Home KRYESORE Makap

Makap

Nga Edison Ypi

Katundi Makap një mëngjez u zgjua i shqetësuar. Gjatë natës ishte zhdukur një djalë. Prindërit e djalit thanë se kishte vajtur në disko dhe s’ishte kthyer, e kishin marrë në celular, zilja binte, djali s’përgjigjej.

Hamëndje të frikëshme mbushën kafenenë e Makapit. Prindërit e djalit lajmëruan policinë së cilës i kërkuan të vinte urgjent në Makap. Policia u tha; “Djali mbase është diku duke dëfryer me ndonjë femër. Pra mund të jetë nga ato raste që duken si fatkeqësi por janë qef. Policia nuk vete atje ku ka qef por atje ku ka krim, duhet pritur 72 orë”. Kjo përgjigje e Policisë i dëshpëroi prindërit e djalit të zhdukur dhe i habiti banorët e Makapit, të cilët, me këtë rast, me kafe dhe raki përpara, nisën të bëjnë kritika për rendin, shtetin, policinë.

Aty nga mesdita gjendja u rëndua; Dy prindër të tjerë që deri në atë moment kishin heshtur për vajzën e tyre 18 vjeçare të zhdukur nga Makapi para 24 orësh i bënë të ditur kafenesë se vajza sapo kishte telefonuar nga Italia. U kishte thënë se ishte shëndoshë e mirë dhe të mos bëheshin merak. Ishte rrëmbyer me dëshirën e saj me një djalë të cilin e kishte njohur ne Fejsbuk dhe e dashuronte marrëzisht. Shtëpia ku ishin vendosur në Milano ngjante pak si bordello, por i fejuari e kishte siguruar se pas pak do jetonin në një vilë. Megjithse të dyshimta, këto habere s’dukeshin fort të këqia. Prindërit e vajzës i dhanë karar të prisnin derisa të merrej vesh nëse çupa ishte fejuar apo ishte bërë kurvë.

Pa mbaruar muhabeti lidhur me kurvën apo të fejuarën, j’a behu tjetri haber; Ndaj të gdhirë në të dalë të Makapit, dy makapsa i kishin thënë njëri-tjetrit plot mirsjellje “mirmëngjez” kur të dy tërhiqnin nga pas me litar secili nga një lopë. Me të arritur secili në shtëpinë e vet, ishin tmerruar kur kishin parë grazhdin bosh dhe kishin kuptuar se kishin vjedhur lopën e njëri-tjetrit. Njëkohësisht edhe vjedhës edhe të vjedhur, tani ata rrinë në shtëpi me kokën ndër grushta si Hamleti kafkën duke u menduar a duhet lajmëruar Policia.

Rrokada e lopëve të vjedhura reciprokisht i ndezi muhabetet e kafenesë së Makapit si rrallëherë. Për Policinë e cila nuk e bën punën si duhet, për fukarallëkun që po bën kërrdinë, korrupsionin që ka marrë dhenë, etj.

Një makaps që kishte parë botë me sy tha,

-Mos i bini kot më qafë Policisë. Në vendet kapitaliste bilancet e të vdekurve të qefit të fundjavës janë si bilance lufte. Kam parë me sytë e m’i nëpër qytetet e botës tabela që të bëjnë të ditur se në disa lagje rendin e mbrojnë vet banorët. Ejani në vete. Nuk mund të pretendoni nga policia e Makapit më tepër se policia e Londrës.
-Gënjeshtra, j’a priti një tjetër. Ka ca ditë mespërmes Makapit, kaloi një amerikan i veshur teptil, demek si udhëtar, si turist, që në fakt ishte spiun. Ku është syçelësia e makapsave, vigjilenca e Policisë në mbrojtje të tërësisë territoriale të Makapit ?

-O budalla, j’a priti një i tretë, jemi në NATO o idiot. Edhe ajo na duhet, të na ndjekë Policia turistat që na sjellin valutën.
Do kishte plasur sherri sikur në kafene të mos kishte hyrë me vrull një djalosh,
-Dajua vari veten, tha djaloshi duke j’u marrë fryma.
-Ku, si ?
-Në degë të fikut, me tel rreth qafës.
-Pse ?
-Kish ca kohë thoshte; I kam lexuar të tëra librat, i kam parë të tëra filmat, i kam bërë të tëra muhabetet, i kam shijuar të gjitha qejfet, i kam jetuar të gjitha sistemet, tani do iki të shoh ç‘bëhet përtej murit.
-Rrugë të mbarë dajos, thanë njëzëri pijanecët, nisi haber të na ruaj ndonjë qoshe të rehatëshme andej nga Ferri.

Dhe vazhdoi muhabeti.

Një edepsiz kujtoi me simpati të hapur kohën e kurvit kur për të tilla gjëra s’bëhej fjalë. Një tjetër i ftoi makapsit të nënëshkruanin një kushtrim drejtuar trupit diplomatik në Tiranë në mbrojtje të jetës së qytetarëve të pafajshëm. U vu në dukje ngjajshmëria mes ankesave ndaj Policisë me ankesat ndaj grave. Një plak i moçëm spiun me nam i kohës së kurvit u kujtoi kafexhinjve makapsave se nuk ishte mirë të ndodhnin të tilla gjëra në fshatin e tyre ku rreth 100 vjet më parë kishte kaluar Eqerem Bej Vlora. U përhapën atë mbrëmje plot habere të tilla me emaila dhe SMS-ra. Jo vetëm në Makap. Edhe në fshatrat e tjerë aty rrotull. Në Malag ku rritet rrushi, Malaj ku këndon bilbili, Mashkumos ku pihet vera, Marruj ku hidhet vallja, Mathaj ku të kënaq fresku, Mamerr ku kërrcet muhabeti, e deri në Mathith ku bëhet hataja.

Share: