Home KRYESORE Shenasi Rama: Basha dhe Argita mbushën dosjet e luftëtarëve të UÇK, kush...

Shenasi Rama: Basha dhe Argita mbushën dosjet e luftëtarëve të UÇK, kush po e nxit ndarjen Veri-Jug…

Intervistoi Adriatik Doci, Gazeta “Sot”

Shenasi Rama: Basha dhe Argita mbushën dosjet e luftëtarëve të UÇK, kush po e nxit ndarjen Veri-Jug, pas dekriminalizimit vëllezërit e politikanëve do kontrollojnë krimin

Shenasi Rama, profesor në Universitetin e Nju Jorkut në SHBA, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën SOT, flet mbi platformën që prezantoi në qytetet kryesore të Shqipërisë, platformë e cila konsiston në ndryshimin e sistemit, përmbysjen e Parisë sunduese të Tiranës dhe mbylljen e tranzicionit. Rama shprehet se Partia Demokratike u përpoq që të sabotonte aktivitetet me të gjitha mënyrat dhe metodat. Sipas tij, Partia Demokratike është në prag shkërmoqjeje, ndërsa Bashën e sheh si një kryetar, të cilit i hollohet zëri çdo ditë. Rama pohon se Lulzim Basha ka mbushur dosjet e shokëve të tij në UÇK, me gjithfarë akuzash. Rama ka komentuar edhe vendimin e Parlamentit Shqiptar për t’i hapur rrugë procesit të dekriminalizimit, refuzimit të dekomunistizimit dhe testit të drogës nga deputetët, debatin rreth përçarjes mes Veriut dhe Jugut etj.

Keni vendosur të mbeteni vetëm tek denoncimi dhe konstatimi i gjendjes apo do të ofroni dhe mundësinë e zbatimit të platformës së rrugëdaljes?

Si edhe e thashë më lart, ne kemi ofruar disa parime bazë që lehtësisht transformohen në një program politik. Synimi jonë është që të nisim një debat publik lidhur me gjendjen dhe me ardhmërinë. Ne e kemi ofruar këtë për diskutim. Nëse shohim se do të ketë mbështetje, ne do të mbështesim me aq sa mundemi e si mundemi çdo forcë politike që synon zbatimin e këtij programi. Nuk është punë interesi personal e individësh, por çështje jetike e kardinale për të ardhmen e kombit shqiptar. Programi jonë që gjendet e që zbërthehet në të tre librat tanë, është i përmbledhur në parimet e mëposhtme. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar dhe të mbështetur në themelet e forta të elementëve të mëposhtëm. Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb. Së dyti, në një sistem politik demokratik. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar. Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin kombëtar. Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes, në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive. Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. Më në fund, por jo më e fundit, ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi partiak që avancon e mbron interesat e shoqërisë shqiptare në një mënyrë sa më demokratike. Koha ka ardhur për një fillim të ri. Çdo ditë e më tepër kjo bëhet e qartë si drita e diellit. Nevoja për ndryshim është e pashmangshme. Dhe zgjidhja është që ose të vazhdohet kështu duke e mbajtur popullin shqiptar peng me mënyra e metoda të njohura të Parisë së Tiranës deri sa të plasi dikur, ose të ndërrohet rruga e të bëhemi normal si shtet-kombet e tjera.

Pohuat se Berishës po i del loja nga duart, sa i takon kontrollit mbi PD. Si e shihni ju drejtimin e PD nga Lulzim Basha?

PD është një parti e shkërmoqur. Me një kryetar që i hollohet zëri përditë, dhe që ka mbushur dosjet e shokëve të mi të UÇK-së, nuk shkohet kund se ky të shet me çmim të ulët fort. Ky ka qenë së bashku me Argita Berishën dhe disa të tjerë që kanë mbushur dosjet. Dhe mbasi ia kanë dosjet, i lënë të sillen kështu sepse janë krejt të kapur e të përdorur pa mëshirë. Kështu që zgjidhja është që, ose bëhu vegla e Sali Berishës dhe e trustit të Gështenjave të Tropojës për të luftuar e mbrojtur të birin e familjen e tij, ose të punosh për vete e për kombin dhe me iu bashkëngjitur një force në të cilën punojnë e luftojnë njerëz si unë. Po hyra në politikë, unë i vesh një palë këpucë hekuri që i marr me vete në varr, se nuk ka rrugë mbrapa dhe se unë nuk tërhiqem nga rruga e ime. Këta kanë frikë dhe prandaj përdorin të gjithë mënyrat e metodat për të luftuar duke më etiketuar si ekstremist, si të Sigurimit e natyrisht që mullari i plehut do të vijë duke u rritur me gjithfarë shpifjesh e rrenash. Por, unë kam vetëm një fjalë për ata që duan me dëgjuar: Unë kam punuar e do të punoj sa kam frymë për kombin tim, për gjithsecilin shqiptar e për të gjithë bashkë, dhe jam në një rrugë të cilës do t’i shkoj deri në fund.

A është e vërtetë që PD u përpoq të sabotojë aktivitetet tuaja?

Po! Pa asnjë dyshim! Ne kemi katër muaj që i kemi lajmëruar datën dhe studiuesit do të vinin nga e gjithë bota. Pra, çdo gjë ishte e përcaktuar. PD e vendosi të bënte përkujtimoren e themelimit të PD-së pikërisht me 11 dhjetor, në të njëjtën orë kur u mblodhëm edhe ne, vetëm e vetëm që të detyronte shokët e shoqet tona që të bënin një zgjidhje: ose të rrinin me ne ose të shkonin tek Saliu. Kishte edhe individë që erdhën dhe me ftesa në dorë kërkonin të shtynin shokët tanë që të braktisnin sallën. Por shumica nuk u tundën dhe ndenjën me ne, shokët e tyre. Më e bukura ishte se disa nga këta shërbëtorë dhe njerëz pa dinjitet e të pandreqshëm, organizatorët e takimit të PD-së i lanë të rrinin në këmbë dhe në fund të sallës. Tjetra është që ka pasur një heshtje totale për këto aktivitete, thjesht sepse në krye ishin ata që i kanë dhënë frymën e drejtimit Lëvizjes Studentore dhe se PD e Lëvizja Studentore shiheshin, ashtu si kanë qënë, të ndara me thikë, dhe të papajtueshme me njëra-tjetrën. Ne kemi qënë shpresa e kombit dhe ata kanë qënë mashtrimi.

A duhet rithemeluar Partia Demokratike?

Për mua, Partia Demokratike e ka kryer misionin e vet historik dhe e ka kryer me turp. Mirëpo, në politikën shqiptare nuk ka zgjidhje nëse nuk jepen garanci që disa nga eksponentët politikë do të kenë imunitet dhe të tërhiqen nga politika. Unë kontributin tim e jap ashtu si di dhe si mundem. Por, unë besoj tek e njëjta zgjidhje që kam besuar në fillimet e PD-së dhe ajo zgjidhje është kombëtarizmi, puna për ndërtimin e një shtet-kombi që kultivon identitetin shqiptar, me një sistem politik që nuk lejon kapje të tilla nga një pari e kriminalizuar, me një shtet dhe një administratë ku korrupsioni dënohet maksimalisht, me sisteme të mbrojtjes shëndetësore, arsimore, të infrastrukturës dhe të mbrojtjes ashtu si duhet, dhe me një ekonomi të institucionalizuar tregu ku iu jepet përparësi prodhuesve shqiptarë. Kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanat, si dhe raportet shoqërore, ekonomike e politike, por nuk ka ndërruar zgjidhja. Dhe në politikë nuk duhet nisur nga pragmatizmi i asaj çka mund të bësh në një pikë, por nga qëllimi që duhet pasur sepse e ke vetëdijen se ku duhet arritur.

Pas presionit të ndërkombëtarëve, sidomos të amerikanëve, politika e Tiranës ka miratuar ligjin për ndarjen e shtetit nga krimi. Ambasada amerikane e konsideroi si ligjin më të fortë në Evropë. Si e vlerësoni ju këtë hap?

Përgëzime për një manovër të zgjuar! Me një notë pak humoristike, edhe po të ndahet shteti nga krimi, që nuk ka të ngjarë, kriminelët do të jenë sërish në krye të shtetit dhe të krimit, ashtu siç janë edhe tani. Ja, të gjithë politikanët i kanë pasuritë në emër të vëllezërve, kunetërve, etj. Tani, nuk do t’i kontrollojnë të gjitha vetë, por do të shohim vëllezërit, nipat, kunetërit e të tjerët që do të kontrollojnë krimin.

Thuhet se 19 deputetë janë të inkriminuar?

Në lidhje me deputetët e inkriminuar, dua të them se aty është i gjithë Kuvendi i inkriminuar…Këta janë që kanë bërë krime jashtë, por këta të tjerët që nuk kanë lënë gjë pa bërë brenda vendit, ose që kanë heshtur kur kanë qënë dëshmitarë të krimeve e të sjelljes së jashtëligjshme të kolegëve, të strukturave, të familjeve e të qytetarëve. Janë të gjithë të inkriminuar sepse, përndryshe si i kanë vënë pasuritë, e vilat, jahtet e apartamentet, arturinat e xhevahiret, si i mbajnë dashnoret e dashnorët, ku iu del me rrogën e deputetit të hanë dreka e darka, të blenë makina luksoze e të harxhojnë mijëra euro për ndeshje futbolli e koncerte, shkollimin e fëmijëve, dasmat e ditëlindjet, e me radhë? Si bëhen këto me jetesë të ndershme e me rrogë? E keqja është shumë më thellë, këta janë tërësisht të inkriminuar dhe të përlyer, të zhytur e krimi iu ka hyrë deri në fund të shpirtit. Por si themi ne katundarët, çka do të mjelësh do të korrësh. Këta mbollën krimin e zvetënimin për kaq shumë vite, dhe tani kemi Kuvendin e hajnave, të vrasësve, të kodoshëve, të rrospieve politike, të mafias katundare dhe të trafikantëve të të gjithë markave. Mirëpo, peri këputet duke u holluar e zullumi duke u trashur, dhe tani çdo gjë që këta bëjnë tregon se çfarë llumi janë. Shpresa e tyre që të sundojnë duke kriminalizuar të gjithë popullin, ka dështuar. Njerëzit kanë nisur të vetizolohen nga paria duke iu kthyer fesë, duke iu kthyer vlerave normale dhe duke kërkuar të ruajë familjen e nderin. Ka një zgjidhje shumë të madhe që është kthimi i vetëdijes kombëtare dhe që i shqetëson shumë këta të parisë. Propaganda mediatike që synon t’i paraqesë si norma sjelljeje, aktet e çoroditura të pak vetëve nuk reflekton gjendjen e vërtetë të shqiptarëve. Njerëzve ka nisur me t’ju dalë trullosja dhe po duan rrugë zgjidhjeje nga kjo gjendje. Sot, Kuvendi i shtetit Shqiptar ka 140 banditë e bandite me kartelë kriminale, me familje kriminale, me interesa kriminale, dhe me të shkuar të llahtarshme kriminale. Por ashtu si sundimtarët e vendeve të tjera nuk e panë se nga iu erdhi, as këta nuk e dinë nga iu erdhi. Kësaj here nuk kanë se si ta gënjejnë popullin e vet, sepse nuk ka mbetur më rrenë tjetër, dhe tash ose vonë do të përballen me atë popull. Me një fjalë, edhe pse nuk dihet mënyra e përplasjes, është çështje kohe sepse ne kaq jemi, një grusht njerëz, gjithkush di gjithçka për gjithkënd dhe tani që kanë nisur të hanë popullin e jo veten, edhe pse e kanë vendosur sistemin e kontrollit dhe të mbikqyrjes, duhet të presin gjithçka sepse ndër ne, nuk dihet kurrë nga të vjen.

Megjithatë, ligjvënësit shqiptarë votuan kundër testit të drogës dhe dekomunistizimit. Si e lexoni këtë vendimmarrje?

Kjo është për të qarë e për të qeshur…por me humor do të thoja se e shoh si një zbatim të parimeve të ndarjes së shtetit nga krimi! Shteti nuk duhet të përzihet në punët e krimit dhe krimi nuk duhet të merret me punët e shtetit. Kemi deputetë shumë të zotë dhe në shërbim të shtetit.

Lulzim Basha dhe Sali Berisha thonë se kanë nisur një revolucion demokratik. Klima politike duket e polarizuar. Cili është komenti juaj?

Asgjë nuk ka për të ndodhur! Saliu po mundohet të përdorë urrejtjen e pakënaqësinë popullore për t’u dukur se është faktor. Por, gjithçka është nën kontroll. Edi Rama vë një bunker sepse e di që Saliu do ta djegë. Pastaj thotë ju veriorët, sepse e di që gegët do të dalin në rrugë, por toskët që kontrollojnë lojën do t’i rrinë mbas dhe kështu secili forcon pozitat e veta, të huajt shqetësohen për stabilitetin dhe asgjë nuk ndodh. Sepse vetëm në shtetin shqiptar ndodh që ndodhin gjërat që mos të ndodhë asgjë, ose të paktën, mos të ndodhë ajo që duhet e që këta e kanë shumë frikë: zgjimi i shqiptarëve dhe përpjekja për një fillim të ri, si na duhet e si e meritojmë.

Intervistoi: Adriatik Doçi

Share: