Home KRYESORE “Zani i Naltë”, zhvillohet konferenca shkencore

“Zani i Naltë”, zhvillohet konferenca shkencore

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, organizoi konferencën shkencore “Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skënder Bruçaj u shpreh se edhe pse ka kaluar gati një shekull nga themelimi i vet, artikujt e revistës “Zani i Naltë” mbeten sa aktualë, aq edhe edukues dhe me mjaft vlera kulturore e arsimore, duke u bërë kështu një tribunë e trashëgimisë intelektuale te shqiptarët.

“Zani i Naltë është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman, ajo ka një rëndësi shumë të veçantë për vetë faktin se ka shërbyer për vite me radhë si një tribunë e mendimit islam. Intelektualët myslimanë të asaj kohe kanë paraqitur edhe receta ndaj problemeve sociale. Është një dëshmi e qartë që tregon qartazi se shqiptarët e kanë kuptuar ashtu siç duhet Islamin dhe e kanë jetuar atë. Unë shpresoj që revista “Zani i Naltë” të vazhdojë me misionin e saj dhe t’i shërbejë shoqërisë shqiptare në promovimin e vlerave të Islamit dhe atyre universale.”, tha kreu Bruçaj.

Ndërsa Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, tha se revista “Zani i Naltë” është një vlerë për komunitetin dhe se veprat e mira nuk harrohen sepse ato flasin me zë të lartë.

“Zani i Naltë është një vlerë për komunitetin, gjuhën shqipe dhe një prej themeleve të mendimit shqiptar. Ajo lindi një shekull më parë dhe rikthehet e plotë. Edhe sot ne vazhdojmë të flasim për tolerancën fetare, dhe e kemi pasur jo vetëm të provuar në komunitetet tona, në shembuj jete nga më të ndryshmet, por edhe të përpunuar e të shprehur qartazi në mendimin më të përparuar të elitave të gati një shekulli më parë.”, tha më tej znj. Kumbaro.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, Kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë Sulejman Rexhepi, Kryegjyshi i Bektashinjve Edmond Brahimaj si dhe Rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, të cilët vlerësuan rolin e pazëvendësueshëm të revistës “Zani i Naltë” në fomësimin e vetëdijes kulturore, kombëtare dhe asaj fetare.

Seanca e hapjes  u moderua nga Dr. Genti Kruja, drejtor i Kulturës në Komunitetin Mysliman. Pas përshëndetjeve konferenca ka vijuar me dy seancat shkencore ku studiues të shquar kanë nxjerrë në pah rolin dhe vlerat mbarëkombëtare të kësaj reviste. Revista “Zani i Naltë”, është organi i parë zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, themeluar më 1923, e cila prej tetorit të vitit 2012 ka filluar ribotimin si një revistë e cila përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë në fushat e shkencave të ndryshme islame dhe sociale.

Share: