Home KRYESORE Njerëzimi sot ka shumë nevojë për Ty i Dërguari i Zotit!

Njerëzimi sot ka shumë nevojë për Ty i Dërguari i Zotit!

Nga Skender Brucaj

Një ndjesi e veçantë shpirtërore të jesh në Xhaminë e Profetit (a.s.), aty ku fjalët gjunjëzohen para ndjenjave. Në ato momente ke ndjesinë e shkëputjes nga ligësitë e kësaj bote, larg rutinës së zakonshme, më afër shpirtërores.

Si mund të ndodhë ndryshe kur je në prezencën shpirtërore të më të Dashurit të zemrave tona, të udhërrëfyesit të njerëzimit, të dritës së pashuar, që ndriçoi zemrat dhe mendjet tona, tek ai që erdhi si mëshirë për mbarë botët, tek ai që ishte shembulli më i lartë i moralit që kishte parë dhe do shikonte njerëzimi…

Keqardhje për të gjithë ata njerëz që nuk e kuptuan siç duhet mesazhin hyjnor që solli ai.

Keqardhje për të gjithë ata njerëz të vegjël që me veprimet e tyre jo të hijshme pretendojnë se mund të vënë hije mbi personalitetin e tij.

Ai është si dielli për të gjithë myslimanët, dhe siç nuk mund ta shuajnë dritën e diellit me frymë, ashtu s’mund ta shuajnë respektin dhe dashurinë që myslimanet kanë për të.

I derguri i Zotit! Njerëzimi sot ka më shumë nevojë për ty, për mesazhin tënd, për shembullin tënd.

Zot na bëftë prej ndjekësve të sinqertë të traditës tënde, prej umetit tënd të nderuar dhe të denjë për shefatin (ndërmjetësimin) tënd në Ditën e Gjykimit!
Amin…

Medine, 12 janar 2015

Share: