Home KRYESORE VETEGJYQESIA – ANTIVLERA E NJE KOMBI

VETEGJYQESIA – ANTIVLERA E NJE KOMBI

Nga Llazar Syziu

Stresues është fakti i informuar mbi krimin në një komunitet. Rritet akoma më shumë stresi kur ky krim shpaloset me trajta të larta organizimi. Por janë të pa krahasueshme këto, me shqetësimin që përhapet nga lajmet për krimin brenda familjes. Brenda institucionit më të vjetër shoqëror. Zakonisht këto krime vetëgjyqësie etiketohen dendur si “spontanitet”, “motive të dobëta”, apo “gjaknxehtësi”. Kështu opinioni shoqëror mbyll në fillim kapitullin mbi mgjarjen aktuale dhe më tej ulet kapaku i rëndë i dosjes së ngjarjeve me natyrë raskapitëse për mendjen e njeriut të zakonshëm. Ky njeri pa vetëdije të plotë artikulon tingujt e pa shpresë “Ruajna zot!”

Pse shuhen këta yje me vetëgjyqësi?

Dikush, dikur numëroi 28000 yje të pashuar. Të pashuar sepse ideali i tyre triumfoi. Po të bënim sado pak përpjekje për të numëruar yjet e shuar me vetëgjyqësi, shpejt do ta kuptonim se në rrjedhën e kohës, ata i kalojnë 28000 yje të shuar. Ideali i tyre shuhet bashkë me ata. Ideali i njeriut që nuk gjen dot zgjidhje të problemeve të tij në shoqërinë që e rrethon. Ky është ideali i njeriut të pakënaqur nga zgjidhja shoqërore që i ofrohet, e cila zakonisht e ka emrin nënshtrim. Të mbetur momentalisht jashtë vëmendjes shoqërore, ata zgjedhin zgjidhjen e pa shpresë: “Më mirë mohim, ose vetmohim, se sa nënshtrim”. Mohim të vetvetes, familjarëve, njerëzve me lidhje gjaku, vlerave materjale dhe shpirtërore që i rrethojnë. Ata bëjnë përpjekje të pa shpresë për të mohuar nënshtrimin ndaj personit, nënshtrimin ndaj institucionit, ndaj grupeve shoqërore, ndaj autoritetit shoqëror, shtetëror apo familjar, ose edhe ndaj ngjarjeve konkrete, aktuale dhe të kaluara, që kanë premisa të ndikojnë negativisht në jetën e tyre.

Çdo komb ka organet e veta të zgjidhjes së problemeve dhe të konflikteve shoqërore. Të sanksionuara këto me ligj dhe të organizuara në formë institucionesh, më së miri, sipas fjalës së fundit të organizimit shoqëror. Se sa funksionojnë këto organe, e tregon më së miri shprehja qëpërdoret dendur sot në Shqipëri: “Të bësh gjyq do kohë dhe para”.

Këta njerëz – viktima nuk janë më spontan se të tjerët, as më gjaknxehtë. Motivet e përditëshme të jetës së tyre nuk janë më të dobëta, por grumbullimi i vazhdueshëm i tendencave nënshtruese të shoqërisë në të tilla raste, ka marrë vlera të konsiderueshme. Këto grumbullime janë faktorë që favorizojnë tendencat shpërthyese tek njeriu. Këto janë vetëm premisa të cilat herë shfaqen dhe herë mbyten për t`u shfaqur tjetër herë, në një dallgëzim më të madh. Herë shfaqen me ngjyra të zbehta e gumëzhitëse dhe herë me më shumë reflekse dhe zhurma të forta.

Cilat janë këto tendenca nënshtruese që shoqëria shqiptare nuk i menaxhon dot? Ato janë të shumta, por tranzicioni i ndryshimit të sistemit shoqëror, i përforcon në të gjitha skajet e diversitetit të tyre të mirëfilltë. Në një vend ku përmbysen raportet sociale të njerëzve që drejtojnë shoqërinë, qoftë kjo me forcë apo me votë popullore, fillon një rivalitet i ashpër për drejtim. Pra “militanti” merr stafetën. Kur ndryshon kuptimin interesi për pronën, përsëri shfaqet një luftë e egër për tjetërsimin e pronës. Pra “matrapazi” merr stafetën. Po ashtu kur ndryshon forma e punësimit dhe e shpërblimit për punën që njerëzit bëjnë, fillon një luftë për ekzistencë midis anëtarëve të shoqërisë që janë të aftë për punë dhe punësim. Këtu korrupsioni merr stafetën.

Këto shtërngata dhe furtuna sociale dëmtojnë rëndë familjen, që është njësia bazë e shoqërisë. Rrezikimi ekonomik i familjes, është në masën më të madhe shkak i çorjentimit aktual dhe perspektiv të saj. Vetë familja ka ligjet e saj që funksionojnë së brendëshmi. Sado e rregullt dhe me baza të shëndosha që të jetë familja, me të mbarten konflikte të shumta. Këto konflikte përgjithësisht shtohen me rritjen në moshë të anëtarëve të saj që mbajnë statusin “fëmijë”. Mënyrat e shumta që ata zgjedhin për argëtim, punësim, apo deri tek krijimi i një familje të re, patjetër që kanë vulën e shoqërisë që i rrethon. Pra furtuna sociale e vendit i gjen hapur dritaret, e përfshin dhe zhvillohet fuqishëm edhe në gjirin e familjes.

S`mund të themi se morali familjar nuk lë gjurmë në funksionimin shoqëror. Megjithatë këto gjurmë janë të dobëta dhe më tepër me natyrë toleruese se sa detyruese. E kundërta vërehet shpesh, morali shoqëror shfaqet fuqishëm në familje, detyron anëtarët e saj të mbështeten në pika të ndryshme referimi. Marrdhënie këto që e destabilizojnë familjen dhe i hapin plagë të reja shoqërisë. Tregues i funksionimit jo të rregullt të shoqërisë, janë rastet e shumta të vetëgjyqësisë së anëtarëve të saj. Megjithatë ajo funksionon. Funksionon me elementë të paqëndrueshëm, me të papritura të shumta, dhe me një kaos informacioni. Kjo ndodh në media sot. Ka nga ata që nuk e quajnë kaos. Ngjarjet shpesh dalin në ekranet televizive të nxehta, pa u ftohur akoma. Por të mos harrojmë që informacioni ka si vulë interpretimin. Vetëm në dy kanale mediatike po të ndjekësh një lajm çoroditesh. Po të ndjekësh të gjithë faktorin mediatik? Po të llogaritim të gjithë ata individë të cilët nuk e kanë sensin kritik gjatë përvetësimit të informacionit? Pra nuk gjejmë dot fjalë më të mirë se sa fjala kaos. Kjo lë mjaft për të dëshiruar që të marrë etiketën informim publik. Me zellin më të madh ngjarjet e zakonshme familjare dhe shoqërore interpretohen si politike. Po ashtu edhe e kundërta. Prezantohet me nota emocioni kundravajtja dhe krimi, por nuk citohet ndëshkimi për kundravajtësin dhe kriminelin. Këto e bëjnë interesant procesin mediatik, por u hapet rrugë abuzimeve të shumta, një pjesë e të cilave bien mbi familjen dhe vështirësojnë gjetjen e zgjidhjeve reale dhe pozitive të anëtarëve të saj.

Çdo shoqëri ka njerëz që abuzojnë me punën rregullin dhe moralin, pra si rezultat do të ketë edhe situata shoqërore sforcimi dhe imponimi evidente. Por përmasat e gjera të vetëgjyqësisë, tregojnë më tepër mosfunksionim shoqëror, se sa difekte spontane të anëtarëve të veçantë të saj. Në një shoqëri që nuk funksionon me parametra të rregullt, por me plagë të shumta sociale, njerëzit ndahen lehtë në dy grupe. Në grupin e parë janë ata që punojnë dhe krijojnë të mira materjale dhe shpirtërore dhe në grupin e dytë, i cili përpunon qindra mënyra, se si të përvetësoj vlerat e krijuara nga të parët.

Një nga tendencat nënshtruese në shoqërinë shqiptare i dedikohet “profesionit” të militantit partiak. Profesion ky i zhvilluar së tepërmi këta 20 vjet tranzicioni. Profesion që e ka kaluar fazën individualiste dhe ka kaluar në grupe militante. Ky profesion është i mbrojtur jo me ligj, por me statusin që i japin dogmat e opinionit shoqëror. Militanti të jep votën, vota të jep pushtet dhe pushteti të jep forcë dhe ego. Kjo forcë i krijon mundësi punësimi militantit, me ose pa të drejtë, i jep pronë me ose pa të drejtë. Jo vetëm kaq, por arrin ta kthej individin nga “zero” në lider të një institucioni, pa patur asnjë vlerë në ngritjen dhe funksionimin e tij. Kjo, vetëm e vetëm se ka vlera konform autoritetit që e përdor. Këto sjellje përfshijnë tjetërsim dhe përvetësim vlerash, që patjetër janë krijuar me punë. Kjo është bazë për sjelljet antiligjore të militantit, i cili punon në emër të partisë, me udhëzimet e partisë dhe që sjellin ujë në mullirin e partisë. Për njeriun e punës këto cirkuida sjellin veç nënshtrim. Ato nuk janë gjë tjetër veç gurë të hedhur lartë, në kokat e anëtarëve të shoqërisë dhe herët ose vonë u bien atyre përsëri në kokë, megjithëse respektojnë normat shoqërore dhe shtetërore të kombit.

Individë që dalin herët në jetë, për arsye të traumave në funksionimin e familjes, shpesh nuk arrijnë të marrin as dozat që jep arsimi i detyruar në lidhje me rregullat e bashkëjetesës shoqërore në komunitet. Në ndërveprimin shoqëror ata ndjekin dendur instiktet individuale, bëhen shpejtë pjesë e turmës dhe janë ca si tepër spontan. Ballafaqohen në veprimtaritë shoqërore në pozicionin e njeriut që kërkon të gjitha të drejtat për punësim, pronësi, apo krijimin e familjes në periudhë të herëshme. Kur kësaj kategorie i mungon përkrahja e duhur shoqërore, ata më së shumti shfaqen si viktimë e nënshtrimit. Por kur në bazë të përvojës së fituar, punës që bëjnë, ose për arsye të tjera, sigurojnë përkrahje shoqërore, ata shfaqin premisa të shumta, për të shpalosur tendenca të shumta imponuese ndaj shoqërisë. Duke mos patur fuqi bindëse, me anë të artikulimit të koncepteve të domosdoshme jetësore, ata shpesh përdorin forcën, prapaskenën dhe në rastet më delikate, mbështeten në forcën e zakonit. Kjo është bazë për sjellje antiligjore.

Të tjerë akoma e mbarojnë ciklin e shkollimit, ndonjëherë edhe me tregues të lartë në rezultate, por bazë e arritjeve të tyre ka qenë kryesisht shfrytëzimi i konjukturave të larmishme shkollore, më tepër se edukata e punës. Aftësia për përpunimin e opinioneve shkollore, përsoset së tepërmi tek këta individë. Konfrontimi i tyre me normat në shkollë është i dendur. Kjo gjendje bashkëshoqërohet me konfrontim me autoritetin shkollor. Pavarësisht traumave që pësojnë gjatë shkollimit, shpesh ata e plotësojnë arsimimin e tyre, por cilësia e edukimit tek ata, gjithmonë ka mangësi. Të tillë individë kur dalin në jetë, shpëtojnë nga vëmendja e autoritetit këmbëngulës shkollor, kështu që për ata, krijohen premisa të reja, që të shfaqin talentin e tyre të veçantë. Autoriteti i dallgëzuar shoqëror, shpesh e favorizon të fituarit në bazë të sjelljeve koniukturale. Kjo është bazë për sjellje antiligjore.

Shumëllojshmëria e mënyrave të përfitimit ekonomik dhe shoqëror ka kapur vlera të larta gjatë viteve të tranzicionit. Veçanërisht mënyrat e përfitimit ilegal. Këto janë favorizuar nga paralizimi i administratës shtetërore, për arsye të kontradiktave të faktorit politik shqiptar. Këto mënyra përfitimi, për të arritur konsolidimin e sigurisë së tyre, shpesh shkelin mbi normat dhe moralin e familjes. Ky fakt ka realizuar dhe fatkeqësisht vazhdon të realizoj gjithfarlloj krimesh. Prindi vret fëmijën, apo fëmija vret prindin, burri vret gruan, apo gruaja burrin. Nga ana tjtër fjala pronë, me të vërtetë është shumë e dashur për njeriun, por shpesh e veçon atë nga kuadri shoqëror. Kjo fjalë që e ndan individin nga të tjerët duke realizuar shpesh konflikte brenda njerëzve me lidhje gjaku, shumë shpejt bëhet vrastare.

Arsyeja e vendimmarrjes kapitale nga ana e disa njerëzve, nuk është arsye për të realizuar të njëjtin akt nga individët e grupeve të tjera shoqërore. Vrasja e vetes për një arsye vlerësimi në shkollë, mund të ndodhi tek mosha e adoleshencës kur angazhimi i vetëm i tyre është konkurimi për vlerat e shkollimit. Vrasja e vetes për arsye të mosfunksionimit të marrdhënieve të krijimit të familjes, ndodh zakonisht në moshat e reja. Dhënia fund e jetës për arsye ekonomike nuk ndodh më dendur tek njerëzit me më pak mjete jetese. Këta janë tregues se vetëgjyqësia shpesh ka bazë vetëdijen e ngushtë të njerëzve, të cilët gjykojnë më tepër së brendëshmi. Shkalla e ulët e shoqërizimit të sjelljeve të tyre, i pengon të njohin rolin krahasues të vetvetes dhe pozicionin e tyre në shoqëri. Përgjthësisht kur njerëzit e kuptojnë si të pa shmangshme dukurinë nënshtruese në realitetin ekzistues, jo vetëm që durojnë pasojat, por edukojnë edhe të tjerët me mësimet e nxjerra prej vështirësive. Disa e provojnë vetëgjyqësinë pasi kanë gjykuar me metrin e tyre një apo më shumë individë të tjerë. Kjo zakonisht shoqëron rivalitetin e njerëzve për statusin e pronës dhe të moralit.

Në periudhën e shtetit monist, para tranzicionit gjen pak fakte vetëgjyqësie dhe kjo ka arsyet e veta. Fryma e kolektivizmit të njerëzve militantë, kolektivizonte edhe problemet e antarëve të tjerë të shoqërisë. Një problem individual shoqërizohej shumë shpejt, nën efektin e përkushtimit të tepruar ndaj pushtetit popullor. Reklama që u bëhej fakteve të vetëgjyqësisë ishte pothuajse zero, bile edhe kur fakti lidhej me figura të larta shtetërore. Këta dhe të tjerë faktorë ndihmuan që vetëgjyqësia të mos hidhte themele të forta, sa për të krijuar një agregat kaq të komplikuar siç është hasmëria. Nuk njihej as servirja e hasmërisë me garniturën e rregullave të shenjta të kanunit, si ndodh sot dendur në zonat veriore.

Në Shqipëri morali shoqëror ka pika të forta, po ashtu edhe morali familjar. Pesha e këtij morali përcakton që pjesa më e madhe e anëtarëve të shoqërisë të bëjnë jetë të matur, pa aventura dhe kryesisht me frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi. Mendoj se lëvizja e lirë e njerëzve, për të krijuar mundësi shkollimi, punësimi dhe sigurimin e mjeteve të tjera të jetesës, i ndihmon ata të shpëtojnë nga grackat që krijojnë dogmat e opinionit të deformuar shoqëror.

received_1094141737274017Zgjerimi i vetëdijes së njerëzve, rritja e shkallës së shoqërizimit të tyre dhe dalja nga trysnia e guackës së nënshtrimit, janë rrjedhoja të drejtpërdrejta të zgjerimit të fushës së qarkullimit të shqiptarëve dhe së bashku me ata edhe të ideve të tyre. Ide të cilat duke u përpunuar në rrjedhën e kohës, ngjallin shpresa për mposhtjen e kësaj plage shoqërore që reflekton tipare primitive të një kombi.

Share: