Home KRYESORE Tradhto Tradhtinë

Tradhto Tradhtinë

Nga Elvis Hoxha

Më të mirët t’i fusim në burg. Më të drejtët t’i ndëshkojmë. Më të varfërve t’u japim një vizë apo një armë, t’i bëjmë policë ose refugjatë, ndërsa shefa të tyre të bëjmë njerëzit e mafies. Në krye të politikës të vendosim bartësin e politikës së armikut, pra tradhtarin. Ky është rrengu i shtetit që kemi prodhuar përherë ne shqiptarët.

Në këtë popull ka ekzistuar gjithnjë ideja e njësisë së kombit, aq shumë ”“ Hysamedin Feraj, në linjën e rilindësve ka folur gjatë për këtë ndjesi ”“ sa kolektiviteti i shqiptarëve nuk e ka parë të domosdoshëm ndërtimin e një njësie shtetërore. Ajo çka e kishim që herët na është kthyer në vonesë. Imanencën e kishim, transhendencën jo. Besimin e kishim, fenë jo. Kombin e kishim, shtetin jo. Në secilën prej këtyre frazave shprehet vonesa disa qindravjeçare që prodhojmë pa reshtur. Kemi pasur besim, por jo institucion të besimit. Një përtaci mendore na ka kapluar sapo kemi dashur t’i shkruajmë vetes ligje, sapo na është kërkuar të nënshkruhemi në histori në formë institucionesh, në formë përfaqësimi. Dhe çuditërisht, kur lipsej të vinim në krye përfaqësuesit kemi qenë më të papërgjegjshëm se kurrë. Ne mbetemi populli ilir, kemi mbetur ilirë ”“ kështu e thotë Hysamedin Feraj. Kemi mbetur popull ilir, do të thotë popull i lirë. Historikisht dhe lashtësisht i lirë do të thotë dy gjëra: popull i lirë prej përgjegjësive dhe popull i lirë për shitje.

Ndaj kemi prodhuar mercenarë, deputetë, vezirë dhe guvernatorë për të tjerë, të mirë madje, sepse për të drejtuar veten kemi ruajtur qelbësirat dhe tradhtarët. E nëse i miri, i ndershmi dhe i drejti përpiqen të drejtojnë në këto troje, ne do t’i ndëshkojmë ose vrasim. Më të mirët do t’ia japim tjetrit, sepse tjetri, fqinji ose perandoria, sado e largët, janë gjithnjë më të fuqishëm, natyrisht jo sepse janë komb, por sepse kanë shtet.

Shqiptari ankohet gjithnjë se nuk ka shtet, por kur ka në dorë të votojë zgjedh gjithnjë ata që do t’ia ulin shpresën tek institucioni dhe shteti. Natyrisht, nuk jam as i pari e as i fundit që e them një gjë të tillë, s’jam as një ndër të paktit. Por jam një ndër ata që po e shpreh këtë problem TANI, SOT. Sot kemi rastin të mendojmë për një shtet, për një përfaqësim, për njohje, për kushtetutë. Zërat po ngrihen dhe sytë po hapen. Ky pushtet që është në Kosovë po bën aq keq sa vetëm mendjet e lidhura prej parasë po e mbrojnë pushtetin. Por këto mendje të liga dhe tradhtare të vullneteve janë kudo ku flitet për interesat kombëtare. Ata mbrojnë në korr Isa Mustafën dhe besnikërinë e tij ndaj Serbisë, armiqësinë e tij me Shqipërinë, po siç do të mbrojnë me zell dhe deklaratën më të fundit të Isa Mustafës: “Mund të jetojmë dhe pa liberalizimin e vizave”. Këta zëra do të flasin në të gjitha mediet e shkruara ose jo për të mbytur zërin e shqiptarëve që thonë: “Jo! Ne mund të jetojmë fare mirë pa Isa Mustafën”. Fati i keq i shqiptarëve është se me votën e tyre kanë zgjedhur gjithnjë antishqiptarë në qeveri, në gjyqësor, në medie, në biznese. Sepse, ne mendojmë se me votë zgjedhim vetëm deputetët. Jo, me votë ne zgjedhim të gjithë deklarimet institucionalë të shoqërisë: mediet që na fshehin të vërtetën, bizneset që na kthejnë në tregtarë dhe joprodhues, që privatizojnë çdo gjë publike, gjyqësorin që arreston të drejtët dhe liron kriminelët. Të gjithë këta kanë dalë nga ai pushtet, të cilit i kemi dhënë votën. Ne jemi komb qëkur Evropa nuk kishte ndjesi kombi, por nuk ditëm që shteti, instituimi dhe konstituimi, kushtetimi i këtij kombi është domosdoshmëri. Ne jemi popull, popull në luftëra dhe heshtje, sepse nuk ditëm që nga populli kushtetohet shoqëria. Sepse shteti dhe shoqëria janë ndërmjetësimet përkatësisht historike dhe përfaqësuese të kombit dhe popullit. Sot kemi një komb që dergjet sepse kemi maksimum shtetesh të burgosur në krijesat e veta mediatike, tregtare dhe policore. Në vend të ushtrisë së fortë ne kemi polici të dhunshme e të tepërt, në vend të prodhimit vendor ne kemi tregti të zhvilluar me Serbinë. Ne kemi vendosur në drejtim të shqiptarëve përkthyesit negativë të publikes shqiptare, shumësi shtetesh të korruptuara, polici të tepërt dhe aspak ushtri, tregti për të sjellë mallrat e armikut dhe për të shuar prodhimet shqiptare, diplomatë që nuk dinë asgjë për burimet shqiptare në mërgatë, mërgatë që paguan dhe shqiptarë që i dredhin paratë në beton, universitete të mjerë dhe studentë të dobët. Gjendja nuk është e mjerë, e mjerë është ideja jonë e institucionit.

Mjaft të shohësh qartë, ta hedhësh votën me përgjegjësi ose të dalësh në shesh i bindur dhe ky mjerim merr fund. Jo të mendosh se ky vend nuk ka shpresë dhe ta hedhësh votën gjithsesi. Një votë të tillë mund ta japësh dhe për çmimin e bukës së një dite, por ditët e tjera do të përpiqesh të paguash sado shtrenjtë vizën me të cilën do të arratisesh. Me votën nis arratia e shqiptarëve, me krijimin e shtetit të tyre shqiptarët historikisht mësuan të ikin prej atdheut. Sepse vullneti institucional për shtet dhe vullneti civil për shoqëri nuk është kërkesë e brendshme, por vullneti i rekomanduar nga të huajt përmes projektesh. Kur kjo lloj shoqërie krijon shtet, nuk mendon shtetin e popullit dhe kombit të vet, por shtetin që kënaq të huajt. Ndaj fitoi në Kosovë ky soj flamuri pop-Art dhe ky himn i zbrazur prej fjalësh: shqiptarët, të kthyer brenda ditës nga popull historik në shoqëri civile, menduan se ishte e modës të pëlqeje një shtet siç e duan të tjerët.

Sot është dita të kuptosh kush është tjetri që të kërkon diçka. As Ashton, as Mogherini nuk janë Evropa. Evropa nuk po del me asnjë figurë përveçse me organizma që nuk të njohin. E kur tjetri nuk të njeh, nis e njih veten. Vetja jote sot është e qartë: vetja jote është Albin Kurti dhe “Vetëvendosje”, që të njoftonte që në 2005-n ndërtimin e Serbisë në Kosovë. Vetja jote është sot Haradinaj që po forcon opozitën. Vetja jote sot është në burg. Njihe veten në historinë tënde. Vetëm atëherë të tjerët do të të njohin. E kur të të njohin, do ta kuptosh se cilët janë të tjerët. Ata nuk janë perandori neutralizuese dhe abstrakte si Evropa, por shtete kombesh, shtet-kombe. Evropa është koncepti i dobët, ku po këto shtete dhe ambasadorët e tyre ngatërrojnë pjesën tonë civile, pjesën tonë që ka turp se mos nuk është e qytetëruar. Pjesa jonë civile nuk do të preket kurrë nga fakti se shteti është i korruptuar deri në rrënjë dhe gjyqësori i njësuar me kriminelin, sepse ku ka krim ka dhe projekte. Civili nuk ka turp kur i mungon vullneti, por vetëm kur i mungon paraja dhe imazhi. Brenda nesh krijohen dy lloj popujsh, mes të cilëve lipset të shquash të rremin. Njëri është populli i shtetit të korruptuar është shoqëri civile dhe jopolitike, as kombëtare. Tjetri është populli i kombit me shtet, është popull jo i parasë, por i vullnetit, jo i imazhit, por i dinjitetit. Është ky popull që nuk i zbraz as viset, as historinë. Është ky popull që nuk i zbraz burgjet nga kriminelët ordinerë për t’i mbushur me veprimtarë politikë. Ky popull është ai që po del shesheve dhe që po shprehet në të gjithë mediumet kapilarë për krimin mbi sovranitetin dhe burgosjen e mbrojtësve të lirisë.

Bërja e Kombit shtet nuk është betejë, por luftë e gjatë. Në çastin kur shumica jonë i hyn me bindje kësaj lufte, lufta përfundon menjëherë. Për të hyrë në radhët e kësaj lufte shqiptarët në shumicën e tyre do të duhet të mësojnë të tradhtojnë: të tradhtojnë tradhtinë.

“Zeri” i Kosoves

Share: