Home KRYESORE SHTETARË QË SILLEN SI SHPELLARË (Ju lutem, qëndroni larg nga ekrani)

SHTETARË QË SILLEN SI SHPELLARË (Ju lutem, qëndroni larg nga ekrani)

Nga Alfons Çupaj

“Vrasës, përdhunues, kriminel, bandit, drogaxhi, shfrytëzues prostitucioni, ngordhësirë, plehër, hajdut, injorant, debil, kafshë, maskara, çakall, këlysh”, këto janë vetëm disa nga fjalët e nivelit më të ulët që përdorën rendom në diskursin parlamentar të vendit tonë.

Ashtu siç ndodh sistematikisht çdo të enjte, Kuvendi i Shqipërisë prej 48 orësh dhunon barbarisht qytetarët e tij. Në emër të të ashtuquajturit “projektligji për projektbuxhetin e vitit 2016”, që është thjeshtë një procedurë rutinë, pa vizion e pa planifikim, po na servirin skena të turpshme, denigruese, fyese e aspak etike për institucionin shtetëror më të lartë të një vendi. Sharje, fyerje, ofendime, përplasje tavolinash, shkulje mikrofonash, përplasje verbale dhe fizike, mos respektim i tjetrit e mos respektim i kohës për të folur, ky është standardi që ofrojnë parlamentarët tanë. Siç e pohojnë edhe vetë, përfaqësohemi nga një çetë banditësh, kriminelësh, përdhunuesish. Pa vizion, pa program, pa objektiva, pa projekte, pa argumente, pa edukatë, pa formim, pa strategji, pa respekt për ata që i kanë zgjedhur, por me një qëllim të qartë, të zhvasin, të vjedhin, të shtypin e dhunojnë qytetarët e thjeshtë, të varfër e të ndershëm, me presion, me dhunë, me imponim, me burg, me kërcënime e me largime nga puna.

Kemi parlamentin më të keq të të gjitha kohërave. Shtetarë që sillen si shpellarë. Çfarë mjerimi, çfarë drame. Nuk ka asnjë dyshim, ky parlament na fyen të gjithëve, na poshtëron, na dhunon, na bën të ndihemi me turp për përfaqësimin që kemi, të fyer për votat që dhamë, të pashpresë për ëndrrat që guxuam. Arsyen e kanë zëvëndësuar me forcën, argumentin me tonin e lartë të zërit, tolerancën me dhunën verbale dhe fizike. I përbuz me neveri. Edhe shkolla me e padisiplinuar do t’i kishte përjashtuar për mungese disipline, edukate, njohurish dhe tolerance.

Sigurisht, ka edhe Zonja e Zotërinj të ndershëm, stoik në qendrimet e tyre korrektë, humanë dhe prej shtetari. E kuptoj, ndihen po aq keq sa edhe ne. Të izoluar nga injoranca, të pafuqishëm dhe në minorancë. Por, ndryshe nga ne, ata kanë mundësinë të flasin, të kundërshtojnë, të ngrenë zërin kundër, por edhe të bllokojnë nisma që janë në dëm të popullit e të vendit. Ata duhet të distancohen nga e keqja, të bashkohen dhe të na shpetojnë nga kjo humnerë që na kanë drejtuar. Ata duhet të dalin hapur kundër kësaj shëmtie që nuk bën asnjë krenar.

Të shpresojmë! Akoma nuk e kanë bërë!

Share: