Home KRYESORE PO VJEN PËRPLASJA ME SHBA!

PO VJEN PËRPLASJA ME SHBA!

Nga ALEKSANDËR ÇIPA

Nuk është një përplasje gjeopolitike. Nuk është një paralajmërim për diçka të mundshme mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Diçka e tillë nuk mund të ngjasë, edhe pse papërgjegjshmëria politike e qeverisësve të këtij vendi e ka dëshmuar në çaste të rralla dhe në kohë të mbrapshta të këtij tranzicioni. Tendencat e vendimmarrësve të vetëm politikë, nuk ia kanë dalë dot të arkivojnë përplasje mes dy vendeve, të cilat tashmë kanë një lidhje ekzistenciale për të voglin (vendin tonë) dhe strategjike për të madhin (SHBA).

Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes ambasadorit Donald Lu në Tiranë, po rikthen një protagonizëm të fuqishëm politiko-diplomatik për reformimin e demokracisë institucionale në Shqipëri. Thelb dhe kurorë e këtij protagonizmi pritet të jenë dy reforma të afërta dhe të njëkohshme, të cilat lidhen pazgjidhshmërisht me mundësinë e rizgjimit dhe rikthimit të shpresës qytetare në Shqipëri. Në mënyrën më të posaçme, me një shqipe të fituar enkas për gjuhë të drejtpërdrejtë me shqiptarët, ambasadori Lu shprehet: “Ju mund të mos e besoni, por unë kam shumë besim se gjërat po ndryshojnë në lidhje me korrupsionin në Shqipëri. Njerëzit në Shqipëri janë të lodhur dhe duan të shohin ndryshimin ”“ nga dekriminalizimi i Parlamentit, deri te reforma gjyqësore, te transparenca financiare e partive politike për të parandaluar blerjen e votave”.

Ky është qëllimi i një protagonizmi të drejtpërdrejtë, i cili është ndoshta i pangjashëm me praktika dhe sipërmarrje diplomatësh e ambasadorësh të një vendi të madh në një vend tjetër. Amerikanët po inkurajojnë në Shqipëri një reaksion të ri shumëplanësh, të cilin, sipas të gjitha gjasave, nuk mund ta dirigjojnë apo edhe ta manipulojnë si në momente të njohura të tranzicionit, politikanët uzurpantë të demokracisë në vend. Demokraturës shqiptare duket se i ka mbërritur ora të tronditet, në mos për shembje, së paku për të mos pasur kohën e vet të mishëruar si stanjacion apo gjendje lodhjeje për shumicën e qytetarëve.

Ambasadori amerikan dhe ajo e BE-së në Tiranë, po kryesojnë publikisht një nismë të artikulimit konstant dhe konsistent për reformën në drejtësi, dekriminalizimin e Parlamentit dhe qeverisjes në të gjitha nivelet dhe atë të katarsisit të drejtësisë prej korrupsionit që do të thotë njëkohësisht edhe reformë antikorrupsion në të gjitha skutat e jetës shqiptare. Shumë prej qytetarëve, përfshi edhe autorin e këtij shkrimi, jetojnë ende nën mendimin utopik të mosarritjes dhe realizimit të këtij ndryshimi në mënyrë ideale. Mirëpo, një gjë është e pakthyeshme: sistemi i kapur nuk mund të jetojë më në regjimin absolut të kapjes. Goditjet kësaj here janë të shumëfishta dhe të shumanshme. SHBA-ja zyrtarisht po afishon kujdestarinë dhe mbështetjen për një strukturë të munguar si Zyra Kombëtare e Hetimeve, të cilën politikanët e shumicës parlamentare e ka emërtuar si Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo dhe disa prej përgjigjeve të përcjella në dialogun virtual të ambasadorit Lu me qytetarët një ditë më parë, përbëjnë një strategji të re të mishërimit të reformës antikorrupsion, në të cilin do të gjithëpërfshihen aktorët dhe faktorët e jetës publike, shoqërore, institucionale dhe sidomos ligjbërëse e ligjzbatuese të vendit. Në këtë mënyrë po krijohet një koalicion jo ojq-ist, por shumëforcësh për nxjerrjen e demokracisë ligjore dhe institucionale në vend prej dy palë kthetrash: atyre të kapjes dhe nënshtrimit politik dhe atyre të korrupsionit që ka fituar statusin e sentencës mafioze në këtë shoqëri. (Në zhargonin e tyre mafiozët citojnë: korrupsioni në kapitalizëm ”“ si vaji për makinat, pa të nuk ecet).

Mirëpo ky kontekst, dhe sidomos tabloja e përpjekjeve që iniciohen dhe kanë për protagonizëm ambasadorin amerikan në Tiranë, natyrisht që po vendosen në një përballje të dukshme e të padukshme pengesash. Janë pengesa që fshihen dhe njëherësh po kompozohen për t’u shtuar, prej partitokracisë së korruptuar. Këtë po gjenerojnë edhe aktualisht arkitektët e kryesimit politik që lartësuan modelin monstër të demokraturës sonë. Ata që ia dolën të démodéizonin sistemin e ëndërruar, të përkundërtin me komunizmin, por që e deformuan e shëmtuan si realitet, në të cilin lartësohet demoralizimi i qytetarëve dhe triumfon obeziteti financiar i qeveritarëve të korruptuar. Mesazhet dhe përgjigjet e ambasadorit Donald Lu me qytetarët shqiptarë në intervistën e lirë virtuale një ditë më parë, kanë disa pika takimi me logjikën e politikanit populist italian Beppe Grillo. Natyrisht mes tyre nuk ka asnjë ngjashmëri partiake apo ideologjike. Pika e vetme e takimit mund të jetë koncepti që kanë për forcën e së drejtës qytetare dhe të pjesëmarrjes në reformimin e sistemit të vendeve tona. Beppe Grillo shprehet: “Nëse do të prisni të keni lider, që t’ju zgjidhë çështjet, duhet të dini se ai nuk ekziston; duhet ju të vendosni diçka tuajën; çdo njeri në fushën e tij, ndryshe ky vend nuk do të ndryshojë më!”

Momentalisht në Shqipëri nuk është mungesa e udhëheqësit të ri, por ambasadorët me më aktivin Donald Lu në krye, po inspirojnë unifikimin e qytetarëve në protestën dhe refuzimin masiv të pabarazisë ndaj ligjit. Për t’u arritur kjo, po i mëshohet apelit të parë të vetëlargimit dhe vetëtërheqjes së të kamurve prej padrejtësisë në drejtësi. Kjo lëvizje po merr energjinë e brendshme për t’u fryrë si rrymë e re dhe ka për të ndodhur. Çdo qëndrim kundër dhe sidomos ortakëria politike dhe parapolitike që po shfaqet qoftë në formën tinëzare të bllokimit të reformës, qoftë me tufa të të rinjve falangistë që depërtojnë te protestat e PD-së, nuk janë gjë tjetër veçse tentativë primitive. Kjo ngjet për të ricikluar një përplasje të pamundur me SHBA-në. Një përplasje e tillë, në Shqipërinë e rënë në gjendje depresioni, po parathotë përplasjen e fundme me stanjacionin politik.

Marre nga Gazeta-Shqip.com

Share: