjoestrategjike. Luftrat dirigjohen. Aq më shumë luftrat civile. Ato thuren diku më parë, përcaktohen armiqtë, të ndarë kryesisht sipas besimit apo rracës. Armatosen, strëviten e më pas vihen të luftojnë. Përcaktohet zona e veprimit, deri ku do të shkojnë e ku duhet të ndalojnë. Atyre u shiten armë e u merren pasuritë. Rolet janë të ndara. Disa(ata që u japin armët) u marrin pasuritë. Disa paguajnë kostot në emër të humanizmit. Pastaj vijnë organizatat e të emigrantetdrejtave të njeriut. Ato financohen të numërojnë viktimat e dhunës. Organizatat e shëndetësisë, që duhet të kujdesen për të plagosurit. Mekanizma që vënë në lëvizjë miliarda dollarë. Janë po vetë skenaristët që vendosin se kur do ti japin fund luftës.

Në vendet afrikane, të pasura me naftë e minerale të rralla, njerëzit janë armatosur me kallashnikovë dhe luftojnë e masakrohen në emër të “zotave”, ndërsa kompanitë që vijnë gjithmonë nga 5 vendet anëtarë te përhershën të Këshillit të Sigurimit në OKB, zhvasin pasuritë.

Fatkeqësitë më të mëdha në tokë nuk kanë ardhur nga natyra, por në skenaret që kanë përgatiur vetë njerëzit. Tani sheshxhirimi është në Lindjen e Mesme derisa regjisorët të vendosin se si do ta ndajnë Irakun, si do ta ndajnë Sirinë, cfarë do ti japin Izraelit nga fqinjët që po mbeten shkretë….

Share: