Home I pakategorizuar Sheikët e qeverisë, 517 mijë euro për të realizuar…5 konferenca

Sheikët e qeverisë, 517 mijë euro për të realizuar…5 konferenca

Transaksionet e thesarit të shtetit(SpendingData.al) kanë zbuluar dy kalime të dyshimta fondesh të Ministrisë së Zhvillimit Urban të konsumuara në fundin e muajit Dhjetor 2015.

Më datën 18 Dhjetor, ministria e znj.Gjermeni, nëpërmjet agjencisë AKPT, i ka kaluar një kompanie të quajtur “Kube Studios” shumën e 11 milionë e 207 mijë lekëve.

Ndërsa natën e vitit të ri, më 31 Dhjetor në thesar AKPT-ja ka kaluar për të njëjtën kompani shumën e 60 milionë e 379 mijë lekëve.

Në total një shifër prej afro 71 milionë e 580 mijë lekësh, ose një shifër afro 517 mijë eurosh.

Këto kalime fondesh nuk rezultojnë të publikuara në buletinët zyrtarë elektronikë të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Por në përshkrimin e bërë në thesar, ministria e znj.Gjermeni i justifikon kalimin e këtyre fondeve, me “realizimin e spoteve publicitare për prezantimin e planit kombëtar të territorit”.

Kompania “Kube Studios” që e përfitoi këtë fond të majmë në vigjiljen e vitit të ri, rezulton një kompani e specializuar në realizimin e spoteve dhe eventeve.

Kjo kompani është e gjitha në pronësi të z.Efort Kuke, i biri i artistëve të njohur Pali dhe Zerina Kuke.

HashtagAL, pas një kërkimi në lidhje me produksionet e realizuara deri tani, zbuloi se shuma e majme prej 517 mijë eurosh, është dhënë për të realizuar gjithsej 5 konferenca nëpër qytete, ku pjesëmarrës ka qenë dhe kryeministri, dhe afro 20 klipe, me një kohëzgjatje maksimale prej 20 sekondash secila.

Kaq është produkti i deritanishëm i 517 mijë eurove.

Por që të kemi një ide më të mirë me shifrat, po japim disa të dhëna që u referuan nga ekspertë të fushës së produksionit.

Sot në Shqipëri, një klip muzikor i cilësisë më të lartë për njësi, kushton maksimumi 5 mijë euro, një klip i tillë ka kohëzgjatje maksimale 5 minuta.

Klipet e realizuara

Klipet e realizuara per llogari te Ministrise se Zhvillimit Urban

Ndërsa 20 klipet e porositura nga ministria kanë kohëzgjatje totale 10 minuta. Që si rregull sot në treg 10 minuta produksion i cilësisë maksimale për njësi, kushtojnë jo më shumë se 15 mijë euro.

Instalimi i mjeteve në konferenca përfshirë me gjithë të drejtën e transmetimit në televizione nuk e kalon asnjëherë shifrën e 80 mijë eurove sipas ekspertëve.

Që do të thotë se produkti i realizuar deri tani nga ky projekt i ministrisë së znj.Gjermeni ka një kosto që në asnjë rast nuk mund të kalojë shumën e 150 mijë eurove. Por janë dhënë 517 mijë euro ama.

Që të kemi një ide dhe më të qartë, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ka një buxhet vjetor prej afro 70 milionë  lekësh, pra afro 500 mijë  eurosh. Buxhet për tërë vitin. Dhe buxhet që shërben për prodhimin e filmave dhe dokumentarëve dhe jo thjesht spote nga 20 sekonda.

Në këto kushte bëhet e qartë se nëpërmjet promovimit të planeve të reja territoriale, ministria e Zhvillimit Urban, ka akorduar fonde tepër të dyshimta për prodhimin e spoteve, me buxhete stratosferike të paimagjinueshme e për më tepër që procesi i kontraktimit nuk rezulton i publikuar elektronikisht në regjistrin e tenderëve publikë.

FAKSIMILE-TRANSAKSIONI-THSARMe sa duket dikush paska vendosur “t’i bjerë me top”, fondeve për prodhimin e spoteve dhe ka akorduar 517 mijë euro për prodhimin e tyre pikërisht në ditët kur pensionistët e vendit morën nga 2 mijë lekë ndihmë nga qeveria me rastin e Vitit të Ri.

Situata bëhet më flagrante kur mendon se socialistët e djeshëm në opozitë, denonconin spotet që siguronte TV-Klan nëpër ministri, madje bënë dhe një kallëzim penal kur erdhën në pushtet, të cilin e tërhoqën më vonë.

Por me sa duket qeveria rilindëse nuk ka tërhequr vetëm kallëzimet, por ka tërhequr në gjirin e vetë dhe skemat e vjetra të kanalizimit të milionave nëpërmjet shpenzimeve të fryra për spote / konferenca mediokre dhe të dyshimta. / HashtagAlbania

Share: