Home KRYESORE Kosova ka zgjedhur Presidentin e radhës! Problemet e shumta dhe kriza politike...

Kosova ka zgjedhur Presidentin e radhës! Problemet e shumta dhe kriza politike mbeten!

Kosova politike e zgjodhi Presidentin që meritonte: Hashim Thaçin! Urime Atij për arritjen e qëllimit personal, për suksesin personal, – urime edhe për ata që presin urime! Rinia e Kosovës kam përshtypjen se nuk e zgjodhi Presidentin e saj. Ajo nuk kishte kandidat, nuk u pyet dhe nuk mendoj se sheh ndonjë arsye për shampanjë.

Elitat e vjetra janë edhe elitat e reja. Të njëjtat figura politike prej vitesh, kur gjërat në Kosovë prej kohësh nuk po ndryshojnë për mirë. Mazhoranca refuzoi çdo ndryshim: premtimi për zgjedhje direkte të Presidentit nuk u mbajt, kompromiset politike të dy burrave që dominojnë jetën politike në Kosovë vendosën fatin e Presidentit dhe të Kryeministrit! Opozita gaboi në strategji, në veprime dhe në taktikë sidomos në raport me faktorin ndërkombëtar. Pasoja? Rast unik që një shtet Evropian dhe demokratik të zhvillojë votime presidenciale në kontrast kaq të thellë midis palëve në qeveri që votojnë dhe palëve në opozitë që protestojnë; në një mjedis parlamentar me pajisje kundërgazi dhe ku pas çdo raundi dikush përjashtohet nga votimi, nën presionin e emocioneve dhe të molotovit.

Thelbi: nga Kosova nuk ka dhe nuk priten lajme të reja, megjithëse kronikanët thonë se sot Kosova ka zgjedhur Presidentin e radhës! Postet u ndanë, por problemet e shumta dhe kriza politike mbeten!

Share: