Home KRYESORE NJË KUJTESË E BUKUR QË DHEMB

NJË KUJTESË E BUKUR QË DHEMB

(Petrit Palushi, “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë”)

Nga Kliton Nesturi

Sa herë që dëgjoj muzikën e Guy Farley që ka kompozuar për filmin “Modiliani”, më shpërfaqen bashkë kujtesa dhe harrimi, ikja dhe pengu, tokësorja dhe Universi, mizerja dhe Përjetësia. E gjithë kjo kolonë zanore, nga më të bukurat që është shkruar deri më tash në historinë e kinematografisë botërore, m’u ndërmend tek sa lexova librin e Petrit Palushit “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë”.

Për hir të së vërtetës Frederik Rreshpjen e kam njohur pak, dhe për më tepër nga larg, duke e adhuruar më shumë si një poet dhe njeri bohem, që lundron në Universin e tij. Kështu që nuk mund të them që e kam njohur dhe kam qenë mik i tij, ashtu siç bëjnë e thonë njerëzit në Shqipëri, sa herë që dikush i njohur shkon. Kjo nuk më ka penguar që të ndiej keqardhje për ikjen e tij, thuajse në heshtje, këtu e dhjetë vjet më parë. Ai iku në një stinë dimri të një viti të mbushur me dhimbjen e largimit të mjaft njerëzve të dashur e të çmuar për mua, si Dionis Bubani, Vath Koreshi, e Dritan Çela, iku së bashku edhe me Niko Nikollën, Ibrahim Kodrën, Kel Kodhelin, e ndonjë tjetër, duke u bashkëngjitur kështu në kostelacionin e dhimbjes dhe pengut. Sa herë që vdekja na i merr njerëzit e dashur dhe të vlerëshëm, ne na bren pengu se përse ata nuk mundën të qëndronin më gjatë në këtë jetë të pakthyeshme, e më rënd akoma, që nuk mund të bënim më shumë për ta.

Gjatë këtyre dhjetë viteve të ikjes së tij, Frederik Rreshpja është endur në bisedat tona si një legjendë, ashtu siç endej edhe kur jetonte me ne dhe pranë nesh. E kam ende përpara syve fotografinë e fundit të Rreshpjes, e cila u botua në gazetën “Koha Jonë”; Moikom Zeqon që qëndronte përpara trupit të Fredit, mikut të tij të vdekur. Për hir të së vërtetës, Moikomi, ky intelektual i veçantë shqiptar, ishte ndër të paktët, në mos i vetmi, që e respektoi dhe e nderoi Rreshpjen deri në fund, dhe këtë vlerë nuk mund t’ia tjetërsojë askush.

E pra, pas ikjes së tij, u duk sikur gjurmët e tij u tretën. Përveç në biseda tavolinash, Frederik Rreshpja nisi të përmendej gjithjë edhe më rrallë në ndonjë studio radioje apo emision televiziv. Pavarësisht se ai pranohej që ishte një ndër poetët që kishte lënë gjurmë në poezinë shqipe, ai nuk hyri në asnjë literaturë shkollore apo jashtëshkollore, ndërkohë që sa herë që përmendej, dikush apo disa, nxitonin që të hidhnin mbi të mjegullën e thashethemnajës.

Të gjitha këto më shtyn të lexoja me vëmendje librin e Petrit Palushit “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë”. Ishte një peng i vjetër i mikut tim, të cilin ai e bënte shpesh pjesë të bisedave tona. Sinqerisht, gjatë atyre çasteve, ndieja adhurim per Petrit Palushin që kishte mundur të qëndronte me Frederik Rreshpjen dhe kishte se çfarë të kujtone prej tij. Por gjithësesi, kujtesa e shkruar mbi fletë dhe e botuar në libër ka më shumë vlerë. Ajo mbetet, si një shenjë e fortë në rrugëtimin e historisë tonë të ekzistencës.

Në këtë libër, Petrit Palushit shkruan me një gjuhë të thjeshtë, mirëdashëse deri në adhurim për Frederik Rreshpjen. Ai nuk rreket që të dali vet i pari, si hero, por përkundrazi e vendos mikun në krye të tavolinës duke i dhënë respektin e merituar për fjalën dhe mendimin, vlerën dhe kontributin. Palushi e sheh Rreshpjen si një njeri në kufi të shenjtit, të vlerëshëm paskajshmërisht. Duke dëgjuar çdo gërmë e fjalë, ai përpiqet të fiksojë çdo gjë prej këtij fisniku bohem, të cilin koha dhe njerëzit nuk i dhanë kurrë vendin që i takonte, e që ndoshta, për një arsye apo një tjetër, nuk deshën që ta kuptonin.

Rreshpja- Petrit PalushiNëpër faqet e librit, ne shohim anën tjetër të Rreshpjes, shpirtin e tij, adhurimet dhe shtegtimet, dashuritë dhe pengjet. Zbulojmë atë anë të fshehur tek çdokush prej nesh, e cila shpesh ngre kryet e rebelimit; shpërfillës ndaj sistemeve politikë dhe mediokriteteve që kanë pushtuar jetën tonë sociale dhe artistike, por adhurues të së bukurës, madhështisë që dhurojnë dashuria dhe arti, ndjeshmërisë ndaj respektit dhe dashurisë njerëzore. Kur koha kalon, ekziston një frikë që kujtimet dhe legjendat të marrin trajtën e hiperbolave. Petrit Palushi na e sjell Frederik Rreshpjen njerëzor në dimensionin plotë, aspak si hero fodull që rreh gjoksin për jetën apo për vuajtjet. Ky libër, edhe pse në pak faqe zbulon shumë, është si një këngë që në pak minuta thotë gjithçka. “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë”, nuk është thjesht një libër kujtimesh. Duke depërtuar thellë, në fjalët e lëna dhe të shkruara, ndjen se ai është një refleksion për të gjithë ne. Kjo kujtesë e bukur dhe dhimbshme, shkruar prej Petrit Palushit, ndoshta është ftesa e fundit për të qenë më të pranueshëm dhe njerëzor me njëri-tjetrin, përpara se të shkojmë më tej në udhëtimin tonë. Është koha që t’i japim Çezarit të vërtetë ashtë çka është vërtetë e Çezarit, dhe të mos krijojmë e besojmë Çezarë të rremë.

Tiranë, 11 shkurt 2016

Share: