Home KRYESORE Drama e refugjatëve dhe dilemat e së ardhmes

Drama e refugjatëve dhe dilemat e së ardhmes

Nga Ilir Kalemaj

Mbi 3300 refugjatë të dëshpëruar janë mbytur këtë vit në Mesdhe, në përpjekje për të arritur ëndrrën europiane. Të kujton vetvetiu arratisjen drejt lirisë të shqiptarëve në fillim të viteve 90-të, ku anijet e tejmbushura përpiqeshin të arrin brigjet italiane ku shpërfaqej si në ëndrra toka e premtuar. Pjesa më e madhe e refugjatëve të luftës, të cilët janë sirianë, por ka edhe libianë, edhe eritreanë që i ikin persekutimit dhe represionit nga ky vend i Afrikës nënsahariane, ka edhe pakistanezë apo sudanezë që përpiqen të dëshpëruar, vetëm, me gra apo fëmijë, të kalojnë Rubikonin por shpesh mbyten në të. Të tjerë janë gjetur të ngrirë brenda mauneve frigoriferikë si rasti në Austri apo në tunelin e La Manshit përgjatë kufirit franko-britanik e kështu vijon saga e refugjatëve të luftës, të përballur me persekutimin në vendet nga janë zbuar me kuç e me maç dhe të pritur me fishkëllima raciste nga esktremistë në vendet ku po zbarkojnë, edhe për shkak të infliltrimit mes tyre të elementëve terroristë apo thjesht me papajtushmëri të skajshme kulturore me atë që rëndom e quajmë qytetërimi perëndimor.

Doktrina e 2005-ës e Kombeve të Bashkuara “Përgjegjësia për të Mbrojtur” (Responsibility to Protect) parashihte ndërhyrje ndaj tiranëve që ushtrojnë dhunë dhe gjenocid ndaj popujve të tyre, por si në Siri, Libri, Eritre dhe gjetkë, ka ngelur thjesht një frazë e bukur por pa kuptim. Kjo për arsye komplekse por kryesorja është rivaliteti gjeopolitik i fuqive të mëdha, ndarja dhe kontrolli mbi rajonet e rëndësishëm gjeostrategjikë dhe luftërat “proxy” me anë të aleatëve lokalë. Edhe Organizata për Mbrojtjen e Refugjatëve, pjesë e OKB-së (UNHCR) është treguar e pafuqishme për t’iu ardhur në ndihmë refugjatëve të luftës për shkak të kontributeve financiare të pamjaftueshme nga ana e shteteve të mëdhenj. Kjo me përjashtimin e dukshëm të SHBA-ve që kanë ofruar bujarisht 450 milionë dollarë, ndërsa Rusia vetëm 300 mijë dollarë, pra një diferencë e skajshme.

Nga ana tjetër, shtetet që po mbajnë më shumë barrën e refugjatëve janë Libani dhe Turqia ku vetëm kjo e fundit ka mbi dy milionë sirianë në territorin e saj dhe nga ku po vërshojnë një pjesë e mirë e tyre për në Europën Perëndimore nëpërmjet ishujve grekë dhe mandej nëpërmjet korridorit ballkanik. Ndaj së fundmi, pavarësisht rezistencës së një sërë vendesh europiane për të ndihmuar financiarisht Turqinë, ku kryesonte Italia, edhe për shkak se kontributi duhej në përputhje me PBB-në e secilit vend dhe Italia ka probleme me borxhin, rritjen ekonomike dhe deficitin jo të vogla, më së fundmi u ra dakord me insistimin e Gjermanisë dhe Turqisë iu ofrua një ndihmë bujare prej 3 miliardë eurosh, të cilat synojnë dhe mendohet të kryejnë rol të dyfishtë. Nga njëra anë të mbajnë refugjatët në Turqi dhe ti rezistojnë tundimit për të kapërcyer ujërat e rrezikshme të Egjeut dhe nga ana tjetër duke qenë afër gjeografikisht, t’u mundësohet rikthimi në Siri pas përfundimit të luftës ku shpresohet asgjësimi i ISIS dhe ngritja e një qeverie koalicioni që do të mundësonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në fakt prej kohësh Europa e ka parë problemin e vërshimit të refugjatëve të luftës dhe emigrantëve ekonomikë (shpesh ngatërrohen dy kategoritë), si një problem më tepër social sesa ekonomik, ndryshe nga ç’perceptohet në anën tjetër të Adriatikut. Kjo edhe për shkak se komuniteti më i madh i emigrantëve të paligjshëm në SHBA janë meksikanët fqinjë me mbi 11 milionë të tillë, që konsiderohen si rrezik për punëmarrësit vendasë, ndërkohë që vetëm së fundmi emigrantët meksikanë po shihen edhe si delikuentë nga populistë si kandidati presidencial Trump dhe e njëjta “stuhi në gotë uji” u ngrit kur u shtrua nevoja për të marrë disa pak mijëra refugjatë sirianë për shkak të besimit të tyre. Por në Europë, ligjërimi kryesor për një kohë të gjatë ka qenë kërcëinimi social se sa ai ekonomik, për shkak të ndryshimit të strukturës demografike, duke qenë se shumica vijnë nga vende të Afrikës Veriore apo Lindjes së Mesme, pra i përkasin besimit islam. Kjo ka bërë që populistët nga Fronti Nacional në Francë, te PEGIDA dhe ADF së fundmi në Gjermani, Finlandezët e Vërtetë në Finlandë, Jobbik në Hungari apo Agimi i Artë në Greqi të fitojnë pikë elektorale të çmuara me anë të një ligjërimi të fortë anti-emigrator.

Europa sot ballafaqohet me kriza të shumëfishta së brendshmi, nga dështimi i kufijvë të jashtëm te pezullimi i lëvizjes së lirë së brendshmi. Vetëm nga pezullimi dy-vjeçar i Shengenit, BE rrezikon miliarda euro në vitet në vijim përvec prekjes së një prej katër kolonave apo lirive themelore mbi të cilat janë bazuar traktatet themeluesë. Mungesa e perspektivës së qartë të integrimit apo ndryshe “karrota” joshëse për vendet e Ballkanit Perëndimor nga ana tjetër, i rrezikon këto vende dhe i bën më vulnerabël apo të “kapshme” nga grupe oligarkike sic u shpreh kohë më parë Sekretari i Shtetit Kerry apo simptoma të ngjashme si korrupsioni shtetëror, krimi i organizuar, mungesa e një administrate të aftë dhe eficiente, kërcënon perspektivën e zhvillimit ekonomik në shina të qëndrueshme etj.

emigrantetBE apo komunitetet europiane që i kanë paraprirë, ka treguar që ka dalë më e fortë dhe dinamike nga krizat e mëparshme dhe shpesh është konsideruar një “fuqi normative” që ushtron ndikimin e saj më tepër përmes vlerave që përcjell se sa forcës. Sot BE ka shansin të sillet si e tillë, duke ndërmarrë lidershipin dhe siguruar kufijtë e saj të jashtëm por duke integruar refugjatët e luftës që kanë trokitur sakaq në dyert e saj, njëkohshëm me presionin stimulues për reformat duke iu ofruar qartazi “karrotën” e integrimit vendeve të mbetura të Europës Juglindore. Kjo do të gjenerojë shpresë por edhe zgjidhë probleme strukturore të ekonomive të disa prej vendeve të BE që vuajnë nga mungesat e krahut të kualifikuar të punës, dificitet buxhetore që rëndohen nga fondet e subvencionuar të pensioneve, pakësimi i lindjeve dhe probleme të tjera socio-ekonomike që lidhen me demografinë, rritjen ekonomike etj.

Share: