Home KRYESORE Pellumb Xufi: Në Venecia 4000 dokumente për shqiptarët

Pellumb Xufi: Në Venecia 4000 dokumente për shqiptarët

Intervistë e Skënder Minxhozit per Java

Zoti Xhufi, sapo keni përfunduar hulumtimin e arkivave veneciane, në kërkim të dokumentacionit që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët. Çfarë periudhe kohore ka mbuluar studimi juaj dhe sa i gjerë ishte ai?

Pëllumb Xhufi: Unë shkova në Venecia më tepër për të kryer një sondazh e për të tërhequr ndonjë dosje me dokumente, për të cilat kisha dijeni më parë. Por u gjenda përpara një mase të madhe materialesh, të panjohura e të shpërndara në fonde të ndryshme në Arkivin e Shtetit të Venecies, si dhe në Bibliotekat publike e private Marciana, Correr e Querini. Ndonëse e zgjata qëndrimin në dy muaj, munda të tërheq dorëshkrime që lidhen drejtpërdrejt me temën aktuale të studimit, “Një vështrim nga Perëndimi mbi Shqipërinë e Poshtme, shek. XV-XVIII”. Për mungesë kohe, arrita të largohem me pak materiale, por me shumë informacion edhe për dy temat e ardhshme studimore, ato mbi Shqipërinë e Epërme dhe atë të mesme në po ata shekuj. Me përfundimin e këtyre studimeve (me shpresë!), mendoj se do jetë dhënë një kontribut modest për historinë e shqiptarëve në një periudhë të lënë padrejtësisht pas dore, siç është ajo që nis me vdekjen e Skënderbeut dhe merr fund në prag të krijimit të Pashallëqeve të mëdha (fundi shek. XVIII).

Gjithsesi, për temën në studim, kërkimet në arkivat e bibliotekat e Venecies plotësojnë në një masë e cilësi të pashpresuar, tej çdo parashikimi, bazën dokumentare të njohur prej meje, dhe që deri tani përfaqësohej kryesisht nga burime spanjolle, vatikane, greke e osmane. Bëhet fjalë për rreth 4 mijë dokumente, një pjesë e të cilave sjellin të dhëna ekskluzive, ndërkohë që të tjerët konfirmojnë apo rrëzojnë në mënyrë bindëse teza e pohime të mbrojtura deri më tash nga historiografia shqiptare dhe ajo e huaj. Pra, vlera e tyre është gjithashtu e çmuar.

Ka një debat të hershëm shkencor (por jo vetëm), në lidhje me rolin, pozitën dhe protagonizmin e munguar të Shqipërisë, pas pushtimit turk. Sa e vërtetë është kjo tezë?

Vërtet, dhe përderisa kohët e fundit edhe Kryeministri Berisha doli dhe e mbrojti këtë tezë, ka shumë të ngjarë që ajo të hyjë e të zejë vend edhe në tekstet e historisë, të cilët reforma ia ka besuar kronikanëve të zgjedhur. Në fakt, është krejtësisht e kundërta, dhe për të vërtetuar këtë nuk ishte e nevojshme që unë të hidhesha në Venecie, në kërkim të dokumenteve të panjohura. Edhe pa to, janë shkruar e botuar dokumenta e studime jo të pakta për periudhën 1500-1700, të cilat dëshmojnë se Shqipëria vazhdoi, edhe pas Skënderbeut, të jetë vatra e ndezur e rezistencës antiosmane.

I referohem botimeve dokumentare e punimeve të dy medievistëve të shquar, studiues e botues të palodhur dokumentesh: të paharruarit Injac Zamputi, veprat e të cilit duhet të ishin ribotuar shumë më parë se vepra e plotë e Giuseppe Valentinit. I referohem edhe botimeve, e sidomos një studimi monumental të albanologut të përkushtuar Peter Bartl, i cili dergjej i pashfrytëzuar në Bibliotekën Kombëtare, dhe që mu për këtë arsye u vura ta përkthej e ta botoj vitin e shkuar, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Dituria”. Vepra quhet “Ballkani Perëndimor midis monarkisë spanjolle dhe Perandorisë Osmane”, dhe është në 90% të tij një histori evropiane e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në shekujt XVI-XVII.

Pra, me të dhënat e reja unë vetëm sa e përforcoj konkluzionin e historiografisë mbi Shqipërinë, si një gjenerator i historisë ballkanike e evropiane edhe në shek. XV-XVIII. Natyrisht sjell të dhëna të reja, ndonjëherë edhe lapidare, si p.sh. atë të një Ambasadori të Venedikut në Stamboll, i cili në vitet e shkëlqimit më të madh të Perandorisë osmane, shek. XVI, i shkruante Senatit se “në gjithë Turqinë evropiane, Shqiptarët janë të vetmit që luftojnë kundër Turkut”. Atë kohë, shqiptarët, që nga Tivari e deri poshtë në Paramithi e Margëlliç, u përfshinë në një varg kryengritjesh antiosmane, që shtrihen kohësisht deri në prag të krijimit të pashallëqeve të mëdha, në fund të shek. XVIII.

Interesante dhe e rëndësishme edhe në drejtim të zhbërjes së një miti që ka zënë vend në historiografi, sidomos në atë të huaj, është se kundër osmanëve luftonin sa shqiptarët e krishterë, aq edhe ata myslimanë. Në 1625, një misionar i Vatikanit, që raportonte për një përleshje të banorëve të Progonatit, në Labëri, me ushtrinë osmane, shprehte habinë e tij, se si ishte e mundur që në këtë vend “turqit luftonin kundër turqve”!

Dokumentet e gjetura në Arkivin e Venedikut rrëzojnë, besoj, edhe një mit tjetër, atë të barrierave krahinore mes shqiptarëve, i cili është rikthyer në modë edhe në ditët tona, “për merit딝 të politikës. Sot, kur po bëhet gjithçka për të hequr nga analet e historisë sonë kombëtare apostuj të shqiptarisë, si Abdyl Frashërin, Ismail Qemalin, Dom Nikollë Kaçorrin, Fan Nolin e Luigj Gurakuqin dhe kur po pompohen antikrishtët e tradhëtive dhe të ndarjeve kombëtare, ia vlen që të paktën të rinjtë të mësojnë se si, p.sh., në vitet 1620 qytetarë të Vlorës ishin ndër organizatorët e kryengritjeve në malësitë e Tivarit, dhe se si luftëtarë nga Ulqini, në 1735, erdhën enkas dhe luftuan në Margëlliç kundër osmanëve, në krah të kryengritësve çamë. Megjithatë, shqiptarët mbetën në krye të kronikave evropiane të shek. XVI-XVIII, jo vetëm për qëndresën e tyre brenda Shqipërisë. Shqiptarët ishin luftëtarë të pakrahasueshëm e shumë të kërkuar në “tregun e luftës”. Me stratiotë shqiptarë, Venediku mbrojti zotërimet e tij të shtrira nga Kreta e Peloponezi, Epiri shqiptar, Dalmacia, Friuli e deri në hinterlandin italian, duke i angazhuar ata në vijë të parë, si kundër osmanëve, ashtu edhe kundër francezëve, spanjollëve e austriakëve. Në vitet 1560, kur piratët Uskokë, me origjinë sllave dhe me bazë në Klisë të Dalmacisë, e bënë të palundrueshëm detin Adriatik, Venediku e gjeti zgjidhjen e këtij problemi jetësor për sigurinë e tij, duke armatosur 12 anije me luftëtarë shqiptarë, që vunë sakaq rregull në atë front. Në 1715, feldmarshalli prusian Schulenburg, i këshillonte autoritetet veneciane, që ta bazonin ushtrinë e tyre tek elementi shqiptar: edhe në rast se do duhej të rekrutonin ushtarë nga kombësi të tjera, këta duhet të mbanin “kapele shqiptare”, sigurisht për të demoralizuar armikun, që e njihte forcën dhe ashpërsinë e tyre në betejë. Në vitin 1737 mbreti Karl Borbon i Napolit krijoi një korpus elitar të ushtrisë së tij me luftëtarë shqiptarë dhe në 1807, pas marrjes së Korfuzit, Napoleon Bonaparti krijoi aty një trupë me rekrutë shqiptarë nga Epiri, të famshmin “Régiment Albanais” (Regjimenti Shqiptar). Dhe duke kaluar në revistë gjithë këto fakte e plot të tjera, nuk mund të mos dalësh në përfundimin, me keqardhje, se sa energji e sa gjak kanë derdhur shqiptarët për interesat dhe për luftërat e të tjerëve!

Një aspekt tjetër i këtij interpretimi ka qenë edhe mbyllja e vendit tonë. Sa e izoluar ka qenë Shqipëria e pushtuar nga turqit, ndaj Europës së krishterë?

Edhe këtu përgjigja e kësaj pyetje të ballafaqon me një lloj miti të krijuar mbi “ndarjen” e Shqipërisë nga lidhjet tradicionale me botën e me kulturën perëndimore, pas rënies nën sundimin osman. Nuk është kështu. Këto lidhje i kanë mbijetuar edhe pushtimit osman.

Po e filloj nga lidhjet më të natyrshme, ato njerëzore. Dokumentet e reja venedikase tregojnë se shumë shqiptarë, të ikur në Itali, në Greqinë kontinentale apo në ishujt e Jonit e të Egjeut, pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së kështjellave shqiptare, apo që shërbenin në ushtri të ndryshme të Evropës, vazhdonin të mbanin lidhje me familjarët e tyre në Shqipërinë e pushtuar. Jo vetëm, por ishin pikërisht këta, si Gjon Muzaka në vitet 1500 apo Jeronim Kombi, në vitet 1600, të dy kapitenë në oborrin e Mbretit të Napolit, që inkurajonin, organizonin e koordinonin aksionet e përbashkëta çlirimtare të kryengritësve shqiptarë, me Papatin dhe princërit katolikë të Evropës. Ndërkohë, pas “depresionit të madh” që pasoi fushatat pushtuese osmane, vihet re një ringritje ekonomike e demografike e qyteteve shqiptare. Tregtarë shqiptarë nga Shkodra, Ulqini, Elbasani, Kavaja, Voskopoja, Vlora, Durrësi, Sajadha e Parga i gjejmë të vizitojnë tregjet e Venedikut, Ankonës, Raguzës etj., duke eksportuar aty mallrat tradicionale shqiptare, e duke importuar veshje të shtrenjta, beharna, armë e deri kazanë rakie, letër shkrimi e libra! Në Venedik u bë kujdes të ndërtohej një “hotel” i posaçëm për tregtarët që vinin nga territoret osmane (fontego de’ Turchi).

Mes tyre, në dokumentet veneciane shfaqen në numër jashtëzakonisht të madh tregtarët nga Shqipëria “osmane”. Kujdes: bëhet fjalë si për tregtarë të besimit të krishterë, ashtu edhe muslimanë. Një ndër këta tregtarë, në vitet 1770, furnizonte me libra pashain shqiptar të Margëlliçit, i cili ishte veçanërisht i pasionuar pas biografive të gjeneralëve të shquar, Aleksandrit të Madh, Jul Qezarit e Cesare Borgias. Fatkeqësisht, në spektrin e leximeve të tij nuk hynte biografia e Marin Barletit mbi Skënderbeun! Të dhënat e zbuluara së fundi dëshmojnë, gjithashtu, që dinjitarët shqiptarë të zonave kufitare, siç ishin p.sh. Gjirokastra, Vlora, Delvina, Sajadha etj., mbanin marrëdhënie të ngushta me qeveritarët venecianë të Korfuzit, Butrintit, Pargës etj. Zotërimet venedikase në fjalë mbaheshin me drithin e prodhuar në sterenë shqiptare. Por kontaktet shkonin edhe më tej. Ndonjë dinjitar shqiptaro-osman, si emini i Bastias, në Çamëri, e kishte bërë zakon që herë pas here të hidhej deri në Korfuz e të rrinte mik tek Bajliu venecian i ishullit. Kuptohet, e gjithë kjo, pa dijeninë e Portës.

Çfarë elementesh të pazbuluara keni nxjerrë në dritë gjatë studimit të këtij arkivi? Në ç’dritë zbulohen shqiptarët në dokumentet e reja të arkivave veneciane?

Besoj që përmenda më sipër mjaft elementë të rinj, që pasurojnë historiografinë tonë mbi një periudhë 300-vjeçare dhe që, gjithashtu, ndryshojnë në ndonjë rast edhe konceptet mbi historinë tonë. Më mbetet të theksoj, që dokumentacioni i ri kontribuon edhe për të hedhur dritë të re mbi çështje të debatuara, më shumë politikisht se shkencërisht, mbi karakterin etnik të Himarës, Çamërisë etj.

Më duhet të them, se dokumentet venedikase flasin thjesht e qartë për një popullsi shqiptare në këto treva, qoftë kur bëhet fjalë për të krishterë, e qoftë për myslimanë. Dhe dokumenteve të Venedikut u duhet besuar më shumë se çdo lloj dokumentacioni tjetër.

Venediku ishte një shtet me sjellje thuaj-thuaj laike (“Republika para fes딝). Në këtë kuptim, në përcaktimin e subjekteve të ndryshme, venedikasit nuk niseshin vetëm nga koncepti fetar, sipas të cilit një mysliman ose një shtetas i Perandorisë Osmane ishte “turk”, qoftë edhe sikur të ishte i krishterë. Venediku i njihte mirë popujt ballkanikë, ishte prej 10 shekujsh në kontakt të ngushtë me ta. Nga ana tjetër, nëpërmjet bazave të tij në Kotor, Tivar, Korfuz, Pargë e Butrint, Venediku kishte ngritur një rrjet të dendur informatorësh, që shtrihej gjatë gjithë bregdetit, nga Malësia e veriut e deri në Himarë, Dhërmi, Delvinë, Margëlliç e Paramithi, duke depërtuar në thellësi deri në fshatra të thella të zonës së Tivarit, Shkodrës, Lezhës, Vlorës, Beratit, Elbasanit, Janinës, Gjirokastrës, Kosturit e Shkupit. Ndërsa informonin rregullisht për lëvizjet e ushtrive osmane, për kryengritjet e popullsive shqiptare apo edhe për shpërthimet e epidemive të murtajës në ato treva, këta “informator딝 japin të dhëna të çmuara dhe ekskluzive mbi etnografinë e këtyre krahinave.

Nëse do t’ju pyesnim për të zbuluar kuriozitete, ndodhi konkrete apo ngjarje të panjohura për shqiptarë të njohur a të panjohur, cilat do të ishin disa prej tyre?

Janë të shumta, por po veçoj njërën prej tyre: kryengritjen e madhe antiosmane shpërthyer në Çamëri në vitin 1611, dhe të drejtuar nga një prelat ortodoks, peshkopi Dionis “Filozofi”. Kisha shkruar edhe më parë për këtë kryengritje, që historiografia greke e numëron si një ndër ngjarjet më të lavdishme të historisë së Greqisë, përgjatë periudhës së sundimit osman.

Dokumentet e reja që unë kam gjetur, provojnë katërcipërisht se të gjithë protagonistët e kësaj ngjarjeje: peshkopi Dionis, armiku e xhelati i tij, Osman Pasha i Janinës, kapiteni Jeronim Kombi i oborrit të Napolit dhe padyshim vetë kryengritësit e 70 fshatrave të Çamërisë, që u përfshinë në atë ngjarje, ishin që të gjithë shqiptarë! Pra, kemi të bëjmë me një histori shqiptare, që i duhet kthyer historisë së Shqipërisë.

Mund të tregoj edhe një tjetër histori, më relaksuese, që i ngjan një romani të verdhë. Në vitet 1770 në Epir shfaqet misionari Kozma nga Etolia, ai që më vonë u shpall shenjtor nga kisha greke, dhe që punoi shumë për hapjen e shkollave greke në gjithë Shqipërinë e Jugut. Misioni i tij u pa me dyshim nga Republika e Venedikut, e cila i vuri pas agjentë të fshehtë. Njëri prej tyre ka hartuar disa raporte të fshehta për “Këshillin e të Dhjetëve” në Venedik, që ishte një lloj drejtorie e shërbimit informativ. Unë kam gjetur disa nga këto raporte, madje edhe një broshurë propagandistike që Shën Kozmai shpërndante në fshatrat shqiptare, gjatë kryerjes së misionit të tij. Dhe a e dini se cili ishte agjenti venecian, që ndiqte hap pas hapi udhëtimin, fjalimet dhe takimet e Shën Kozmait? Giaccomo Casanova, dora vetë.

Kur do ta shohim të sistemuar këtë volum pune që keni kryer në Venecia?

Po merrem intensivisht me leximin dhe përpunimin e materialit të mbledhur, që është mjaft voluminoz. Kam shumë shpresë që studimin ta botoj nga viti i ardhshëm. Ndërkohë, do të botoj edhe një vëllim me dokumentet e mbledhura gjatë kësaj ekspeditë kërkimore, për t’i venë ato në dispozicion të studjuesve të tjerë dhe të studentëve të historisë. Shpresoj që me këtë, të jap edhe një kontribut për afrimin e studiuesve tanë të rinj me mesjetën shqiptare, që është vërtet e jashtëzakonshme.

Revista Java

Share: