Home KRYESORE Hybris, nata e stërzgjatur shqiptare.

Hybris, nata e stërzgjatur shqiptare.

Nga Keti Bazhdari

Hybris është emri i një figure në mitologjinë greke që përfaqëson dhunën e tejkalimin dhe që qëndron në antipod me Dike (vajzën e Zeusit) e cila simbolizon drejtësinë.

Në përmbledhjen e tragjedisë greke, Hybris është një event i ndodhur në të shkuarën dhe që influencon negativisht të tashmen. është një faj i rrjedhur nga thyerja e ligjeve hyjnore në një kohë e që për pasojë, edhe pse në distancë të madhe vitesh, pasardhësit e personazheve të atëhershëm janë të destinuar të vazhdojnë të kryejnë krime e ligësi.

Eshtë Hybris ajo që përfaqëson antidrejtësinë, bashkësinë absolute të së keqes, ndryshe nga mënyra e përciptë se si e përkufizojmë në të shumtën e rasteve të keqen, duke e kufizuar në akte kriminale si vrasja, vjedhje, mashtrimi, korrupsioni, etj. Në fakt këta akte përfaqësojnë padrejtësi të mëdha e të vogla, por s’mund të kenë kurrë statusin e vendosjes në antipod me drejtësinë. E vetmja që e gëzon këtë status është Hybris. E pagëzuar si antidrejtësia e kundërta e Dike, simbolit të drejtësisë, personifikon të gjithë të keqen që përshkohet nga helli i etjes për tejkalim dhe dhunë.
Në gjuhën juridike Hybris përfaqëson cdo veprim kriminal, padrejtësi apo fyerje ndaj dikujt, e kryer me qëllim poshtërimin dhe e motivuar jo nga nevoja por nga kënaqësia , nga krenaria që përfton autori i aktit të lig duke treguar superioritet mbi viktimën. Duke tejkaluar.

U zgjata duke shpjeguar Hybris-in për të dakordësuar me lexuesit një term, i cili, sipas meje, si për nga simbolika përfaqëson më së miri shtysat e përgjithshme aktuale dhe premisat personale të shqiptarëve, tërë mungesë shprese e besimi, që nxiten e nxijnë realitetin e përditshëm, ashtu dhe nga përmbajtja zëvendëson krejt mirë terminologji si imoral, pa ideal, përdorimi i të cilave në Shqipëri duket sikur anatemon më shumë vetveten se sa flet për të vërtetën. Fatkeqësisht, në psikikën e shumicës, përdorimi i tyre asociohet me detyrimin për t’iu nënshtruar dhe për të pranuar të paverteta që realisht nuk i besojnë, por që të mbarsur me frikëra e komplekse shekullore nga njerëzit me pushtet, zgjedhin rrugën më të shkurtër, të hipokrizisë e servilizmit në dëm të vetvehtes dhe të cdo lloj inisiative për protestë të drejtë.

Hybris, sic u mundova të sqaroj më lart nuk përfaqëson në vetvete situatën e pavirtytshme, sa gjithë shtysën drejt saj që ushqehet nga nevoja primitive për të imponuar me cdo mjet vullnetin personal. Për tu mbrojtur nga ky tipar antishoqëror i njëanësisë, i shprehur instiktivisht tek njerëzit, shoqëri të civilizuara kanë dakordësuar vullnete të përbashkëta të shkruara në ligje, të cilat edhe ne i kemi huazuar e ku garanti kryesor i shprehjes së tyre është sistemi i drejtësisë. Sistemi i drejtësisë është rregullatori kryesor i marrëdhënjes mes të virtytshmes dhe të pavirtytshmes shoqërore. Pikërisht ky është motivi që historikisht, ne te gjitha shoqerite e civilizuara, institucione që përfaqësojnë drejtësinë përvec figurës autoritare, imponuese dhe respektit të padiskutueshëm që gëzojnë, identifikohen me një simbol shumë domethënës dhe të panegociueshëm; peshoren në ekulibër perfekt, e cila ka rol unik në sintetizimin e konceptit për drejtësinë dhe imponimin e mesazhit për funksionimin e tij si institucion i pavarur e i paanshëm.

Peshorja me dy anët e saj në ekuilibër përfaqëson dy ekstremet; palen akuzuese dhe të akuzuarin, të cilat varen në qendër nga një forcë sovrane, neutrale, që i mbështet të dyja njëlloj. Këta dy anë duhet të dëgjohen, të vlerësohen dhe të gjykohen parimisht me të njëjtat të drejta e detyrime sikurse dy palë perfeksionisht të barabarta.

Po a mund të jetë peshorja simbol i funksionimit të “drejtësisë” shqiptare sot? Për ne që përplasemi cdo ditë me vetvehten dhe konceptin tonë të deformuar për drejtësinë, që mjaftohemi duke i bërë gjyqet njëri tjetrit nëpër tavolina baresh, media, foltore apo parqe ku luhet domino, që na pëlqen të japim gjykime subjektive sipas oreksit dhe s’kemi fare durim të njohim vërtetësinë e provave, që “parashkruajmë” me vite të tëra mundësitë dhe interesin publik për gjykim të drejtë?!

Ka qenë dhe është pikërisht kjo tendencë naive, dritëshkurtër e të parit të drejtësisë përmes instiktesh, që na ka imponuar, me shekuj, shumë pështjellim e prapambetje kombëtare, mos solidaritet, vrasje, korrupsion, krim të organizuar, vjedhje, evazion shpifje e një mori padrejtësish të tjera. Me pak fjalë qasja jonë e mjerë ndaj drejtësisë ndër shekuj, duke filluar që nga ata që kanë përfaqësuar shtresën intelektuale, ka modifikuar gjenetikisht shoqërinë shqiptare duke e verbuar me relativizim vlerash. Kjo moskoherencë e përhershme në funksionimin e “drejtësisë” shqiptare ka krijuar kushtet për retorikë boshe nga përfaqësues publik të zgjedhur apo të caktuar, të cilët, mitrën e të keqes shqiptare, e kanë kërkuar dhe gjetur cdo herë tek padrejtësitë e ndodhura në momentin paraardhës apo pasardhës. Sipas tyre janë këto padrejtësi momentale që krijojnë cdo herë kushtet fillestare për një format gjithnjë e më të varfër ekonomik e kulturor, i cili në vetvete nxit edhe më shumë padrejtësi. Pra një lloj perpetuum mobile e gjenerimit të ndërsjelltë të padrejtësive dhe varfërisë, që kuptohet trajektorja është shteti dhe shtetarët sepse edhe vetë retorika aty drejtohet. Ky këndvështrim i të bërit politikë sa naiv aq edhe djallëzor pervecse ka shmangur me anë të fjalëve gjithnjë përgjegjësitë dhe përgjegjësit e vërtetë, ka krijuar tek shqiptarët nje koncept të gabuar për shtetin, duke e parë si entitet të shkëputur nga qytetarët, antagonist me mbarëvajtjen e tyre. Në fakt burimi i problemit nuk qëndron as te padrejtësitë e as te momenti që ndodhin. Ata janë vetëm pasoja. Mungesa e një elite të besueshme ekonomike e kulturore që gjeneron ide dhe veprim të përgjegjshëm si dhe e respektit për të, është e vërtetë që lëviz nëpër trajektoren e një rrethi vicioz, sic po ndodh në Shqipëri, por në qendrën e tij nuk qëndron një apo disa padrejtësi të vecanta sado të zakonshme apo të jashtëzakonshme qofshin, por vetë antidrejtësia, Hybris-i.

Hybris-i është si nata që ecet me vesh, me instikte, ndërsa drejtësia është drita që të mundëson shikimin e arsyetimin.

Për tu kompaksuar një elitë e mire e mendimit me impakt në shoqëri ka nevojë për drejtësi, që rregullat dhe ligjet të gjejnë zbatim ka nevojë për drejtësi, që korrupsioni të frenohet në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe të rritet interesi për investime ka nevojë për drejtësi, që të ulet numri i krimeve apo i cdo lloj padrejtësie me pasoja të matshme ka nevojë për drejtësi, që një shoqëri të jetë harmonike dhe të ndjekë qetësisht ciklin e zhvillimit të saj ka nevojë për drejtësi. Fatkeqësisht me konceptin e gabuar për shtetin është imponuar edhe një koncept i gabuar për drejtësinë në Shqipëri e cila ngjan si abstrakte dhe e varur nga vullnete të caktuara. E në fakt nuk është ashtu. Në dorën e vullneteve të caktuara janë vetëm padrejtësitë, por asnje lloj padrejtësie nuk e cënon mirëfilli drejtësinë. Drejtësinë e cënon vetëm sistemi i anuar, peshorja e prishur, antidrejtësia e ngritur vetë në sistem që ka prekur nga pak deri shumë mentalitetin e cdo shqiptari.

Thelbi i antidrejtësisë qëndron tek ekuilibri i prishur mes dy anëve të peshores që përfaqësojnë të akuzuarin dhe akuzuesin.

Këto koncepte shoqëri të emancipuara i kanë trajtuar e dokumentuar mijëra vite përpara e ne s’na mbetet shumë kohë dhe hapësirë vecse t’i marrim të gatshme e t’i shtjellojmë me vehten.

Për të ardhur me këmbë në Shqipëri, pas cdo dosjeje të bujshme trajtuar nga gjykatës të korruptuar ose të paaftë qëndrojnë prokurorë të korruptuar ose të paaftë dhe i tëri një sistem i manipuluar i trajtimit dhe vlerësimit të provave . Trajtesa e cështjes nga një gjykatës që s’ka ndërmend të rrezikojë burgun apo shkarkimin nga detyra, do të mbetet subjektive dhe e varur nga vullneti i tij aq herë sa do të ketë deficencë dhe vullnet të keq në trajtimin e provave nga ana e organit të akuzës, ndërsa puna e një prokurori bëhet subjektive dhe varet nga vullneti i tij sa herë një shoqëri si kjo e jona dhe një sistem “drejtësie” si ky i yni ia lejon. “Drejtësia” shqiptare vuan pikërisht nga mosfunksionimi i ekuilibrit mes organit të akuzës që në të shumtën e rasteve nuk kupton limitet e veta e nuk mban asnjë përgjegjësi kur stis provat ndaj të akuzuarit për të kërkuar dënim më të lartë/më të ulët apo kur e bën këtë fare pa prova dhe anës më vulnerabël për nga natyra që është ajo e mbrojtjes së të akuzuarit, e cila në Shqipëri ka degjeneruar në “dy duar për nji krye”. Reformimi i drejtësisë do ketë ne fokus pikësëpari rregullimin e ekuilibrit mes organit të akuzës dhe të mbrojtjes, ku si akuzuesi, si i akuzuari të trajtohen ekzaktësisht njëlloj para ligjit. Sot një prokuror i korruptuar e ka në dorë ta manipulojë një proces pavarësisht vullnetit të gjykatësit, sepse është ai që administron të gjitha provat dhe bën trajtimin e procesit, ndërsa një gjykatës sado i korruptuar e ka më të vështirë të manipulojë para fakteve dhe provave të kopsitura mirë.

Cdo reformë tjetër që është ndërmarrë apo do ndërmerret e ka ndeshjen finale me drejtësine. Pa reformën në drejtësi, kjo ndeshje do luhet gjithnjë në disfavor të njërës anë e pavarësisht efektit imponues momental që emeton statusi “i akuzuar” për disa shkelës, në terma kohore më të gjatë do të margjinalizojë vetë reformën. Ky pak a shumë ka qenë edhe fati i disa reformave të shumëpritura nga publiku e që s’u ka munguar as vullneti i ekzekutivit e i legjislativit. Ndaj që reformat të kenë impakt pozitiv në shoqëri dhe të mos shërbejnë si mundësi e kapjes peng të qytetarëve nga prokurorë e gjykatës të paaftë e të korruptuar, nga ku pastaj të gjenerojnë e përdoren një mori efektesh viktimizuese në dëm të vetë reformës, duhet ta kishim nisur dhe s’pret koha që ta nisim me reformën në drejtësi. Ngritja e një sistemi kontrolli eficent, që i vë prokurorët dhe hetuesit para presionit të përballjes me ligjin në kohë reale nëse stisin, fshehin, manipulojnë prova për të kërkuar apo shmangur dënime për qëllime abuzimi me pushtetin ose përfitime korruptive, duke u shtrirë paralelisht me gjykatësit dhe avoketërit e korruptuar si dhe me kualifikimet e personelit të punësuar pranë organeve të drejtësisë, testimin dhe motivimin financiar e në karrierë të tyre do të jetë prova finale për shpëtimin e dinjitetit të qytetarit shqiptar.

Me pak fjalë, duke nisur që dje reforma në drejtësi duhet të miratohet dhe zbatohet e para, të jetë e prekshme dhe me tipar kryesor garantimin e paanshmërisë.

Vetem kështu ne krijojmë besimin e përbashkët në shtet me themel kryesor dhe të panegociueshëm sistemin e drejtësisë.

keti bazhdariInstrumentalizimi i padrejtësive të shumta që ndodhin orë e minutë, nga kushdo qoftë ai, si nje përcapje e qëllimshme për të frenuar reformën në drejtësi, hapin më të madh në historinë e shtetit shqiptar, bëhet vetëm për ambicje tinzare, antishtet, antidrejtësi, antishqiptare për të zgjatur agoninë e vesit në këtë vend, për të vrarë sakrificat e atyre që besuan në këtë ditë dhe të atyre që do mbesin peng nëse kjo ditë nuk vjen. Asnjë orë e jetës sonë nuk mund dhe s’duhet të harxhohet me retorika të lodhshme që vetëm sa largojnë vëmendjen nga abuzuesit e vërtetë, pengmarrës të së mirës së përbashkët, që kanë përfituar e përfitojne pushtet nga c’orjentimi social. Eshtë detyrë e intelektualëve shqiptare, opinionbërësve, njerëzve të zotë e të drejtë ta përftojnë reformën në drejtësi si një eveniment historik i kthesës së madhe dhe të ndricojnë mendjet e qytetarëve shqiptarë për ta përftuar të tillë nën një vullnet të përbashkët. Në fund të fundit ajo që i bashkon të gjithë doktrinat fetare, ekonomike dhe politike ështe prosperiteti i qenies dhe drejtësia si elementi kyc i garancisë së saj.

S’ka kuptim të vazhdojmë të zihemi me njëri tjetrin për një rreze të vetme aty ku djelli është fikur, sepse është sfilitese të zihemi në errësirë kur në fakt kemi nevojë për dritë që t’i shohim gjërat ndryshe dhe ajo që bën të duket një shoqëri të emancipuar është drejtësia.

Share: