Home KRYESORE Takoni Lonin!

Takoni Lonin!

Nga Silva Bashllari*

Loni përdor vetëm fjali të thjeshta. Loni nuk di të përdorë fjali të ndërvarura. Do thoshte dikush që Loni preferon stilin e Hemingway. Por Loni nuk e njeh Hemingway. E vetmja herë kur Loni mund ta ketë dëgjuar Hemingway duhet të ketë qenë para dhjetë vitesh kur profesoresha e letërsisë ( të cilen Loni e thërret “presore” ) e detyroi të blinte “Dhe Dielli Lind” , rrjedhimisht duke e mërzitur Lonin, pasi ato ishin lekët e barit.

Unë kisha fatin ( të keq apo të mirë vendoseni vetë) , që të kisha Lonin pranë meje në të njëjtin restorant. Më duhej të degjoja batutat e tij të vazhdueshme në lidhje me ato dhjetë mijë dollarët që nuk e kishte fare problem t’ia jepte dikujt ( ndërkohë që paga mesatare mujore ne Shqipëri për 2014 sipas INSTAT ishte 53.025 lekë) dhe se si për momentin ishte në një hall të madh pasi duhet të përdorte këto kohë Porsche Cayenne-en meqënëse Mercedez Benz GL 6.3 AMG e kishte në servis. Kjo gjë më trishtoi vërtet shumë në lidhje me Lonin! Dhe sigurisht që Loni nuk fliste por bërtiste, qeshte teksa hante, hungërinte, madje në një moment mund të them me plot bindje që prej tij doli dicka e ngjajshme me një pëllitje. Dikush mund të thojë që Loni po përpiqej te imitonte falceton e Freddie Mercury tek Bohemian Rhapsody. Por nëse ti i përmend Lonit falecton, ai do të mendojë se ti po e fton per “kalҫeto”! Dhe ndër të tjera, doja ti thoja:“O Loni, po ha më mirë o burrë , se atë që po ha ti, po e ha dhe këmisha jote Louis Vuitton!”

Për kënaqësinë time dhe të Lonit, në restorant vjen dhe Marialena, duke e shndërruar situatën në një tragjikomedi të vërtetë! Në kultin tim estetik, i cili sigurisht është plotësisht subjektiv, Marialena ishte një femër e bukur, por që më shëmtuar se aq nuk mund të ishte stiluar. Floket i kishte lyer Ombré ( dhe jo Ombré tamam, në të cilën presupozohet qe gradualisht një ngjyrë të bashkohet me tjetrën , duke kaluar zakonisht nga tonaliteti më i zbehtë tek ai më i errët – por një Ombré në të cilën kishte ndarje të qarta të ngjyrave, e thënë thjesht një version i dështuar i Cruella De Vil), sytë e bukur të gjelbër të saj , nuk mund të shiheshin fare , pasi vëmendja përqëndrohej tek buzët e stërlyera aq shumë me buzëkuq , sa mund ti futej buzëkuqi në hundë dhe do vuante nga sinoziti! Nuk besoj se Migjeni në poezitë e tij ka folur për këto lloj buzësh! Marialena kishte një trup të mirëformuar por mjerisht të veshur me gunën e një deleje. E përsëris që mendimi im është tërësisht subjektiv dhe se ndoshta ideja ime estetike nuk është shumë bashkëkohore. Dikush mund të supozonte se Marialena ecte me mendimin e Rimbaud, i cili pohon se njeriu duhet të jetë absolutisht modern. Por si mund të jesh absolutisht modern pa menduar në mënyrë kritike përmbajtjen e modernitetit?! Gjithsesi e dyshoj që Marialena të njohë Arthur Rimbaud.

Dhe kështu Marialena takoi Lonin. Mos pyesni se si u iniciua kontakti pasi që në momentin që Loni përmendi ato dhjetë mijë dollartët, sytë e gjelbër te Marialenës u zbehën fare, u bënë gri ( si jeta që e priste Marialenën). Loni e komplimentoi atë për emrin duke e pyetur për origjinën. Dikush do aludonte për origjinën latine, dhe ka të drejtë. Mami i Marialenes, në kohën e telenovelave spanjolle kishte përzgjedhur emrin. Nëse Marialena do kishte lindur sot, do e kishte emrin Sadna. Nejse, pak rëndësi ka emri. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti që pas pesë vitesh sëbashku , përgjatë të cilave Marialena rrinte e mbyllur në nje apartament tek blloku, duke duruar ofendimet , tradhëtitë, dhunën fizike dhe psikologjike të Lonit, kalon krizë psikologjike e cila përfundon në vetëvrasje. Ju do kishit qarë për Marialenën më shumë se sa qatë për Sadnën!

Do kishit qarë sepse Marialena 10 vjeҫare dëshironte të bëhej futbolliste por atë e tallnin. E tallnin sepse nuk ishte “femërore”, e tallnin sepse dukej keq, e tallnin sepse femrat që luajnë futboll bëhen të shëmtuara. E përbuzte mamaja e vetë snobe , e cila e dëshironte vajzën të dukej si vajzat në telenovelat spanjolle, e përbuznin “mësueset”(kur nuk ka arsim, nuk mund të ketë mësues) duke e ndaluar të luante futboll pasi i thoshin se është për ҫuna. Marialena duroi sa duroi dhe sapo hyri në gjimnaz ndërroi topin me thonjtë me xhel. Frojdi e kishte gabim për shumë gjëra por qartësisht teoria e tij për represionin ka vend këtu. Ajo që u përbuz për mungesën e femilitetit, tanimë u kthye në një makth. Për Marialenën si futbolliste nuk kishte të ardhme, por mesa duket për Marialenenën si dashnorja e abuzuar e dikujt kishte një goxha të ardhme!

Gjithsesi unë e di shumë mirë që asnjërit prej jush nuk do i vinte keq për Lonin. Por dhe Loni dhjetë vjeҫar donte të bëhej piktor. Në shkollën fillore kishte një “mësuese” të tmerrshme që mendonte se dhuna fizike është mjet edukimi. Kush të rreh, të do- ҫudira shqiptare! Loni i bënte shpesh karikatura “mësueses”, e cila për cdo krijim e ndëshkonte me një shpullë dhe ankesë tek prindërit. Prindërit, e donin më shumë se “mësuesja”, dhe e dhunonin në shtëpi. Gjithsesi Loni më vonë e mësoi mësimin dhe filloi dhe ai të përdorte dhunë. . I dhunuari më vonë u bë dhunuesi. Për pasojë Loni humbi interesin tek shkolla, piktura por zhvilloi interesin tek hashashi dhe tek Gazi, një burrë tridhjetë vjeҫar i cili i tregonte Lonit për aventurat e tij në Itali, Hollandë, Zvicër. Gazi vishte Gucci, kishte një X5 dhe mbronte Lonin nga abuzuesit. Kështu Loni dëshironte të bëhej si Gazi. Pas abuzimit me hashashin që në moshë të vogël, disa dëmtime të mira të sistemit limbik dhe disa arrestimeve ( të cilat sigurisht që nuk kishin rëndësi sepse Loni ishte tek forumi rinor i partisë A, për të cilën organizonte party), Loni u bë më në fund si Gazi. Dhe jo se Lonit i interesonte shumë programi i partisë A, të cilin nuk e njihte fare, por thjesht drejtori i shkollës së Lonit ishte me atë parti dhe e lejonte të largohej nga mësimi për “aktivitete ekstra-kurrikulare”. Për Lonin si piktor nuk kishte të ardhme, por për Lonin si dhunues kishte një goxha të ardhme!

Është e lehtë të urresh Lonin, Marialenën, Gëzimin, Lumturinë, Ruzhdinë etj etj. Dhe unë i urreja ata. I urreja që kur dilja nga dera e shtëpisë që shihja se si bllokohej qarkullimi rrugor nga ty tipa që debatonin pse pa njëri tjetrin. I urreja kur duhet të ulesha pranë tyre në shkollë dhe të degjoja teksa flisnin që me aq lekë blenë “x” “mësues”. I urreja kur duhet që cdo natë të dëgjoja muzikë të tipit “S’jena mo, s’jena mo” në nivelet e ndotjes akustike. Edhe kulturës i kanë thënë “S’jena mo, s’jena mo” por sërisht ҫ’rëndësi kanë shijet e mia artistike kur ndotja akustike që vinte nga komshiu tjetër ishte e pjatave që thyheshin në kokën e dikujt! Dhe të nesërmen dilte homologia e Marialenës me një plagë në sy dhe pesëdhjetë plagë në zemër.

Pas urrejtjes, që nuk ҫon kurrkund fillon reflekton dhe përpiqesh sadopak të kuptosh. Të kuptosh se sa ndryshe do të ishte situata nëse arsimi do të kishte transparencë totale. Nëse orët e mësimit do të ishin të gjitha online, e pastaj do shihnim se sa shumë do të abuzonte figura autoritare. Nga “dashuria”e madhe ajo- që vec mësues mos i thënҫin, përfundonte në gjykatë. Por edhe sikur,meqënëse ajo ishte me partinë B ( ndryshe nga drejtori i shkollës fatkeqëisht, por fatmirësisht si kushëriri i burrit të tezes së prokurorit të përgjithshëm) do ditle pa asnjë problem, dhe do shkonte të “dashuronte” disa të tjerë! Por, nëse prokurori i përgjithshëm do të zgjidhej nga populli me referendum ( po, po REFERENDUM , fjala që përmendet me frikë nga të gjithë, sikur do vijë t’ju rrahë Loni!), mund ta harronte mësuesja jonë e dashur profesionin! Sikur mos të harxhoheshin lekë për bunkerë por për qendra rionore ku Loni të zhvillonte stilin e tij dhe të mos shiste hashash rrugve. Ne 2013 nga studimi i OBSH u konstatua që 30% deri 37% e grave që kanë qenë ndonjëherë në një marrëdhënie, kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partnerët e tyre intimë. Mos harxhoni lekë për konferenca antarësimi, po bëni programe efikase për të sensibilzuar këto gra. E pra, është e lehtë të thuash , populli nuk di, asgjë nuk ndryshohet, nuk bëhet shqipëria me shqiptarë , e të tjera slogane të tilla të hidhura. Filloni rebelohuni se kush e di se sa Marialena kanë vdekur kështu, sa dhjetra janë me një këmbë në varr, dhe sa mijëra janë të vdekura në shpirt. Po e mbyll me disa vargje nga Ali Asllani qe i ka shkruar në 1942 por që më bashkëkohore nuk bëhet :

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bënet si të duash, kukuvajk’ dhe dallandyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, neser silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Silva Bashllari, aktiviste ShqipON.

Share: