Home KRYESORE Presidenti Nishani: do i dekretoja dy ministrat gjithesesi

Presidenti Nishani: do i dekretoja dy ministrat gjithesesi

Kreu i shtetit e quajti qëndrim të papranueshëm të qeverisë deklaratën e Ministres së Shtetit, Ermonela Felaj, për shkarkimin e Presidentit nëse shkeleshin afatet kushtetuese.

Deklarata e përfaqësueses së qeverisë shqiptare, se ajo nuk është një deklaratë personale, nuk është një deklaratë që i ka lindur ashtu vetiu zonjës në fjalë. Në fakt ndonjëherë bëhemi dhe të keqardhur për nivelin ku degradon serioziteti dhe standardi i njerëzve që marrin përsipër mandate përfaqësuese në Shqipëri. Është një qëndrim i qeverisë shqiptare, një qëndrim krejt i papranueshëm, sepse presidenti ishte në ushtrimin normal të detyrës së tij, të kohës së tij kushtetuese”, tha presidenti Nishani në  emisionin “Opinion”.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani tha se nuk ka patur kurrë qëllim të mos i dekretonte ministrat Ahmetaj dhe Ekonomi, madje sikurse tha, ka vepruar para përfundimit të afatit të parashikuar nga kushtetuta.

Duke i konsideruar si të shpejtuara dhe të motivuara politikisht hamendësimet, Presidenti shpjegoi përse iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për interpretim të nenit 98 për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.

“Nëse parlamenti nuk e ka vullnetin politik për të miratuar dekretin e shkarkimit atëherë dekretin e emërimit parlamenti nuk mund ta fusë procedurialisht në votim. Ka një nonsens juridik në këtë mes, që unë kërkova ta shmang si fenomen, si mundësi, që do të vinte në pozitë të vështirë parlamentin nga njëra anë, do vinte në pozitë të vështirë edhe Presidentin e Republikës”, tha Nishani.

Share: